Fjala e Kryeministrit Edi Rama në aktivitetin në portin e Jahteve në Vlorë, për masat për mbarëvajtjen e sezonit të ri turistik:
Vetëm pak muaj më parë, gazeta e mirënjohur britanike The Guardian e renditi Shqipërinë ndërmjet 20 vendeve ku mund të zhvillohet turizmi.
“Ylli i Shqipërisë është në rritje, me më shumë udhëtarë që çdo vit dëshirojnë të eksplorojnë thesaret e saj, Alpet në veri dhe plazhet e bukura, të bardha, të Jugut,” – thoshte The Guardian.
E vërteta është që rritja e pranisë së Shqipërisë në gazeta, revista, faqe online nëpër botë që kanë folur për turizmin është një rritje shumë e ndjeshme, krahasuar me vitin e shkuar, por nuk është befasuese, të paktën jo për ne, sepse jemi shumë të qartë për çfarë kemi synuar të arrijmë në të gjithë këtë proces transformimesh, ku Programi Kombëtar i Rilindjes Urbane ka qenë instrumenti kryesor, ashtu sikundër e kemi shumë të qartë se ku synojmë të arrijmë.
Unë kam bindjen që, nëse vjet arritëm të kapërcejmë shifrën e 5 milionë turistëve të huaj dhe sivjet, në rastin më minimal do të kemi 15% më shumë sesa vjet, nuk ka diskutim që objektivi për të arritur 10 milionë turistë në Shqipëri në harkun e 5 viteve të ardhshme është plotësisht i mundur.
Është plotësisht i mundur, sepse potencialet e zhvillimit turistik të vendit janë ende larg së qeni të shfrytëzuara plotësisht.
Është plotësisht e mundur, sepse Shqipëria është çdo vit e më shumë një destinacion që zbulohet përpara shumë njerëzve nëpër Europë, por edhe përtej Europës, si një destinacion i dëshiruar.
Është plotësisht e mundur, sepse shikojmë që fluksi i kërkesave për të investuar në turizëm, qoftë kërkesa të brendshme, qoftë kërkesa që vijnë nga jashtë Shqipërisë, është në një rritje shumë të ndjeshme.
Patjetër që nuk e zgjodhëm kot Vlorën, për të bërë këtë paraqitje të përgatitjeve për sezonin turistik, sepse Vlora është një nga polet më të rëndësishme të turizmit dhe sot është, besoj, meritë dhe emblema e ndryshimit që ka prekur të gjithë zonat turistike të vendit dhe që ku më shumë dhe ku më pak, hap pas hapi po thellohet vit pas viti.
Sot, ne e dimë që Vlora është ende një kantier, është një proces transformimi në vazhdim. Mjafton të kemi parasysh që i gjithë bulevardi “Ismail Qemali” është sot në një rindërtim rrënjësor nga Vlora në Skelë dhe jam i bindur që vitin e ardhshëm do t’i japi qytetit një fuqi të re tërheqëse, duke u pasuruar me të gjithë elementët që sjell projekti i ri, edhe me parkun që shtrihet deri te shkallët e Varrezave të Dëshmorëve. Ndërkohë që në të gjithë gjatësinë e Bulevardit përmasa e gjelbër do të disafishohet në krahasim me atë që ishte.
Së shpejti nis faza tjetër e Lungomares, që është pjesa në vazhdim nga krahu jugor dhe që po ashtu sjell një përmirësim të ndjeshëm të situatës në krahun jugor, ku ka ende shumë gjëra që prej vitesh qëndrojnë aty, por që do duhet të pastrohen dhe e gjithë hapësira të transformohet.
Qendra historike ka një projekt të veçantë rijetëzimi dhe shndërrimi në një vlerë të shtuar për paketën turistike të Vlorës si një destinacion. Brenda të gjithë zonës së qendrës turistike ka plot gjëra që do të ndodhin, duke përfshirë të gjithë transformimin e rrjetit inxhinierik dhe rrjetit të ujësjellësit që aty është tërësisht i amortizuar.
Lajmi i mirë është që pas të gjithë konvulsioneve të padurimit në ndërtimin e Lungomares nuk ka më ankesa për këto bllokimet e tjera, sidomos për bllokimin e Bulevardit, që tregon se tanimë është fituar plotësisht edhe besimi i qytetarëve që, nëse ndodh një bllokim, apo një vështirësim i përkohshëm i situatës së lëvizjes, kjo bëhet për arsye tërësisht legjitime.
Më tutje do të vijojmë projektet e reja që nisin hap pas hapi, që nga vazhdimi i domosdoshëm i aksit që mbaron me Lungomaren në atë anë, por që duhet të sjellë një transformim rrënjësor në pjesën e Radhimës drejt Orikumit. Faktikisht është tërësisht e papranueshme situata në të gjithë atë aks për nga pikëpamja e ambicies tonë për të pasur një turizëm të një niveli komplet tjetër nga ai që kemi pasur deri pak kohë më parë, në të shkuarën. Pastaj rruga Orikum-LLogara, bashkë me projektin e tunelit të Llogarasë që është një domosdoshmëri strategjike për të përshpejtuar lidhjen me pjesën tjetër, ku po ndodhin po ashtu transformime të rëndësishme.
Kush do shkojë këtë vit për të pushuar në Jal apo Dhërmi do shohë që është një vend tjetër për shkak të ndërhyrjeve që kemi bërë për të transformuar të gjithë hapësirën e përbashkët, aty ku deri dje kishte rrugë të degraduara plotësisht dhe situata kaosi nga ngatërrimi i makinave me njerëzit, qoftë në rrugën përgjatë plazhit të Dhërmiut, qoftë në rrugën përballë plazhit të Jalës.
Po në muajt në vijim do të filloje puna edhe për dy lotet e tjera të lumit të Vlorës, që është një vepër shumë e rëndësishme për të fuqizuar krahun e brendshëm të të gjithë zonës, ku jemi të bindur që do të shikojmë një zhvillim intensiv, hap as hapi, të agroturizmit, sepse është një zonë me potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e agroturizmit.
Jemi duke diskutuar dhe negociuar kontratën për aeroportin e Vlorës, që besoj se do të nisë nga puna së shpejti. Një investim i konsiderueshëm, me një vlerë të konsiderueshme, por, mbi të gjitha, përtej vlerës financiare të financimit, bëhet fjalë për një portë të re hyrëse dhe dalëse të Shqipërisë. Një aeroport tërësisht konkurrues me aeroportin e Rinasit, që do të krijojë lehtësira të jashtëzakonshme për të gjithë udhëtarët e të gjithë zonës së Jugut, si dhe për turistët që do duan të vijnë në këtë zonë. Kam bindjen që ne do ta realizojmë aeroportin në një kohë më të shpejtë sesa çfarë parashikohet dhe uroj që të dalë siç unë kam bindjen dhe praktikisht, ne ta kemi të hapur aeroportin deri në pak përpara përfundimit të vitit 2020.
Në programin e “100 Fshatra”- ve, që është një program i veçante i hartuar në bashkëpunim mes disa ministrive, ka një sërë fshatrash që janë në këtë zonë. Unë do veçoja faktin që ndërkohë, qoftë Dhërmiu, qoftë Vunoi janë në transformim të konsiderueshëm. Jam i bindur që shumë shpejt do shikojmë që do kthehen në pika turistike të natyrshme, pasi të gjitha shtëpitë që po shpëtohen dhe po rindërtohen dhe do t’u mbeten po pronarëve, do të jenë të gatshme që me pak shpenzime të vihen në dispozicion për turistët, duke e fuqizuar shumë forcën tërheqëse drejt të gjithë kësaj zone.
Për pak ditë, ne do të kalojmë në Këshillin e Ministrave dhe vendimin për reduktimin e TVSH në 6% për agroturizmin, si dhe vendosjen e një tatim-fitimi në vetëm 5%. Ashtu sikundër do kalojmë edhe vendimin për një ulje të ndjeshme të taksave për të gjithë pjesën e biznesit nga 80-140 milionë lekë xhiro, që do të thotë që 92% e biznesit në Shqipëri do të ketë taksë 0 ose 5%. Pastaj le të vinë e të na thonë që ne rrisim taksat.
Por të gjitha këto janë çka i takon kësaj zone dhe unë nuk mund të flisja këtu në përgjithësi, pa u fokusuar tek ato që i takojnë kësaj zone.
Ndërkohe që arsyeja pse jemi këtu, sot, ka të bëjë me nevojën për të ndarë me publikun, planin e përgatitur prej 6 muajsh nga të gjithë sëbashku, me ndërveprimin e të gjitha ministrive, për të garantuar në sezon që të jetë i pastër, i sigurt dhe që të ketë argëtim më shumë se çdo herë tjetër.
Ne kemi synuar që sezoni turistik të mos jetë thjesht një periudhë qëndrimi e familjeve më fëmijë midis dhomës në hotel, plazhit dhe restorantit, por të jetë një sezon i pasuruar me destinacione të ndryshme, që janë në dispozicion të familjeve përgjatë gjithë vijës bregdetare dhe jo vetëm desitnacionet klasike të kurioziteteve që lidhen me trashëgiminë kulturore, apo me pika të ndryshme të bukurive të rralla natyrore, por edhe me festa tradicionale të fshatrave në zonat rreth e rrotull. Përveç kësaj, edhe me të tjera aktivitete kulturore – artistike. Janë rreth 500 aktivitete që do të zhvillohen në funksion të gjithë këtij organizimi që kemi bërë, të natyrave të ndryshme, përgjatë gjithë vijës bregdetare. Ideja ka qenë që përgjatë çdo cikli pushuesish të ketë aktivitete dhe festa tradicionale që do të bëjnë të mundur për shumë vizitorë, vendas, por edhe për turistët e huaj që të njihen me pjesë të caktuara të jetës sonë dhe të traditës sonë, që përbëjnë një arsye për t’u rikthyer, përveçse të lënë një shije shumë të mirë kur largohesh.
Është prova e parë, kjo gjë nuk është bërë ndonjëherë më parë. Sigurisht që do të ketë shumë për të mësuar nga ky sezon, por unë kam bindjen që do jetë një sezon shumë më i pasur dhe shumë më mbresëlënës në këtë aspekt, por jo vetëm në këtë aspekt.
Edhe në aspektin e ndihmës shëndetësore kemi punuar gjatë gjithë kësaj periudhe, qysh sa kemi nisur mandatin qeverisës, për të garantuar që të gjithë qendrat shëndetësore në vijën bregdetare të jenë të transformuara dhe të jenë me standardet e nevojshme për të garantuar një kontakt dinjitoze, deri dje të munguar, mes të gjithë atyre që do kenë nevojë për ndihmën shëndetësor edhe sistemit tonë të shërbimit. Pa llogaritur këtu, gjithë sistemin e shërbimit tanimë të konsoliduar, që është faktikisht 24 orë në 7 ditë të javës me qendrat e lëvizshme.
Por nuk mjafton. E rëndësishme është edhe qetësia dhe siguria. Qetësia në raport me zhurmat. Zhurmat janë një sfidë e trashëguar e shumë viteve. Për këtë arsye, në bashkëpunim me bashkitë do të bëjmë shumë të qartë oraret dhe të gjitha komisariatet e policisë do të kenë detyrën që të garantojnë zbatimin e rregullit njësoj për të gjithë, sipas zonave dhe sipas orëve që do të caktohen. Sfida është që t’i japim fund historisë së tronditjes së vazhdueshme të mureve dhe të shtretërve për të gjithë ata që kanë nevojë dhe të drejtën të pushojnë qetësisht, ndërkohë që të tjerë zhurmojnë përtej çdo lloj caku.
Në këtë aspekt do duhet që të kemi një koordinim shumë të mirë, por do duhet që të kemi edhe një mbështetje nga bashkitë, edhe nga qytetarët që pa hezitim duhet të bashkëpunojnë me policinë, për të garantuar nga njëra anë që për çdo rast të merren masa dhe nga ana tjetër që të gjithë ata shefa komisariatesh dhe të gjithë ata policë të korruptuar, që janë mësuar gjatë gjithë kohës në këto raste të fusin lekë në xhep për të lejuar zhurma, të mos munden ta bëjnë dot këtë gjë. Kjo është pjesa që ka rëndësinë e vetë.
Problemi i deridjeshëm i mjeteve të lundrueshme të rrezikshme, që janë legjitime për përdoruesit, por që nuk mundet të qarkullojnë kudo dhe pa asnjë kontroll, do të adresohet me zona të caktuara dhe kushdo që do të shkelë kufijtë e këtyre zonave, do të humbasë mjetin lundrues. Pavarësisht se strukturat tona nuk janë ende të gatshme, nga pikëpamja e mjeteve lundruese, për të shkuar pas këtyre aventurierëve të detit, aventurierët e detit do kthehen në tokë, nuk do rrinë në det gjithë kohës dhe aty duhet të kuptojnë që mund të humbasin mjetin. Ideja se mund të rrezikohen jetë njerëzish, apo se mund të plagosen njerëz të pafajshëm për shkak të aventurave në det me mjete lundruese, është një ide e papranueshme dhe për këtë, ne kemi marrë masat përkatëse.
Ashtu sikundër janë marrë masat përkatëse për të vendosur shërbimet e policisë në dispozicion të pushuesve, me forca të shtuara, në mënyrë që të ketë sa më shumë qetësi, sa më shumë siguri dhe sa më shumë gatishmëri për t’u ardhur në ndihmë të gjithë atyre që do të jenë me miliona gjatë gjithë kësaj periudhe.
Kemi punuar edhe për të pasur një plan relaksimi përsa i përket hyrjeve dhe daljeve në Shqipëri. Sigurisht kjo lidhet me domosdoshmërinë për të zbatuar të gjitha normat dhe standardet e sigurisë së kufijve.
Ndërkohë që tema kryesore në fund, pasi gjithë këto të tjerat janë të një rëndësie të jashtëzakonshme, është pastërtia. Gjithë përpjekja e bërë si asnjëherë më parë, 6 muaj me radhë, për të pastruar mbetje me vargmale nëpër plazhet e Shqipërisë, është një përpjekje e pamjaftueshme, sepse, nga ana tjetër, kontributi i qytetarëve dhe kontributi i bizneseve, jo për të pastruar, por për të mos bërë pis, është ende shumë i mangët.
Ne kemi angazhuar 1000 vajza dhe djem që do të kenë gjatë gjithë sezonit detyrën që të asistojnë turistët, që të sensibilizojnë lidhur me pastërtinë dhe që të bëjnë me dije për rastet flagrante të ndotjes. Në bashkëpunim me pushtetin vendo do të bëjmë çmos që t’i adresojmë këto raste flagrante dhe do të jemi të detyruar të marrim masa për të gjithë ndotësit. Thirrja ime është për, në radhë të parë, të gjithë operatorët e hoteleve që të jenë pjesëmarrës në këtë përpjekje, që të nderojmë këtë vend, shtëpinë tonë të përbashkët dhe jo ta turpërojmë duke e ekspozuar përpara të tjerëve si një mjedis të papastër dhe që njëkohësisht të jemi të gjithë sëbashku, të një mendjeje, që duhet të bëjmë çmos që t’i pengojmë dhe t’i penalizojmë ndotësit.
Megjithëse ne e kemi përforcuar sistemin e pastrimit, kemi bëre shumë për t’i dhënë më shumë mbështetje bashkive, nuk është e mundur që të përballohet as nga Flota e 6-të Amerikane, që u shfaq njëherë përpara brigjeve të Vlorës, çështje e pastërtisë, nëse të gjithë hedhin mbeturinat përtokë, nëse secili nuk bëhet patriot në këtë pikën e parë fare, mos bëj pis shtëpinë tënde të përbashkët me të tjerët, që është atdheu yt. Është e pamundur. Rastet që kanë ekspozuar edhe mediat kanë qenë të përsëritura, kur pas një operacioni pastrimi me qindra të rinj, brenda tre ditësh është rikthyer prapë kodra me plehra. Kjo është e papranueshme.
Sidoqoftë është një betejë që nuk do fitohet njëherë e mirë në një sezon turistik, por është një betejë që ne do ta çojmë deri në fund, përgjatë sezonit turistik dhe kudo ku ne kemi infrastrukturën e mikpritjes së njerëzve. Të gjithë njerëzit që vijën për të pushuar në bregdetin shqiptar, apo që qëndrojnë në Shqipëri për të pushuar në bregdetin shqiptar, meritojnë të respektohen me mirëpritje. Ndërkohë shqiptarët duhet të jenë të vetëdijshëm se janë pjesë e kësaj përgjegjësie të përbashkët, për të mos lejuar që në sytë e të tjerëve të dukemi si një popull pisanjos. Është e pamundur që ne të vazhdojmë kështu.
Kemi bërë një punë të jashtëzakonshme për të ndërtuar këtë plan. Jam i bindur që në të gjitha drejtim, gjërat do të jenë shumë më mirë sesa ishin vjet apo në të shkuarën. Ashtu sikundër jam i bindur që çdo drejtim do të çalojë dhe do kemi shumë gjëra për të mësuar që t’i bëjmë më mirë vitin e ardhshëm. Po ashtu jam i bindur që, nëse ne u bëmë shkaku që të ndërtohet i gjithë kalendari i festave tradicionale të mikpritjes në zona të ndryshme, vitin e ardhshëm do të kemi patjetër komunitete, do të kemi fshatra, do të kemi njerëz të angazhuar që do të na kërkojnë që të bashkëpunojmë për të zgjeruar këtë gamë festash, sepse festat janë edhe ekonomi. Festat tradicionale në zonat rurale pranë bregdetit janë ekonomi për atë zonë, pasi ata që do të vijnë aty do të konsumojnë dhe nuk do të konsumojnë falas. Do të konsumojnë duke blerë produktet e krijuara me atë rast.
Jam gjithashtu shumë i bindur që, nëse edhe mediat do të japin edhe ato ndihmesën e tyre, duke nxjerrë në pah jo vetëm aspektet negative, – se atë e dinë shumë mirë ta bëjnë dhe e bëjnë me një zell që kalon çdo lloj pritshmërie, – por edhe aspektet pozitive dhe ndër to, kryesorin, pozitivitetin në raport me pastërtinë, aty ku ajo është, për ta promovuar atë, do të ishte një ndihmesë e mirëpritur, edhe pse, me thënë të drejtën, shpresa në këtë aspekt është fare e zbehtë.
Shumë faleminderit për prezencën tuaj dhe i uroj në këtë rast, kryetarit të Bashkisë dhe vlonjatëve një sezon të suksesshëm. Nuk e diskutoj që do jetë i suksesshëm dhe nuk e diskutoj që mbas këtij sezoni, do kenë shumë më tepër nëpër xhepa, sesa kishin përpara sezonit, por patjetër që do të ankohen edhe më shumë, sesa kur sezoni po niste.
Faleminderit!