Fjala e kryeministrit Rama në prezantimin publik të masave të qeverisë për çeljen dhe mbarëvajtjen e sezonit turistik:
Përshëndetje të gjithëve!
Jam i surprizuar dhe i kënaqur nga paraqitja shumë modeste, që ministrat e përfshirë në këtë plan të madh që vihet në lëvizje për herë të parë, i bënë planit, çka unë e lexoj si një përgjegjshmëri të lartë dhe si një vetëdije të jashtëzakonshme, të vënies në jetë të këtij plani transformues dhe për fokusimin e secilit prej ministrave tek realizimi me sukses të këtij plani.
Edhe unë nuk do të kaloj në tonet tradicionale të festës. Nuk besoj se ka ndonjë gjë për të festuar për Qeverinë dhe Kryeministrin kur fillon sezoni turistik, siç tradita, fatkeqësisht, ka qenë. As nuk do të premtoj çudira, siç nuk premtuan çudira ministrat parafolës, sepse edhe kjo do të ndryshojë.
Sa herë fillon vapa Qeveria është bërë zakon të shfaqet për të premtuar çudira dhe për të folur për mrekullira, që do të ndodhin në sezonin turistik. Për ne, ky sezon fillon si një sfidë e parë, lidhur me një qasje të re dhe një cilësi të re të turizmit në vend. Nuk është aspak meritë deri më sot, e asnjë qeverie që turizmi në Shqipëri, pavarësisht të gjitha pengesave që i ka krijuar njeriu, funksion falë gjithë bujarisë që ka pasur Zoti me këtë vend të bekuar që i ka absolutisht të gjitha ato që i duhen për të qenë një histori suksesi në fushën e turizmit.
Ne kemi nisur në fakt punën kohë më parë, që në dimër, me pastrimin dhe me çlirimin e gjithë territoreve ku pritet të vijnë turistët, nga plehrat. Dua t’i shpreh falenderimin dhe mirënjohjen ministres së Mbrojtjes që e ka drejtuar vetë këtë operacion, pa zhurmë, por sistematik, që është zhvilluar në çdo pikë kufitare dhe në çdo segment plazhi të Shqipërisë.
Është vendi këtu për të falenderuar drejtorin e Agjencisë së sapokrijuar të Bregdetit Auron Taren, që po ashtu me pasionin e tij proverbial, ka luajtur dhe po luan një rol shumë të rëndësishëm. Besoj se pastrimi dhe pastërtia do të jenë fjala kyçe e këtij sezoni të parë, ku sigurisht koha që kemi pasur në dispozicion, shumë e shkurtër nuk na lejon të bëjmë shumë më tepër se sa kaq. Por unë besoj se nëse do ta bëjmë me sukses kaq, është shumë e vërtetë të kemi më në fund plazhe të pastra; të kemi më në fund rrugë nacionale të pastra; të kemi më në fund një fillim të ri, në raportin mes turistit dhe çdo lloj konsumatori të natyrës dhe mes plazhit e natyrës.
Për këtë është bërë një plan shumë i detajuar civil dhe ushtarak, siç e cilësoi dhe ministrja, por një plan mirëfilli ushtarak, në kuptimin e përpikërisë të ndarjes së forcave në të gjithë hartën turistike të Shqipërisë dhe të detyrave për çdo forcë. Kur flas për forca, nuk flas vetëm për forca të armatosura, por flas për forca që do t’i bashkëngjiten non stop këtij operacioni. Ky do të jetë një aksion pastrimi, por do të jetë dhe një aksion ndërgjegjësimi.
Sot Forcat e Armatosura janë tërësisht të justifikuara dhe plotësisht të respektuara të marrin pjesë në një operacion të kësaj natyre, sepse emergjenca e plehrave në Shqipëri, nuk është aspak më e vogël se sa emergjenca e përmbytjeve apo emergjenca e tërmeteve, pavarësisht se për fat të keq kemi pasur për vite të tëra një Qeveri që jo vetëm nuk i bënin përshtypje plehrat, por është ndjerë më mirë mes plehrave. Objektivi i këtij operacioni është të përcjellë mesazhin shumë të qartë që Ushtria nuk duhet të jetë aty çdo vit për t’u kthyer në një ndërmarrje kombëtare pastrimi. Ushtria do të jetë aty këtë vit për të dhënë një mesazh shumë të qartë se të gjithë së bashku, jo vetëm mund t’i mbajmë plazhet të pastër, por mund ta bëjmë pastërtinë në zonat tona turistike, një nga asetet më të çmuara në përpjekjen për të bërë histori suksesi.
Nuk është aspak e vështirë të kuptosh se çfarë dëmi i bën papastërtia ekonomisë sonë dhe çfarë pasojash sjellin plehrat për turizmin tonë. Mjafton të shkosh të bësh një lundrim shumë të përciptë në internet për të lexuar artikuj pas artikujsh se ajo çfarë mbetet është prania e plehrave pranë turistëve, si një impresion fatkeq, të një vendi kaq mrekullisht të pikturuar nga Zoti, apo nga natyra, për ata që s’besojnë në Zot.
Një tjetër hap i parë është ai për t’i dhënë fund zaptimit të plazheve në një bashkëpunim të patolerueshëm më mes kryetarëve të njësive vendore dhe personave apo subjekteve që marrin me qera plazhe dhe bëjnë prej vitesh të mos ketë asnjë metër plazh publik në Shqipëri.
Kjo do të marrë fund!
Ne kemi marrë një vendim qeverie, bazuar në eksperiencën më të mirë të Mesdheut. Do të ndajmë qartësisht territoret dhe përgjegjësitë. Nuk do të ketë asnjë plazh ku 100 % ligjin do ta bëjë privati. Privati do të marrë me një kontratë me pushtetin vendor të drejtën për ta shfrytëzuar një pjesë të kuadratit që do të mirëmbajë, pra do të pastrojë edhe pjesën ku do të vërë shezllone dhe çadra, edhe pjesën ku nuk do të ketë shezllone dhe çadra. Ndërkohë që historia që për një shqiptar që të shkelë rërë dhe të prekë det, duhet të paguajë lekë, do marrë fund me patjetër.
E di që do të kemi vështirësi. E di që jo çdo gjë do të shkojë vaj. E di që mbase do të na duhet të kemi dhe konflikte me pushtetin vendor që e kanë trajtuar territorin e plazhit në mënyrën më të patolerushme, por ne nuk do të tolerojmë asnjë. Plazhet janë të popullit shqiptar dhe janë të çdo shqiptari në radhë të parë pa detyrimin për të paguar para që të shkojë nëpërmjet plazhit dhe të futet në det. Pastaj për pjesën e administrimit dhe të administrimit në funksion të pastrimit, sigurisht, vlen bashkëpunimi mes pushtetit vendor dhe subjektit privat. Por, ka dhe një element tjetër shumë të rëndësishëm që unë do të doja që të gjithë njësitë e pushteti vendor që kanë të bëjnë më administrim plazhesh, ta mbajnë fort mirë parasysh për të mos pasur konflikte të natyrës ligjore që mund të përfundojnë deri në prokurori; E drejta e administrimit të plazhit i takon në radhë të parë atij që ka plazh përpara investimit që ka bërë vetë. Pra, i pari që duhet pyetur është personi apo subjekti që ka plazhin para hotelit, apo përpara resortit. Në rast se nuk e dëshiron ta marrë ai me qera, atëherë të tjerë mund ta marrin. Sepse këtu do të mbarojë historia tjetër, që vjen një zaptues në bashkëpunim me kryetarin e komunës, merr me qera gjithë territorin dhe mbyll daljet në plazh të atyre që pushojnë tek hoteli përkatës. Ashtu sikundër imponon standarde krejtësisht të papranueshme muzikore deri në orët e para të mëngjesit për pushues, që nuk kanë ardhur në hotel për të kërcyer gjatë natës. Kjo ka qenë një kërkesë insistuese në vazhdim. Një kërkesë insistuese në vazhdim e shumë qytetarëve dhe shumë turistëve. Asnjëherë nuk është marrë parasysh. Këtë vit ne e kemi marrë parasysh. Unë do të kërkoja maksimumin e ndershmërisë nga çdo i zgjedhur vendor në këtë aspekt.
Çdo subjekt apo person fizik që ka bërë një investim me pamje nga rëra, ka të drejtën të pyetet në se do të marrë në menaxhim pjesën e rërës përballë investimit të tij. E vetëm nëse ai apo subjekti në fjalë refuzon, atëherë kjo mund t’i jepet dikujt tjetër me të gjithë kriteret që ne kemi përcaktuar në planin tonë.
Nga ana tjetër jam shumë mirënjohës edhe për punën jashtëzakonisht të detajuar, që këtu u paraqit shumë pak, që ka bërë Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit, për të krijuar standarde tërësisht të reja shërbimi dhe sigurie, në këtë sezon turistik. Jemi të vetëdijshëm, statistikat në vite flasin për rritje të numrit të krimeve në periudhën korrik- gusht, edhe si rezultat i fluksit shumë të madh të njerëzve që hyjnë, edhe si rezultat i fluksit shumë të madh të emigrantëve që kthehen dhe disa syresh, fatkeqësisht, kthehen edhe me konfliktet e mbartura, që përfundojnë me pasoja fatale.
Por edhe më e rëndësishme se kjo është pamja tërësore e sigurisë, në gjithë periudhën e sezonit turistik dhe marrëdhënia e re që ne synojmë të krijohet midis Policisë së Shtetit dhe vizitorëve, turistëve e qytetarëve që kalojnë pushimet në bregdetin tonë. Është bërë një punë e plotë, që nga uniformat e reja të Policisë së Shtetit, që do të shërbejë në territoret e plazheve dhe deri tek gjithë detyrat e posaçme e angazhimet e posaçme që lidhen nga pikat kufitare dhe përgjatë gjithë orëve të natës. Sigurisht, njësoj si me pastrimin, edhe këtu, ana tjetër e medaljes është ndërgjegjësimi, ndërgjegjësimi, ndërgjegjësimi. Rritja e vetëdijes së qytetarëve për t’u bërë pjesë e një historie suksesi turistik për Shqipërinë.
Me Ministrin e Brendshëm, ndërkohë jemi duke përfunduar edhe atë pjesë shumë problematike, që ka të bëjë me përfshirjen e ndërtimeve pa leje, e ndërtimeve kuturu dhe e gjithë llojeve të krimeve mjedisore, që janë krime që cenojnë drejtpërdrejtë Shqipërinë turistike, nën ombrellën e detyrave të Policisë së Shtetit. Historia e një grushti inspektorësh të ndërtimeve, që vrapojnë sa andej-këndej nëpër Shqipëri, ndërkohë që qindra mijëra grushte ngrihen për të goditur ligjin dhe për të krijuar hapësirë për ndërtime pa leje dhe për abuzime me territorin, duhet të marrë fund një herë e mirë.
Ndërtimi pa leje do të konsiderohet, siç është në fakt, vepër penale. Edhe çdo krim mjedisor, prerje pyjesh, dëmtim rrugësh, gjithfarë goditje që i bëhet këtu pasurisë më të madhe që kemi ne, që është natyra dhe që është territori ynë, do të jetë pjesë e punës së përditshme të Policisë së Shtetit. Njësoj si gjithë pjesa tjetër e punës dhe nuk do jetë më një çështje e një inspektorati fillikat, që bredh nëpër Shqipëri si një çetë që nuk mund dot kurrë ta përballojë fluksin e madh dhe nga ana tjetër, ne nuk mund ta përballojmë dot këtë fluks të madh paligjshmërie, duke rritur numrin e inspektorëve, se do të na duheshin rreth 100 mijë inspektorë ndërtimi në Shqipëri.
Po ashtu, pjesa tjetër ka të bëjë me atë çka është bërë gjatë gjithë kësaj periudhe, nën kujdesin e drejtpërdrejtë të Ministrit të Transporteve, në kushte shumë, shumë të vështira. Në kushte shumë të vështira, sepse ju e dini të gjithë, qytetarët e dinë, por unë nuk mund të rri pa e përsëritur sa herë që më jepet mundësia, se e kemi pasur të pamundur që të vëmë në lëvizje një sasi të tillë fondesh, që do të mbushnin të gjithë gropën e lënë pas nga qeveria paraardhëse, për të kompletuar rrugët e pambaruara. Fjala vjen, fatkeqësisht do të jetë e pamundur të kompletohet rruga e Pogradecit, që është një rrugë shumë e rëndësishme për sezonin turistik, ashtu sikundër dhe plot akse të tjera që do t’i mbeten, unë shpresoj shumë, sezonit tjetër.
Por, ndërkohë, e para, është bërë një punë shumë profesionale, për t’i vendosur këto rrugë në standarde të reja dhe këtë, qytetarët do ta shikojnë që me rrugët hyrëse e dalëse në Tiranë, qoftë nga Elbasani, qoftë drejt Durrësit.
E dyta, është bërë një punë, që tani do fillojë të realizohet, për sinjalistikën rrugore. Një sinjalistikë tërësisht e re, moderne dhe që i përgjigjet ambicieve të një vendi që kërkon të bëjë turizëm dhe që kërkon turistë, në rrugët e veta.
Jemi shumë të vendosur që historinë e filluar me gjirin e Vlorës ta shtrijmë në gjithë territorin dhe nuk do të ndalemi përgjatë gjithë vijës bregdetare, qoftë me prishjet, qoftë me ristrukturimet dhe rikualifikimet urbane. Sigurisht, kjo tanimë i takon periudhës së pas sezonit. Por sezonin e ardhshëm, me patjetër do të kemi risi shumë spektakolare që nga Velipoja deri në Himarë, duke kaluar përmes Durrësit, ku së shpejti do të fillojë rikualifikimi i gjithë rrugës së plazhit, bashkë me rotondat hyrëse dhe dalëse. Duke vazhduar me Divjakën ku do të ndërtojmë edhe aty, një rrugë të re, tërësisht për këmbësorët. Vlora pa dyshim. Në Qeparo do të fillojmë së shpejti një ndërhyrje rikualifikuese të plotë, për të gjithë atë fshat turistik që do të shërbejë edhe si model edhe për fshatrat e tjerë të Jonit e kështu me radhë.
E duke e mbyllur, për të mos ju marrë më shumë kohë, dua edhe një herë t’i kthehen pikërisht asaj që thashë në fillim; Na duhet me patjetër të fitojmë sfidën e një vendi turistik mesdhetar europian, i cili në radhën më të parë nuk mund të jetë një vend që bashkëjeton me plehrat dhe nuk mund të jetë një vend që ofron hotele dhe pirgje plehrash sa del nga hoteli. As dhe një vend ku banja e diellit konsiderohet edhe si një moment kur hidhen çfarë ke në dorë në rërë.
Kjo është sfida jonë e parë. Duhet t’i kthejmë plazheve pastërtinë dhe paprekshmërinë nga plehrat dhe nga mbeturinat. Sigurisht, për këtë duhet bashkëpunim, sepse sikur gjithë NATO të vijë këtu, me të gjitha forcat e ka të pamundur ta mbajë gjithë vijën bregdetare të pastër, në rast se çdo njeri, çfarë ka në dorë e hedh në rërë. Për këtë, Ministria e Turizmit, – e falenderoj nga zemra ministren -, ka ndërtuar një pjesë shumë të rëndësishme të të gjithë këtij operacioni që ka të bëjë me sensibilizimin dhe trupat që do të jenë të angazhuara në territor për pastrimin, do të jenë të angazhuara dhe për sensibilizimin.
Është një plan i plotë. Unë jam shpresëplotë se nga ky sezon, ne do të mund të bëjmë një bilanc pozitiv. Edhe pse jam i bindur edhe do të mësojmë nga gabime të pashmangshme kur bëhet diçka e re. Por nëse do të fitojmë dhe këtë, -e përsëris me forcë për të gjithë ata që na dëgjojnë,- sfidë për të qenë të gjithë bashkë në luftën kundër plehrave dhe duke qenë gjithë bashkë, kontributorë për pastërtinë, duke bërë çfarë? Thjesht duke mos bërë pis. Atëherë kemi bërë një hap gjigand përpara, për një Shqipëri tjetër në sytë e botës dhe për një Shqipëri tjetër si destinacion për shumëkënd që sot refuzon Shqipërinë, për një arsye shumë të thjeshtë, që na mbulon të gjithëve me turp, sepse është pis. Shqipëria mund të jetë e varfër, Shqipëria mund të ketë njëmijëenjë halle, por Shqipëria nuk mund të jetë pis. E, për më tepër akoma, Shqipëria nuk mund të jetë pis, aty ku shfaqet me të gjithë forcën, mrekullia që Zoti ka bërë për të, tek natyra e saj, tek bregdeti i saj.
Me këtë mesazh, unë i falenderoj të gjithë ata që janë përfshirë në këtë punë. Fola për ministrat, por, sigurisht, pas tyre janë skuadra të tëra që janë angazhuar prej kaq muajsh dhe padyshim janë ende më shumë, ata që do të përfshihen drejtpërdrejt në territor, kryetarët e bashkive, kryetarët e komunave, forcat e policisë, forcat e tjera të ushtrisë apo të shoqërisë civile e me radhë, të cilat paraprakisht gjej rastin t’i falenderoj për çdo gjë të mirë që do të bëjnë në këtë sezon, ku ne, bilancin dhe festën modeste për suksesin do ta lëmë për në fund, jo si zakonisht, për në fillim.
Është bërë zakon që të flitet për miliona turistë.
Edhe këtu kemi marrë përsipër t’i japim fund një barsolete të madhe, që në Shqipëri vijnë miliona turistë. Në Shqipëri mund të hyjnë 3.2, 3.3 apo 3.4 milionë njerëz në një periudhë vere, por t’i japim fund historisë që këta t’i quajmë gjithë turistë. Sepse kështu i bie pastaj, ne të gjithë këtu jemi turistë. E, të jemi realistë, edhe në këtë aspekt, Shqipërinë nuk e kanë mësyrë ndonjëherë një milionë turistë, 10 herë më shumë sesa ushtarët e Sulltan Muratit dhe Shqipëria nuk rrezikon të pushtohet në çdo skutë nga miliona turistë, të jemi të qetë për këtë. Por, sigurisht që Shqipëria ka një potencial që të ketë miliona turistë dhe realizimi i këtij potenciali do të kërkojë disa vjet, por duhet të fillojë sot, duhet të fillojë këtë vit, nga pastërtia.
Ju faleminderit!
***
Në një konferencë të posaçme dhe me pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama u prezantua sot, plani i masave për mbarëvajtjen e sezonit turistik 2014.
Plani i prezantuar është plan gjithëpërfshirës dhe i detajuar masash që lidhen me sigurinë, mjedisin, shërbime publike cilësore dhe që synojnë garantimin e suksesit të sezonit turistik. Për hartimin e tij punoi një Task Force e posaçme, e ngritur me urdhër të Kryeministrit dhe e bashkëkoordinuar mes Ministrisë së Turizmit, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës dhe Ministrisë së Mbrojtjes.
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri publikoi planin e masave që kanë të bëjnë me garantimin e rendit dhe qetësisë publike, si dhe parandalimin e veprimtarisë kriminale në zonat turistike, nëpërmjet riorganizimit të shërbimeve të policisë dhe pikave të kontrollit. “Për sigurimin e zonave turistike, parashikojmë riorganizimin prioritar të strukturave të policisë në zonat turistike, duke parashikuar mobilizimin e 2388 punonjësve të policisë, 201 mjete transporti, 17 mjete lundruese dhe 1 helikopter për të garantuar sigurinë e qytetarëve, por edhe për t’i vënë në shërbim të qytetarëve të gjitha resurset e Ministrisë së Punëve të Brendshme,” – u shpreh Ministri Tahiri.
Ministrja e Turizmit Englantina Gjermeni theksoi se pushuesit këtë vit do të gjejnë plazhe më të pastra e kushte më të mira, pasi një aksion pastrimi ka nisur që në muajin shkurt dhe do të vazhdojë gjatë sezonit. “Masat pasqyrojnë përqasjen tonë të koordinuar për të zgjidhur problemet. Do të jemi në terren gjatë gjithë sezonit për të ofruar ambiente më të pastra, për t’i ofruar pushuesve shërbime publike cilësore, ” – u shpreh Ministrja Gjermeni.
Ndërsa Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto u përqendrua në masat që lidhen me sigurinë rrugore, nëpërmjet përmirësimit të sinjalistikës dhe fuqizimin e kapaciteteve hyrëse në portet e vendit. Pas pak ditësh, – u shpreh Ministri Haxhinasto, – do të startojë një fushatë sensibilizuese për publikun, që do të bëhet e mundur në bashkëpunim me shoqëritë civile dhe kompanitë e sigurimeve. Ai nënvizoi se investimet në sinjalistikën rrugore do orientohen në akset kryesore të vendit që i shërbejnë industrisë turistike, sikundër investime po kryhen edhe në porte si në atë të Vlorës, Shëngjinit, Durrësit.
Duke folur për angazhimin e Forcave të Armatosura, Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli u shpreh: “Gjatë kësaj vere, FA do të ngrenë 10 pika prezence në plazhet kryesore të vendit. Do të jemi kudo të pranishëm, me pajisje, mjete, mbështetje logjistike për t’u lehtësuar pushimet të gjithë atyre që do të zgjedhin plazhet e Shqipërisë. Do të mbështesim kolegët e sektorëve të turizmit, pushtetit lokal dhe të rendit publik, do të jemi aty ku shumica e shqiptarëve, këtej dhe përtej kufirit, do të kalojnë ditët e tyre të pushimit.”