Sfida e madhe e këtij viti shkollor

Kryeministri Edi Rama në një takim me nxënësit dhe mësuesit e shkollës “Leonik Tomeo”, për mënyrat se si do të zhvillohet mësimi këtë sezon:

 

Mirëdita dhe faleminderit që jeni këtu!

Ne jemi këtu për të shfrytëzuar këtë mundësi, në mënyrë që të komunikojmë me të gjithë ata që mund të na ndjekin, lidhur me sfidën e madhe që ka ky vit shkollor, që përtej sfidës të gjithhershme dhe arsyes themelore pse shkolla ekziston, për mësimdhënie dhe mësimnxënie, duhet t’ia dalim edhe në aspektin e mbrojtjes sa më efikase të shëndetit të gjithsecilit.

Është e vërtetë që moshat e reja, fëmijët e vegjël dhe mosha juaj janë më pak të rrezikuar nga ky virus, por është absolutisht e pavërtetë – dhe këtë duhet ta fiksoni mirë në kokë, – që jeni plotësisht të mbrojtur. Largqoftë, rastet, kur virusi ka goditur rëndë dhe ka arritur të marrë dhe jetë në këto mosha, janë të pakta, por nuk mungojnë dhe kjo duhet mbajtur mirë parasysh.

Duhet të mbahet mirë parasysh se e gjitha varet nga disiplina, nga autodisiplina për të respektuar ato rregullat e thjeshta, si p.sh,. maska nuk mbahet vetëm në gojë, mbahet edhe për hundën, sepse transmetimi bëhet edhe nëpërmjet rrugëve të frymëmarrjes dhe kontakti i afërt, stërkalat e padukshme gjatë kohës që dikush flet afër teje mund të të bëjnë që t’i hapësh rrugën virusit për të hyrë në trupin tënd.

Aspekti tjetër është që fëmijët dhe mosha juaj janë transmetues. Pra, një fëmijë mund ta marrë virusin dhe mund të mos ketë pasoja, por e transmeton në shtëpi dhe e merr gjyshi apo gjyshja, e merr një prind që ka probleme shëndetësore dhe kjo pastaj çon deri në fatalitete.

Kjo është një sfidë e përbashkët ku secili ka rolin e vet dhe ku mjafton njëri të gabojë, për të marrë në qafë të tjerët.

Edhe këtu si në shkollat e tjera, ne shikojmë që masat janë marrë korrekte. Pikat ku ju do të detyroheni të qëndroni para se të hyni në shkollë, procedurat me dezinfektimin në hyrje, ruajtja e distancave nga oborri deri në klasë, pastaj distancat në banka, të gjithë këto janë përcaktuar. Por të gjitha këto varen nga faktori njerëzor. Sigurisht, për ju është një stres, kjo nuk diskutohet, por edhe për mësuesit është një stres më vete, sepse i shtohet gjithë asaj pjese të natyrshme stresi që ka puna dhe jeta e mësuesit, ditë për ditë, edhe në kushte të zakonshme.

Gjithsesi, unë besoj se, nëse drejtuesit e shkollave do të jenë në lartësinë e duhur, nëse mësuesit dhe nxënësit do të jenë në lartësinë e duhur, gjasat që nga kjo, ne të kemi një goditje më shumë sesa ajo e parashikuara janë zero. Por, nëse jo, atëherë goditja do të jetë e fortë.

Sigurisht, siç ka ndodhur në të gjitha vendet, nuk ka sesi të mos ndodhi në Shqipëri, që me hapjen e shkollave numrat do të rriten, se, edhe sikur të gjithë të jenë robotë në pjesën dërrmuese të kohës, mjaftojnë disa lëvizje që janë të pashmangshme nganjëherë, që transmetimi të ndodhi. Ajo që na duhet është t’i mbajmë numrat brenda parashikimeve. Nuk e di sa e ndiqni dinamikën e kësaj sëmundjeje këtu apo jashtë, por po të shikoni numrat edhe në vendet e tjera, ka ndryshime, ka rritje të menjëhershme, të shpejta, ka situata nga më të ndryshmet, që vijnë si rezultat i faktit që kjo është një luftë që vazhdon, ka fazat e veta.

Virusi nuk ikën vete, do të kërkojë kohë që të dobësohet dhe ndërkohë, gjithë popullata të imunizohet. Do të kërkojë kohën e vet edhe vaksina. Kështu që, sipas të gjitha gjasave, ky vit shkollor, nga java e ardhshme deri vitin e ardhshëm do të jenë në këto kushte.

E kuptoj mirë sa e vështirë është. Ne kemi 15-20 minuta që po flasim dhe maska, temperatura, qëndrimi i gjatë e bëjnë shumë të vështirë, por kjo është një sfidë.

Sfidat janë për njerëzit dhe duhen përballuar.

Alternativa tjetër është ta humbasësh sfidën dhe pasojat janë të pallogaritshme.

Ndërkohë, ne kemi një kanal televiziv të dedikuar vetëm për shkollën, ku mund të ndiqen përmes leksioneve të mësuesve më të mirë të Shqipërisë në ato fusha, mësimet që do t’ju vlejë për të kompensuar gjatë kohëve kur ka turne, kur ka raste që një shkollë e tërë mund të mbyllet, nëse kthehet në një vatër, por mund t’ju vlejë edhe për të pasuruar njohurinë tuaj mbi një lëndë apo mbi një mësim të caktuar. Kështu që shfrytëzojeni këtë mundësi. Besoj se është bërë një punë shumë e mirë, shumë cilësore nga ana e mësuesve dhe e ministrisë, për të garantuar që kanali i shkollës të jetë vërtetë një burim cilësor informacioni.

Do të duhet të bëni shumë kujdes jashtë shkollës, sepse tani mundësia e transmetimit është shumë e madhe. Në rast se e merr dikush jashtë shkollës dhe e çon në familjen e vet, në kushtet kur vjen në shkollë, e transmeton edhe në familje të tjera.

Duhen refuzuar opinionet që ky është një grip i rëndomtë, që ky është një konspiracion botëror, që COVID-i është një sajesë, nuk ekziston etj., sepse faktikisht njerëzit po ndahen nga jeta. Fatmirësisht, nuk kemi numra katastrofikë. Faktikisht kemi një trend të stabilizuar, por çdo ditë kemi fatalitete.

Fatmirësisht, numri i fataliteteve nuk është në tërësinë e vet më i madh, në mënyrë të ndjeshme, sesa çka qenë vitin e shkuar në aspektin e goditjeve vdekjeprurëse nga sëmundjet, por e gjitha kjo nuk do të thotë asgjë, në rast se, largqoftë, ky rrezik të vjen në shtëpi.

Jo më larg se dje, unë dëgjova për një person që e kam njohur personalisht, vëllai i një shokut tim që humbi jetën dhe nuk ishte në moshë shumë të madhe, ishte i ri. Askush nuk e përcakton dot deri në fund, sesi dhe pse virusi bën gjëmën tek dikush dhe shfaqet në mënyrë komplet ta padukshme dhe kalon pa u ndjerë fare tek dikush tjetër. Problemi është që shumë nga ne mund ta marrin dhe nuk ndjejmë asgjë dhe vazhdojmë jetën normalisht. E pikërisht për këtë arsye duhet gjithmonë të sillemi sikur e kemi. Duhet të bëjmë kujdes, sepse mund ta kemi dhe nuk e dimë dhe ja kalojmë familjarëve, miqve dhe shokëve.

Unë kam besim se puna që është bërë, është një bazë e mirë. Tani gjithçka do varet sesi do të zbatojmë rregullat, s’ka ndonjë shkencë këtu. Rregullat janë të thjeshta. I keni dëgjuar deri në mërzi, duhet t’i përsërisni deri në mërzi. Dizinfektanti që keni në bankë nuk është për zbukurim, nuk është as për t’u përdorur si spray, për t’ia bërë njëri-tjetrit në formë loje në vend të shkuma party, por është për t’u përdorur dhe për t’u lënë aty deri kur të duhet të zëvendësohet sepse do të mbarojë. Pra, është për t’u përdorur sepse prekni gjëra, prekni aty ku dikush sapo ka prekur dhe në mënyrë të menjëhershme të mund të marrësh virusin.

Nuk po ju mbaj më gjatë, sepse do të keni kohë të rrini gjatë në klasë, kështu që t’ua kursejmë sa të mundemi këtë kohë, me fjalë të tepërta.

Ju uroj force, kurajë dhe sukses!

Sfidat janë për njeriun. Ka sfida që i zgjedhim, ka sfida që na zgjedhin. Kjo është një sfidë që na ka zgjedhur, nuk e kemi zgjedhur, por sidoqoftë është një eksperiencë jetësore për t’u jetuar, për t’u kaluar e pastaj për t’u mbajtur mend dhe treguar. Kështu që durim sa më shumë dhe duhet bërë çmos që, sidoqoftë, ajo për të cilën ju vini në shkollë të mos zbehet dhe çfarë keni për t’i marrë shkollës t’ja merrni dhe të dilni më të pasur në fund të vitit. Pasuria është në mendje dhe sa më shumë ke në mendje, aq më shumë ke mundësi të shkosh përpara dhe të kesh për vete dhe për familjen.

Ju faleminderit!