Samiti i Liderëve të Ballkanit Perëndimor, nisi sot punimet në Tiranë, me pjesëmarrjen e kryetarëve të shteteve dhe qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor përkatësisht; Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë, Bosnje-Hercegovinës, si dhe të Komisionerit Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Olivér Várhelyi,
Pjesëmarrësit u mirëpritën në Pallatin e Brigadave nga Kryeministri Edi Rama, i cili në nisje të Samitit iu drejtua të pranishmëve:
“Ju faleminderit shumë që pranuat ftesën në një kohë kaq të shkurtër dhe jam vërtetë i lumtur që t’ju uroj mirëseardhjen secilit prej jush në Tiranë.
Pjesëmarrja juaj në këtë samit të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë është një shenjë e qartë e vullnetit tonë për të marrë autorësi rajonale të zbatimit të planit të BE-së, planit ekonomik dhe të investimeve për Ballkanin Perëndimor dhe të tregut të përbashkët rajonal.
Jam shumë mirënjohës posaçërisht Komisionerit të Bashkimit Europian që e nisi dhe e promovoi këtë plan të madh si një instrument kyç që do të na ndihmojë të rimëkëmbemi ekonomikisht në një epokë post pandemike, të punojmë mbi rezistencën social ekonomike, të na ndihmojë e të shkojmë drejt rritjes së qëndrueshme e të ndërtojmë mbi tranzicionin e gjelbër dhe digjital të ekonomive tona.
Faleminderit për disponibilitetin për të qenë këtu!”