Kryeministri Edi Rama ka marrë sot një telefonatë nga Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson. Sekretari Tillerson e ka uruar Kryeministrin për fitoren kuptimplotë në zgjedhje. Ai ka shprehur bindjen se mandati i fortë që ka marrë për të qeverisur e vetme e obligon Partinë Socialiste të thellojë shpejtësinë e reformave, të pastrojë administratën nga të korruptuarit dhe të shënojë rezultate domethënëse në luftën kundër krimit.
Duke i shprehur Kryeministrit të gjithë mbështetjen e qeverisë amerikane në mandatin e ri qeverisës, Sekretari i Shtetit i ka përcjellë Edi Ramës përshtypjet shumë pozitive të Zëvendëspresidentit Pence nga takimi i javës së shkuar në Malin e Zi dhe ka rikonfirmuar vullnetin amerikan për një vëmendje të përqendruar në zhvillimet në rajon.
Kryeministri Rama e ka falenderuar bashkëbiseduesin për telefonatën dhe i ka bërë një pasqyrë të plotë të situatës rajonale nga këndvështrimi i vendit tonë, duke u përqendruar kryesisht tek dialogu Kosovë – Serbi dhe nevoja për zhbllokimin e ngërçit të emrit të Maqedonisë.
Në pjesën e fundit biseda është shtrirë tek roli i Shqipërisë në NATO, kontributi i saj në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, ku Sekretari Tillerson është shprehur me konsideratat më të larta. Ndërsa Kryeministri Rama ka kërkuar intensifikimin e bashkëpunimit me SHBA në sektorin e energjisë dhe posaçërisht të naftës e të gazit, çka është pritur me shumë interes nga bashkëbiseduesi.
Biseda telefonike mes të dyve ka zgjatur më shumë se njëzetë minuta.