Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Një tjetër shërbim falas i shtohet listës së shërbimeve falas që garanton qeveria shqiptare në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, vendosja e lentes ose e kataraktit, e cila deri dje i kushtonte çdo qytetari që kishte nevojë për këtë shërbim, 700 dollarë.

“QSUT prej këtij viti fillon ofrimin e një shërbimi shumë të rëndësishëm, falas për çdo qytetar që ka nevojë për ndërhyrjen e kataraktit, ose vendosjen e lentes. Do të ofrohet për më shumë se 2000 pacientë në vit, gjithashtu dhe në spitalet rajonale. Spitali Rajonal i Vlorës e ka filluar, gjithashtu pritet të fillojë dhe spitali i Elbasanit”, – u shpreh ministrja Manastirliu.

Pacientët, të cilët kanë bërë tashmë vendosjen e lenteve, shprehen të lehtësuar që ky shërbim ofrohet falas në klinikën e Okulistikës në QSUT, pasi në të kundërt do të ishin të detyruar të paguanin 700 dollarë. “Gjëja më e mirë është falas kuptohet edhe dora speciale e doktoreshës”, – u shpreh një pacient.

Kryeministri Rama vlerësoi e mbështeti punën e mjekeve në sistemin spitalor të vendit. “Këtu dhe në spitalet në tërësi ka mjekë fantastikë dhe infermierë shumë të devotshëm, kuptohet, ka edhe nga ata që na turpërojnë, por e vërteta është që unë e kam parë me shumë njerëz që kalojnë nga spitali, që ndryshojnë mendim kur bëjnë shërbimin, se presin keq dhe ju del mirë,” – u shpreh Kryeministri.

***

Qendra spitalore universitare “Nënë Tereza” do të ketë së shpejti një depo të re farmaceutike, investim i qeverisë shqiptare prej 18 milionë euro. Depoja farmaceutike është një investim jetik për garantimin e sigurinë më të lartë dhe një shërbimi cilësor farmaceutik. Në kantierin e punimeve, ishte Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.

“Do ketë 7 dhoma frigoriferike, me të gjitha kushtet optimale që duhan për barnat që vijnë. Ka një magazinë të madhe për të gjithë pjesën e serumeve dhe të gjithë elementëve të tjerë. Çdo bar që futet në QSUT është i skanuar me një barkod dhe gjithashtu kur del, deri sa shkon tek pacienti, gjithashtu me barkodin e vet. Është një investim, i cili siguron dhe garanton cilësi,”– tha ministrja Manastirliu, duke theksuar se çdo vit blihen 18 milionë euro barna dhe pasja një depoje me standarde të larta ishte një domosdoshmëri.

Një investim që siguron standardet më të larta europiane të sigurisë dhe cilësisë së barnave dhe një transformim i rëndësishëm për gjithë strukturën e shërbimit të QSUT-së, u cilësua nga Kryeministri Rama.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.