Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Në mjediset e Tirana Industrial Park, Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja zhvilloi sot një bashkëbisedim me biznese dhe punonjës mbi strategjinë e politikat e punësimit dhe aftësimit të forcës së punës, në një treg gjithmonë e më dinamik, të ndikuar ndjeshëm nga zhvillimi i shpejtë i teknologjisë — një diskutim i zgjeruar për të ndërtuar së bashku një treg pune më të fortë, të qëndrueshëm e gjithëpërfshirës, me në qendër arsimin dhe formimin profesional si një rrugë e shpejtë dhe e sigurt drejt punësimit.

* * *

Kryeministri Edi Rama: Unë kam një mendim që dua të ndaj me ju që jeni andej nga ana tjetër e këtij sheshi, që në qofë se, unë vë një bast këtu me këta që kam këtu në dy krahët e mi se sa nga ju duan të ikin tani në këtë moment nga i ftohti, unë e fitoj bastin me diferencë shumë të thellë, jam i bindur për këtë.

Ndjesë për këtë lloj situate të krijuar nga kjo orë e ditës dhe nga ky mot i çuditshëm i këtyre ditëve.

Nuk dua që t’ju mbajmë gjatë, dua të them vetëm disa gjëra, mendoj, kyçe lidhur me situatën e punës në tërësi dhe me perspektivën që në këndvështrimin tim është shumë optimiste për shumë arsye, por mbi të gjitha për faktin që sot Shqipëria po përjeton një kthesë për të cilën ne jemi përpjekur një kohë të gjatë dhe tanimë kthesa është në dinamikën e vet.

Unë këtu, kur hyra, pashë Arjelën që është në radhën e parë që është themeluesja dhe udhëheqësja e një sipërmarrjeje shumë të guximshme që në momentin e parë mund të ketë qenë edhe një lloj aventure për të cilën mbase, përveç të atit, askush tjetër nuk ka menduar se vajza është normale dhe madje, sepse jemi duke punuar me Arjelën për të ndërtuar një partneritet strategjik me një nga kompanitë më të mëdha të botës në fushën e industrisë ushtarake dhe besoj që dje kemi arritur ta kurorëzojmë në linjat e përgjithshme këtë partneritet, që besoj do të bëhet publik së shpejti dhe që faktikisht, do të sjellë në Shqipëri, jo vetëm qindra milion investime në industrinë ushtarake, të cilën ne po e krijojmë nga e para pas shumë periudhash të vështira që ju i dini, nuk ka nevojë t’ju marr kohë për këtë dhe do ta bëjë Shqipërinë, falë Arjelës, falë kompanisëe së saj që do të jetë kompania e referimit me mbështetjen e kësaj kompanie të madhe partnere, por prodhimet do të jenë “Made in Albania” dhe Shqipëria do të eksportojë në tregje të tjera makina ushtarake të gjeneratës së fundit.

Kjo është diçka që ndodh sot, por nuk mund të ndodhte dot vetëm deri disa vite më parë.

Po ashtu, janë një sërë iniciativash të tjera në fushën e industrisë ushtarake, që janë në proces dhe unë jam shumë optimist që do të materializohen njëra pas tjetrës, të cilat do të na japin mundësinë që, jo vetëm të prodhojmë për Forcat tona të Armatosura, të prodhojmë këtu në Shqipëri për nevojat tona, duke ndërtuar partneritete shumë të forta strategjike me lojtarë të mëdhenj në këtë sektor, por do të na japë mundësinë, që përveçse të krijojmë të ardhura, pasi zgjedhja jonë strategjike është që të blejmë jashtë vetëm ato gjëra shumë të veçanta që nuk kemi mundësi t’i prodhojmë këtu, ndërkohë që një pjesë të madhe të nevojave ta mbulojmë me prodhimin e këtushëm, duke krijuar një front të ri pune, një front të ri punësimi për vajza dhe djem të mire edukuar, në profesionet e nevojshme që të kenë paga shumë të larta sepse në këtë industri pagat janë domethënëse.

Por nga ana tjetër, ne hymë këtu nga dera, ku janë dhe ata që nuk e di pse po durojnë dhe këta në të ftohtë, ndërkohë që mund të rrinë brenda, – faleminderit për durimin dhe ju jeni dhe në këmbë, -nga dera e kësaj kompanie këtu, ku paga minimale është 700 euro dhe flasim për sanitare, flasim për ndihmës, të cilët duke marrë dijet e nevojshme pas një periudhe kohe do të rriten në page, ndërkohë që paga mesatare në këtë kompaninë këtu, që ne sapo vizituam dhe nuk është e vetmja këtu që ka këto paga në këtë territor.

Unë jam i bindur se këtu shumë kompani janë me produkte goxha të sofistikuara po themi, është 1000 euro, por sot në Shqipëri kemi një pagë mesatare 830 euro dhe jemi nisur nga një pagë mesatare që ishte vetem 322 euro. Është një kapërcim i madh siç është një kapërcim i madh që shihet tek prodhimi i përgjithshëm sepse natyrisht, nëse njeriu e ndjek Shqipërinë nga televizori apo e njeh Shqipërinë nga portalet nuk sheh fare nga këto gjëra, nuk i shkon mendja sot se në Shqipëri mund të ketë realitete si këto që janë këtu në këtë territor ose në shumë territore të tjera se në Shqipëri mund të ketë kompani, të cilat kanë paga më të mira sesa në Greqi, padiskutim.

Mirëpo, nëse shohim rritjen e prodhimit të përgjithshëm, kemi pasur një prodhim të përgjithshëm, kur ne kemi marrë detyrën, nën 10 miliardë euro dhe sot e kemi prodhimin e përgjithshëm kombëtar në rendin e afro 25 miliardë euro, pra 2 herë e gjysmë më të lartë dhe ky prodhim i përgjithshëm kombëtar është rritur nga kompanitë, është rritur nga puna, nuk është rritur nga ndonjë arsye tjetër.

Sot, ne kemi nivelin më të ulët historik të papunësisë, 8,8% dhe shumëkush që nuk di se çfarë flet ironizon dhe thotë “Po se ka rënë popullsia”, ndërkohë që nuk ka lidhje fare sepse matja e nivelit të papunësisë është raport i forcave të punës dhe në raportin e forcave të punës, ne kemi një përgjysmim të nivelit të papunësisë dhe ambicia jonë është që në 2030, ne të kemi një papunësi në 6% që është norma mesatare normale e Bashkimit Europian.

Nuk dua të flas për çfarë kemi bërë sepse Blendi bëri, pak a shumë, një rezyme goxha shteruese, por dua të them që, duke qenë se këtu flasim për punën, por flasim dhe për kompanitë, ne menjëherë pas këtij procesi që duhet ta zhvillojmë gjatë këtij muaji që fillon zyrtarisht ditën e premte, ne do të ndërtojmë një proces me kompanitë për një marrëveshje paqeje fiskale në mënyrë që t’i japim të gjithë kompanive mundësinë që të zgjedhin midis një marrëveshjeje paraprake me autoritetet fiskale për të paguar një tatim, një shumë në tatimin mbi fitimin që nuk do lëvizë, është ai 15% i ditur, një shumë të përcaktuar bashkërisht duke u nisur nga rritja ekonomike dhe pastaj të mund të paguajnë përtej kësaj shume, duke deklaruar të ardhura të tjera të padeklaruara më parë me një tatim vetëm 5%. Që do të thotë që do t’iu japim mundësi kompanive që të mund të dalin në dritë plotësisht dhe të mos kenë një barrë që i detyron pastaj dhe të akumulojnë borxhe që nuk paguhen kurrë. Ndërkohë që kjo do të shoqërohet me mungesën e plotë të inspektimeve. Pra, kompanitë që do hyjnë në këtë marrëveshje nuk do kenë më asnjë inspektim, s’do kenë më asnjë shqetësim të natyrës burokratike.

Nga ana tjetër do të rrisim pagën minimale në 500 euro në janar të 2026-ës, duke vendosur që ta shpallim këtë gjë menjëherë në muajin qershor. Por dua ta them shumë qartë që përjashtohen një kategori e veçantë, që është gjithmonë e më e vogël në numër. Paga minimale është më e lartë në Shqipëri de facto. Këtu në këtë territor për shembull, nuk ka pagë minimale 500 euro.

Ndërkohë që duam që të ecim më tutje më pagën mesatare dhe ta çojmë pagën mesatare nga 830 brenda mandatit të katërt, në 1000 euro në sektorin privat.

Ndërkohë, që sot kemi nevojë të shohim edhe me shumë më tepër optimizëm rritjen e pagave në sektorin publik. Janë rritur, do të rriten dhe më shumë dhe kjo na ka dhënë një fakt në dorë, që duke rritur pagat në sektorin publik kemi tërhequr me vete dhe sektorin privat në këtë proces, por ajo që është më e rëndësishmja dhe që e tha Olta, është kapërcimi nga një epokëm kur krahu i lirë i punës quhej avantazh konkurrues në një epokë tjetër, ku tanimë pagat dinjitoze nuk diskutohen më. Dhe faktikisht kompanitë sot më shumë sesa problemin sa të paguajnë punëtorët, kanë problemin ku i gjejnë punëtorët e kualifikuar. Një tjetër shenjë pozitive është duke u bërë gjithmonë e më e prekshme, edhe këtu tek dera që dolëm ka një numër djemsh dhe vajzash të kthyer rishtas nga Gjermania. Madje një pjesë e tyre, na tha zonja, ishin në punë, ikën, thanë ta provojnë një herë, e provuan dhe u kthyen.

Njerëz të mençur, u kthyen. Besoj se do ketë gjithmonë e më shumë të tillë në vitet në vijim.

E fundit që dua të prek është domosdoshmëria e forcimit të tekstit mbi arsimin profesional. Ne jemi shumë të vetëdijshëm se rritja e kapacitetit të arsimit profesional është një domosdoshmëri për kompanitë, është një domosdoshmëri për ekonominë, është një domosdoshmëri për vajzat dhe djemtë e këtij vendi, që me një formim të mirë profesionaln mund të sigurojnën jo vetëm një punë gjithmonë e më të mirë paguarn por mund t’i japin vetes një perspektivë për të ndërtuar një biznes të vogël që pastaj mund të bëhet dhe një biznes i madh.

Faktet në gjithë vendet që kanë një arsim të zhvilluar profesional thonë se pjesa më e madhe e sipërmarrësve në ato vende vjen nga formimi në arsimin profesional.

Ju falënderoj shumë. Ju kërkoj ndjesë për klimën. Shpresoj që klima e bisedës mos të ishte e ngjashme me klimën e natyrës dhe ju uroj çdo të mirë të gjithëve.

Po iki me keqardhjen që nuk e vura bastin se do kisha fituar, por unë nuk vë baste. Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.