Salla e koncerteve në Liceun Artistik, një ëndërr e realizuar

Kryeministri Edi Rama me nxënësit e Liceut Artistik “Jordan Misja”, në çeljen e sallës së re të koncerteve “Tonin Harapi”

Në fakt, kur erdhëm këtu, po ngjisnim kat pas kati dhe nuk po kuptoja pse duhet të shkonim lart. Thashë, do Erjoni të më tregojë Tiranën nga tarraca e Liceut, por e vërteta është që është bërë një punë e shkëlqyer. Edhe lozha sipër ishte jashtëzakonisht spektakolare si kënd shikimi, edhe salla tjetër më sipër për ata të figurativit që me siguri ndihen pak të diskriminuar në raportet e hapësirave, sepse i keni lënë papafingon e gjithë kësaj hapësire.

Më vjen shumë mirë që sot vijmë për ta çelur këtë sallë, sepse më kujtohet shumë mirë kur kemi qenë këtu për rindërtimin e godinës ekzistuese të Liceut dhe u bë dhe një koncert shumë i bukur atë ditë jashtë në oborr, mirëpo sallë këtu nuk kishte. Ndihmuam edhe për ardhjen e pianove të reja, pas atyre pianove heroike, që i rezistuan shumë e shumë viteve dhe kaluan shumë breza. E sot u bë e mundur që të jemi këtu dhe më duket se është bërë një punë shumë e mirë dhe sigurisht i takon atyre që do ta kenë nën kujdes, që ta mirëmbajnë e t’jua lënë në kushte të mira edhe atyre që vijnë më pas.

Ndërkohë që po hynim këtu dhe po ndiqja fjalët e drejtoreshës e pastaj të Erjonit, më çoi kujtesa shumë kohë mbrapa, kur ky ishte një lice shumë modest nga pikëpamja e infrastrukturës, nga pikëpamja e kushteve, pavarësisht se duket sikur pati një kohë që shkoi në një situatë shumë të vështirë dhe sigurisht e pati, por ka qenë me kushte shumë modeste.

Liceu që ka nxjerrë gjithë ata artistë të jashtëzakonshëm, – përmendi drejtoresha, Ermonela Jahon, Saimirin, Invën, ka dhe plot të tjerë. Liceu që ka nxjerrë Zana Çelën që, pavarësisht se nuk është në skenë, është protagoniste e rëndësishme në funksion të atyre që hipin në skenë dhe që ka nxjerrë shumë e shumë të tjerë që ju i njihni, disa i kujtojnë, disa të tjerë i kanë dëgjuar, – ishte shumë modest nga pikëpamja e infrastrukturës, por kishte shumë pasion, kishte shumë vullnet dhe kishte jashtëzakonisht shumë disiplinë. Mua më kujtohet gjithmonë fantazma e Tedi Papavramit, shumë i vogël, me violinë, me pantallona të shkurtra, që e hapte Liceun. Ishte i pari që hynte në Lice e fillonte stërvitej dhe plot e plot të tjerë.

Ky Lice është vendi ku ka plot shembuj për të ilustruar një fakt, që një ëndërr që njeriu e shikon me hy hapur, mund ta realizojë. Gjithë pyetja është, sa është i gatshëm të sakrifikojë për ta realizuar. Nëse e sheh me sy hapur dhe ka kapacitetin ta imagjinojë veten në një pikë të caktuar të horizontit, mund të shkojë atje, por duhet të jetë i gatshëm që të bëjë të gjitha mundimet dhe sakrificat që kërkon e shkuara.

Më kujtohet Ermonela Jaho, këtu ka njerëz që e njohin shumë më mirë nga afër, ishte një vajzë e zakonshme, siç mund të ishin sot të gjithë vajzat që ishin aty tek kori, i thoshin është e shkurtër, është kështu apo ashtu dhe ajo thoshte, unë do këndoj në La Scala. I thoshin “e çmendur”, “nuk është mirë e shkreta”, “nuk ka zë, gjynah”. Ajo vinte këtu, në këtë Lice dhe thoshte, unë do shkoj në La Scala, të tjerat nuk kanë rëndësi. Dhe Ermonela Jaho këndoi në La Scala dhe në të gjitha sallat e tjera. Është një shembull shumë i ngjashëm me shembullin e Messit, që thoshte, unë do luaj në Camp Nou. Prindërit e çonin për ta kuruar, sepse kishte një problem me hipofizën dhe rrezikonte të mbetej gjithë jetën xhuxhmaxhuxh, mjekët e konsideronin pacient, ai thoshte unë do luaj në Camp Nou dhe dihet se si shkoi historia.

I them këto për vajzat e djemtë që këtu i ka sjellë një pasion, i ka sjellë një imagjinatë lidhur me instrumentin, lidhur me zërin që kanë brenda, lidhur me muzikën. Nëse e shikojnë me sy hapur ëndrrën që një ditë të jenë në majë, duhet ta besojnë dhe duhet të jenë të gatshëm që ta ngjisin majën. Sigurisht, në rrugën drejt majës, shumica rrëzohen, nuk arrijnë të gjithë në majë, por ama, kushdo që e sheh majën dhe kujtdo që zëri i brendshëm i thotë ti mund të shkosh në majë, mund të shkojë në majë, është vetëm çështje vullneti, gatishmërie për të sakrifikuar dhe disipline.

Më kujtohet edhe herën e kaluar kur erdha këtu, ishte një zog që cicëronte andej nga fundi i sallës. Kemi pasur një profesor shumë të nderuar dhe të respektuar, – i ke lënë dhe herët mustaqet, o çun dhe kur i lë mustaqet në moshën tënde, të duket vetja si Mic Sokoli, por nuk je – Thoma Gaqi, i cili thoshte, bëjmë mbledhjet, rrahim mendimet, nxjerrim konkluzionet dhe kur bëhemi gati të mbyllim mbledhjen, dikush nga fundi na kujton se ka edhe një zë tjetër që quhet zëri i masës.

Dua ta mbyll, duke shprehur kënaqësinë dhe me këtë rast edhe të gjithë respektin për faktin që keni zgjedhur t’i vini kësaj salle emrin e Tonin Harapit. Është kënaqësi që pata mundësinë të takoj zonjën edhe vajzën. E kam njohur Tonin Harapin, kam qenë i vogël si Erjoni në atë kohë, por e mbaj mend shumë mirë, një burrë shumë fisnik, që rrezatonte një butësi të jashtëzakonshme dhe butësia e Tonin Harapit, – që po të dëgjonim gjyshen time dhe po të dëgjonim zonjën e Tonin Harapit, është diku lart dhe po ju sheh në këtë moment, – ju shoqëroftë dhe ju ndihmoftë në momente kur keni nevojë për butësi. Sepse ka gjithmonë momente në jetën e artistit kur i duhet pak butësi rreth e rrotull, se ndeshet me mure shumë të larta për të kapërcyer dhe që krijojnë edhe momente mosbesimi të madh, që do ia dalë, apo nuk do ia dalë. Të jeni të sigurt që do ia dilni, mjafton të keni kurajën dhe fuqinë ta ndiqni ëndrrën tuaj, të gatshëm për t’i dhënë asaj gjithçka.

Faleminderit!