Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Shqipëria po kalon një fazë transformimi të gjithanshëm, ku reformat strukturore, investimet strategjike dhe procesi i integrimit europian po ecin paralelisht për të ndërtuar një shtet më modern, më konkurrues dhe më afër standardeve të Bashkimit Europian. Nga infrastruktura, energjia dhe sektori i ujit, te shëndetësia, arsimi, inovacioni, zhvillimi ekonomik dhe forcimi i institucioneve, ndryshimet e viteve të fundit kanë krijuar baza të reja për rritje të qëndrueshme dhe përmirësim të cilësisë së jetës së qytetarëve.

* * *

2026 shënon vitin e transformimit real të sistemit shëndetësor në Shqipëri. Një transformim që nuk matet vetëm me investime apo teknologji të reja, por me ndryshimin e modelit të shërbimit: nga një sistem i fragmentuar dhe i përqendruar, drejt një sistemi modern, të integruar dhe të ndërtuar rreth qytetarit. Një nga prioritetet kryesore të këtij transformimi është reforma në onkologji. Për shumë vite, trajtimi i sëmundjeve tumorale ka qenë pothuajse tërësisht i përqendruar në Tiranë, duke krijuar mbingarkesë, vonesa dhe vështirësi për pacientët nga i gjithë vendi. Sot po ndërtohet një model i ri kombëtar, ku shërbimi afrohet pranë qytetarit dhe sistemi organizohet rreth pacientit.

Në këtë kuadër, janë hapur 8 njësi kimioterapie në spitalet rajonale të Shkodrës, Lezhës, Durrësit, Elbasanit, Fierit, Beratit, Korçës dhe Vlorës, ndërsa shumë shpejt do të vihet në funksion edhe njësia e re në Spitalin Memorial të Fierit, duke e çuar në 9 numrin e qendrave rajonale ku ofrohet kimioterapia. Paralelisht, janë dyfishuar kapacitetet e kimioterapisë ditore në QSUT dhe po rikualifikohen njësitë rajonale sipas të njëjtave standarde me qendrën universitare.

Një hap i rëndësishëm në modernizimin e trajtimit onkologjik është vënia në funksion e Akseleratorit të tretë Linear në QSUT, i cili ka rritur ndjeshëm kapacitetet e radioterapisë dhe cilësinë e trajtimit për pacientët onkologjikë përmes teknologjive moderne dhe teknikave me precizion të lartë. Sot, në Njësinë e Radioterapisë trajtohen rreth 200 pacientë në ditë. Ndërkohë, puna vijon për sjelljen e brakiterapisë dhe instalimin e Akseleratorit të katërt Linear, duke zgjeruar më tej kapacitetet trajtuese në vend.

Në të njëjtën kohë, Shqipëria po hedh bazat e një sistemi të integruar kombëtar kundër kancerit. Po punohet për ngritjen e Institutit Kombëtar të Kancerit dhe krijimin e Rrjetit Kombëtar të Sëmundjeve Tumorale, me qëllim unifikimin e protokolleve, shkëmbimin e ekspertizës dhe uljen e nevojës për udhëtime drejt Tiranës. Bashkëpunimi me Institutin Kombëtar të Tumoreve të Milanos ka sjellë miratimin e 38 protokolleve të trajtimit për tumoret solide dhe hematologjike, duke harmonizuar shërbimin me standardet më të mira europiane.

Transformimi në onkologji shoqërohet edhe me rritje të investimeve për barnat. Vetëm për vitin 2026, buxheti për barnat onkologjike është rritur me 1.5 miliardë lekë, duke garantuar zgjerimin e mbulimit dhe furnizim më të qëndrueshëm për pacientët. Lista e barnave onkologjike është zgjeruar ndjeshëm dhe pritet të zgjerohet më tej përmes rritjes së re të financimit. Për herë të parë pas 12 vitesh është ndryshuar metodologjia e përcaktimit të çmimeve të barnave, duke krijuar kushte për hyrjen e barnave inovative dhe uljen e riskut të mungesave në treg.

Një tjetër drejtim i rëndësishëm është fuqizimi i diagnostikimit dhe parandalimit. Në bashkëpunim me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike po punohet për instalimin e PET CT dhe trajnimin e ekipeve të specializuara. Po ashtu, është ngritur “Breast Unit”, një strukturë multidisiplinare sipas standardeve europiane për trajtimin e integruar të kancerit të gjirit. Në fushën e parandalimit, për herë të parë vaksina HPV 12-valente është shtrirë edhe tek djemtë, ndërsa brenda vitit 2026 do të përfshihen edhe analizat e genotipizimit për depistimin e hershëm të kancerit të qafës së mitrës.

Rezultatet e këtyre reformave kanë nisur të reflektohen edhe në treguesit kombëtarë. Sipas të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Kancerit, raporti vdekshmëri/incidencë është ulur nga 67% në 48%, ndërsa mbijetesa mesatare është rritur nga 33% në 52%. Në të njëjtën kohë, biopsitë dhe përgjigjet histopatologjike realizohen brenda 2–3 javësh, ndërsa konsultat dhe fillimi i trajtimeve shpesh kryhen brenda javës, në përputhje me standardet europiane.

Përtej onkologjisë, transformimi po shtrihet në të gjithë sistemin shëndetësor. Hartimi i Planit Kombëtar Spitalor synon riorganizimin e rrjetit spitalor sipas nevojave reale të popullsisë dhe krijimin e një sistemi më funksional dhe efikas, në bashkëpunim me ekspertë ndërkombëtarë. Objektivi është kalimi nga një sistem i fragmentuar drejt një rrjeti kombëtar të koordinuar dhe të standardizuar.

Një tjetër shtyllë e reformës është transformimi digjital i shërbimeve shëndetësore. Digjitalizimi po rrit transparencën, po ul burokracitë dhe po përmirëson aksesin e qytetarëve në shërbime. Në të njëjtën kohë, modernizimi i sistemit laboratorik përmes Partneritetit Publik-Privat ka sjellë rritje të cilësisë dhe zgjerim të gamës së analizave laboratorike. Nga rreth 100 analiza që ofroheshin më parë, sot ofrohen 164 analiza të standardizuara në 18 spitale publike të vendit, duke garantuar më shumë barazi në akses dhe diagnostikim më cilësor.

Paralelisht, po forcohet sistemi i furnizimit dhe menaxhimit të barnave përmes rritjes së transparencës, përmirësimit të planifikimit dhe monitorimit të zinxhirit të shpërndarjes, me synimin për të shmangur mungesat dhe për të garantuar disponibilitet në kohë për pacientët.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.