Saranda, qyteti bregdetar më i dëshiruar nga turistë dhe vizitorë është në transformim të vazhdueshëm, falë projekteve të reja që po marrin jetë paralelisht në zemër të qytetit, duke nisur me pedonalen e bukur “Skënderbej”, Qendrën e Pritjes Shumëfunksionale me vendparkime veturash, autobusash, taksish, biçikletash, “Rrugën 5”, kryqëzimet e rimodeluara për të lehtësuar trafikun sezonal, si dhe terrenet sportive.
Ndërkohë që, së shpejti nis “Rruga 6”, transformimi i ish-maternitetit në Muzeun e Botës Nënujore, rindërtimi i Pallatit të Kulturës, si edhe selia e re e Universitetit.
Kryeministri Rama, i cili ndodhet në Sarandë përshkoi në këmbë zonën ku po zhvillohen projektet, së bashku me kryetarin e Bashkisë Oltion Çaçi dhe Drejtorin e FShZh Dritan Agolli për t’u njohur me esurinë e deritanishme të investimeve.
“Këtu jemi në qendrën e pritjes Welcome Center, është projekti i pritjes financuar nga një kredi e Bankës Botërore. Është në kuadrin e qendrave multifunksionale të pritjes. Praktikisht këtu është parkim, një kat tjetër është pjesa ku do parkohen autobusët, vend për taksi, vend për skuter elektrikë, vend për biçikleta elektrike, së bashku me karikuesit dhe në katin e fundit ka bar, restorant, biletari dhe ambiente të tjera shërbimi.” – shpjegoi Drejtori i FShZh Agolli, lidhur me projektin e Qendrën së Pritjes Shumëfunksionale.
“Këtu jemi në një tjetër kantier që është pjesë e një sërë ndërhyrjesh të integruara për të përmirësuar qarkullimin, sidomos në kohë të sezonit me fluks të trafikut. Praktikisht është bërë rehabilitimi i Rrugës 5, e cila përfundon punë, pas dy-tre javësh. Ndërkohë po pjesë e projektit të Bankës Botërore është rimodelimi i një sërë kryqëzimesh, të cilët janë parë me ekspertët e lëvizshmërisë dhe i kanë rimodeluar kryqëzimet, duke i zgjeruar për të mundësuar qarkullimin në këto kryqëzime.” – tregoi Agolli për një tjetër projekt, atë të Rrugës 5 dhe zonës përreth saj.
Ndërkohë që lidhur me pedonalen Agolli u shpreh se me ndërhyrjet e integruara, e kanë transformuar nga një rrugë trafiku, që nuk kishte vlerën e duhur, në një shëtitore, pjesë të ofertës turistike.
“Pjesa e rrugës “Skënderbeu” është trajtuar në konceptin e pedonales. Mbyllja e pedonales ka dalë spektakël. Komplet vend turistik. Projekti i rehabilitimit të rrugës Skënderbeu, qenë një ndërhyrje e integruar me gjithë infrastrukturën nëntokësore, më pas trajtimi i një rruge këmbësore me pllaka gurë, trajtimi i fasadave, ndriçimi pubik duke i dhënë një fizionomi komplet tjetër, nga një rrugë trafiku dhe shumë pranë bregut të detit, por që nuk kishte vlerën e duhur e ka kthyer praktikisht në një pedonale dhe në një pjesë të ofertës turistike në mënyrë të padiskutueshme.” – u shpreh ai, teksa theksoi se një sërë sheshesh janë të riformatuara, si pjesë e këtij projekti.
“Është një lagje e vjetër, karakteristikë e një zonë gjysmë historike. Ky është mishërimi sesi një investim publik kthehet herë tre, investim në privat, por dhe në vlerë prone. Ndërkohë tani është kthyer komplet në zonë prime. Oferta turistike ishte vetëm buzë detit. Tani ka hyrë në qytet oferta turistike. Këtu është trajtuar dhe parku i lojërave. Në rrugën Mit’hat Hoxha fillojnë trotuaret dhe ajo është 3 km trajtim është kthyer dhe ajo në një pedonale se te rruga Mitat Hoxha kemi ngushtuar pjesën e asfaltit dhe kemi zgjeruar trotuaret Është dhe një rrugë tjetër që është trajtuar Sheshi Europa, kemi lidhur kontratën aty.” –tregoi Agolli lidhur me një tjetër ndërthurje projektesh për rrugë e sheshe.
Ndërsa për transformimin e ish-maternitetit në Muzeun e Botës Nënujore, Drejtori i FShZh Agolli shpjegoi se ai nuk është thjeshtë muze, por një hapësirë interaktive.
“Është qendër multifunksionale, ka këtë Under Water Museum, por ndërkohë që ka hapësirë për të rinj. Qendra e një muzeu nënujor por do ketë dhe hapësirë, bar, sallë për konferenca. Nuk është thjeshtë muze, por është muze interaktiv. E gjithë kjo godinë e bukur është e viteve ’30. Pjesë e ndërhyrjeve të integruara janë dhe rehabilitimi i sallave të lojërave me dore dhe i dy terreneve sportive. Një mini kënd sportiv në zemër të qytetit.” – u shpreh ai.
Nga ana e tij, Kryeministri Rama e vlerësoi punën e bërë, si çliruese të hapësirave të qytetit
“Goxha ambient duket Saranda në këto pjesë që po ndërhyhet. Sikur ka marrë frymë, është çliruar. – u shpreh ai