Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Tepelena dhe perlat natyrore që e rrethojnë, do të dalin më në pah dhe do të jenë lehtësisht të aksesueshme, falë infrastrukturës së re, që po rijetëzon  rrugë, mbi të cilat në pjesë të caktuara, nuk ishte vënë dorë që prej viteve të luftës së parë botërore.

Segmenti rrugor prej 14 kilometrash në Salari, për të cilin aktualisht po punohet, do të lidhë me rrugë turistike qytetin poshtë me lartësinë magjepsëse të Nivicës, duke ofruar për turistët një motiv më shumë për të ndaluar në këto zona me bukuri të rralla natyrore. “Këtu po asfaltojmë rrugën Dukaj-Salari që ka qenë pjesë e rrugës kombëtare deri në vitet ‘70 ku u bë rruga për në Memaliaj. Vende-vende është akoma me gjurmën e rrugës që kanë hapur italianët që në luftën e parë botërore dhe s’ishte parë asnjëherë një asfaltim tamam për të qenë një rrugë e denjë kombëtare apo rajonale siç është aty. Kështu që e gjitha kjo shkon deri në Sinanaj, duke krijuar lehtësi në komunikimin me Tepelenën. Është segmeti i fundit që ka mbetur për gjithë krahinën e Tepelenës pa u aksesuar.” – shprehet deputeti i zonës, njëherazi  Ministër i Brendshëm Bledi Çuçi, gjatë inspektimit që Kryeministri Rama zhvilloi në terrenin ku po punohet.

“Është  një investim i shumëpritur për banorët e zonës, – pohon kryetari i Bashkisë së Tepelenës Tërmet Peçi, – i cili shton se “rruga është bërë që në 1920 nga italianët dhe për herë të parë të parë sot bëhen 14, 5 kilometra rrugë dhe lidhet e gjithë krahina e Lopësit dhe jo vetëm kjo krahinë,  por lidhet e gjithë zona e Vlorës. Këtu jemi në udhëkryq. Lidhemi me Vlorën për 13 kilometra, lidhemi pastaj po prapë me Borshin këtej, duke shkuar tani me investimin e përfunduar që është  nga Dukaj deri këtu ku jemi 4 kilometra dhe shkojmë më pas në Salari. Pas Salarisë kemi dhe një superinvestim prej 10 kilometrash nga Salaria në fshatin Nivicë që do të thotë është një lidhje e gjithë anës së Labërisë mbi lumin Vjosë që bashkon Vlorën, Himarën Gjirokastrën.” – shpjegon Kryebashkiaku Peçi.

Ndërsa inspektoi punimet dhe u njoh me projektin, Kryeministri theksoi se Tepelena është kthyer tani në epiqendrën e një harte turistike ku përfshihet Gjirokastra, Vlora dhe Himara. Faktikisht sot, ti dhe tepelanasit e dinë, të tjerët do ta mësojnë pak nga pak, do ta mësojnë mirë tre, katër vitet e ardhshme kur e gjithë kjo infrastrukturë të jetë e sistemuar, që Tepelena nga një xhep fallco, – sepse u la tamam si një xhep fallco, që të gjithë i kalonin anash dhe nuk kalonte njeri aty, përveç njerëzve që iknin masivisht prej andej ose që ktheheshin për të parë ndonjë të afërm ose për të kaluar ndonjë moment në vendin e të kaluarës së tyre, me një aset fantastik kombëtar që ishte kalaja e mbuluar nga ferrat dhe e pushtuar nga ndërtimet abuzive dhe pisllëku, – është kthyer tani realisht në epiqendrën e një harte turistike, ku përfshihet Gjirokastra Vlora dhe Himara. Dmth, tani oferta turistike e integruar bën që e gjithë kjo mrekulli e madhe që ishte komplet jashtë syve të njerëzve  dhe ishte kthyer në mallkim për ata që jetonin këtu sepse s’kishin asgjë dhe ishin të braktisur kthehet tamam në një park natyror tematik dhe turistik ku me stacione të ndryshme, ti ke mundësi të admirosh natyrën, të admirosh traditën, dhe mikpritjen.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.