Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me infermierë nga i gjithë vendi në Ditën Botërore të Infermierëve:

 

Ne kemi folur vijimësisht mes nesh për çdo rast tragjik humbjeje të jetës ndër bluzat e bardha dhe kemi qenë hera herës të tunduar për të bërë nderimet perkatëse, por, gjithmonë, në fund kemi mbetur të mendimit që nderimet duhen bërë në fund të kësaj lufte. Prandaj i jam shumë mirënjohës Urdhërit të Infermierëve për këtë mundësi që na jep që të nderojmë me përulësi e mirënjohje të thellë ata, të cilët nuk janë më mes jush dhe njëkohësisht ta shfrytëzojmë këtë mundësi për t’ju përcjellë të gjithëve ju shprehjen më të sinqërtë të respektit e të mirënjohjes.

Ju e dini më mirë se kushdo tjetër që cilado dhe cilido prej jush dhe prej të gjithë atyre ndër ju që s’janë këtu sot mund të ishte njëri prej atyre që nuk e përballuan dot deri në fund luftën me armikun e padukshëm në trupin e tyre. Kjo e bën sigurisht jashtëzakonisht të çmuar rezistencën tuaj dhe papërkulshmërinë e secilit dhe secilës prej jush në këtë luftë nervash të jashtëzakonshme, ku ju keni lënë familjet tuaja dhe jeni vetëprivuar nga kontaktet normale për të ruajtur familjet tuaja, që t’i përkushtoheni atyre që pa ju do ta kishin pasur absolutisht të pamundur t’i mbijetonin këtij armiku.

Ndaj më lejoni t’ju them qysh në fillim se edhe pse fjalët në këtë rast nuk mjaftojnë, realisht nga zemra një faleminderit shumë të madh për të gjitha dhe të gjithë ju që jeni këtu dhe për të gjitha dhe të gjithë kolegët dhe koleget tuaja që nuk janë këtu, bashkë me ne, për shkak të detyrës. Shumë faleminderit!

Duke parë fotografitë e kolegeve dhe kolëgeve tuaj që humbën jetën në këtë përpjekje, më duket vendi i duhur për ta përsëritur një angazhim, që mbase e keni dëgjuar ose jo, e kam marrë qysh përpara ditës së zgjedhjeve që vendimin e parë të qeverisë së re, ne do t’ia kushtojmë atyre që i quajmë me plot gojën fëmijë të republikës, që do të thotë vajzat dhe djemtë e të gjithë njerëzve që i kanë shërbyer qytetarëve, i kanë shërbyer shtetit dhe kanë rënë në krye të detyrës. Fëmijwt e të rënëve në krye të detyrës mes bluzave të bardha nuk do të jenë vetëm, pasi me këtë ligj të ri që ne do të miratojmë, për ta deri në ditën e daljes së tyre të pavarur në jetë do të kujdeset Republika e Shqipërisë në mënyrë të posaçme.

Besoj se është shumë sëkëlldisëse dhe më besoni që e kam provuar këtë sëkëlldi jo njëherë të vetme, kur dikush bën një akt heroic, siç ishte akti i atij djalit të ri që ishte njëkohësisht edhe një baba i ri, me një fëmije 4 vjeç, që humbi jetën për të shpëtuar të tjerët nga flakët dhe gjëja që shteti bën si rezultat i vendimeve të marra më parë i një inercie që ka vazhduar gjithë këto vite është të dorëzojë një certifikatë dhe t’i lidhë familjes një pension shumë modest.

Patjetër që kjo është më shumë sesa asgjë, por unë besoj se ne jemi më të mirë se kaq dhe mund të bëjmë më shumë se kaq si shoqëri dhe si qeveri në emër të shoqërisë. Është koha që jo vetëm t’i nderojmë këta njerëz të mirë dhe profesionistë të përkushtuar me titullin e “Dëshmorit”, por të marrim përsipër të kujdesemi për fëmijët e tyre në mënyrë që bashkëshortët e tyre, të mbetur pa bashkëshort apo bashkëshorte, si rezultat i rënies në krye të detyrës, të mos kenë vetëm certifikatën e varur në mur dhe atë pensionin krejt modest për një jetë të humbur që nuk kthehet më dhe që është më e shtrenjta gjë e humbur për ta për gjithë jetën, por edhe një mbështetje të vazhdueshme, konkrete dhe të pandërprerë, për fëmijët deri në ditën kur fëmijet të dalin të pavarur në jetën e tyre.

Kjo është dita edhe për të thënë që ne nuk do ia kishim dalë dot, jo siç ia kemi dalë deri tani, po as shumë më pak sesa kaq, nëse nuk do të kishim investuar me të gjitha  forcat, edhe pse jo të mjaftueshme me mundësitë tona, për ta ngritur në një nivel tjetër sistemin tonë shëndetësor, për t’i ngritur në një nivel tjetër spitalet, për ta ngritur në një nivel tjetër pagën e mjekëve dhe infermierëve sidomos dhe për t’u krijuar në radhë të parë infermierëve dhe infermniereve jo vetëm kushte më të mira pune, por edhe atë parakusht të domosdoshëm që ju e e dini shumë mirë që ka munguar për vite e vite të tëra, sigura e vendit të punës; Marrja e vendit të punës sipas meritës dhe mbajtja e vendit të punës sipas të drejtës.

Dhënia fund e një historie të tmerrshme futjesh e nxjerrësh nga puna të infermierëve për qëllime që nuk kanë pasur lidhje me përmirësimin e sistemit e të shërbimit, që nuk kanë pasur lidhje me aftësitë dhe me meritat e gjithsecilit, ka luajtur edhe ajo një rol shumë të rëndësishëm. Sot, pasja e një armate bluzash të bardha të infermierëve dhe infermiereve, që është një armatë e respektuar ku asnjë individ nuk kërcënohet në vendin e punës për shkak të bindjeve të veta politike apo për shkak se dikush tjetër përmes një njohjeje apo përmes korrupsionit mund të vijë e t’i zërë vendin sa hap e mbyll sytë, është një aset i jashtëzakonshëm që ka qenë një garanci e madhe qysh ditën e parë të kësaj lufte e që është një garanci e madhe për ta përfunduar këtë luftë me sukses.

Unë dua t’ju them përsëri edhe sot, kur zgjedhjet kanë mbaruar, që rritja e pagës së infermierëve dhe të infermiereve ka qenë e konsiderueshme, por e pamjaftueshme. Kështu që angazhimi ynë për ta rritur pagën brenda këtij mandati të ri që fillon në shtator dhe hap pas hapi, 40% akoma, është një angazhim që mbetet e të cilin, ne do ta përmbushim 100%.

Për të mos u zgjatur në shumë gjëra që me siguri ia vlejnë të thuhen në një rast si ky dhe përpara një audience si e juaja, unë dua të nënvizoj edhe diçka tjetër. Ne flasim për vaksinat e për vaksinimet dhe sigurisht që është legjitime që ne, sot të jemi vërtetë krenarë për çfarë kemi arritur sepse natyrisht që kemi bërë detyrën, pa diskutim, edhe të tjerë si ne do të kishin dashur ta bënin detyrën, por ja që jo të gjithë sot, në rajonin tonë e më gjerë se rajoni ynë jemi në të njëjtin pozicion. Është vërtetë krenari ta shikosh Shqipërinë në pjesën e sipërme të klasifikimit të vendeve europiane për ritmin e vaksinimit, ashtu sikundër është vërtetë kënaqësi të shikosh që Shqipëria sëbashku me Finlandën janë dy vende që konsiderohen me riskun më të ulët sot, në Europë, për këtë moment, sepse besoj që fjalët e mikut tone, ambasadorit të Bashkimit Europian, duhen pasur parasysh. Kjo luftë nuk ka mbaruar dhe ne duhet të vazhdojmë ta bëjmë tonën.

Përtej çfarë kemi bërë ne për të siguruar vaksinat e përtej rezultatit qëndroni ju, sepse jo vetëm organizimi që sigurisht është një meritë e pamohueshme e ministres dhe autoriteteve të shëndetësisë, por puna juaj çdo ditë në të gjithë sistemin e vaksinatorëve është fantastike. Disiplina, korrektesa, serioziteti, profesionalizmi është mbresëlënës. Respektet e mia më të sinqerta për këtë fakt!

Pa diskutim, ky fakt na jep shumë energji e shumë besim më tepër akoma se në gjithë procesin e transformimit të shëndetësisë, ne mund të mbështetemi tek njerëz si ju. Unë jam tmerrësisht i keqardhur sa herë ndodh që në mjedisin publik dalin pamjet e një ane të errët, një ane të shëmtuar, të neveritshme të gjithë kësaj përpjekjeje për shkak të individëve të caktuar që nuk janë në lartësinë e këtij misioni e që nuk meritojnë të jenë as mes qytetarëve të lire. Kjo keqardhje lidhet me faktin se unë e di shumë mirë, ne e dimë shumë mirë që individë të atillë nuk janë përfaqësuesit e armatës suaj. Ne e dimë shumë mirë që shumica dërrmuese e infermierëve dhe infermierëve të Shqipërisë janë heronj, nuk janë njerëz të ulët që fusin duart në xhepat e familjarëve për të bërë detyrën në raport me pacientët.

Përfitoj nga rasti që ju kam përballë e përmes jush edhe kolegët tuaj, për t’ju thënë që nuk duhet të ligështoheni nga balta që pastaj e merrni të gjithë bashkë. Nuk duhet të humbni për asnjë sekondë sensin e punës së jashtëzakonshme që jeni duke bërë dhe nuk duhet të harroni për asnjë sekondë kolegët dhe koleget tuaja që humbën jetën në krye të detyrës. Duhet të jeni çdo ditë krenarë kur dilni nga shtëpia për të shkuar në punë e pastaj kur ju bie që të ktheheni në shtëpi, sepse ajo që ju po bëni çdo ditë për kaq shumë kohë për popullin shqiptar është historike dhe kontributi i secilës dhe i secilit prej jush është i paçmueshëm për vendin, por është i paçmueshëm edhe për familjet tuaja, në aspektin e krenarisë dhe në aspektin e shkëlqimit të emrit që ju trashëgoni nga prindërit dhe do e kaloni tek fëmijët tuaj.

Shërbimi infermieror i Shqipërisë është themeluar faktikisht në kulmin e luftës me gripin spanjoll, edhe pse historia e Infermierisë fillon pak më herët. Por gjëja që më shkaktoi buzëqeshje kur e mësova këtë fakt është se është themeluar nga gratë. E më thonë mua pastaj, pse thua që pa gratë, burrat shqiptarë do i kishte marrë lumi.

Imagjinoni për një moment, sikur këtu të ngeleshin vetëm ca kokrra burra që janë lart e poshtë mes jush, se çfarë do kishte ndodhur. Imagjinoni për një moment, sikur ju të ishit thënë jo, nuk merrmi me këtë punë e të kishit lënë burrat të kujdeseshin për burrat. Mbase do kishit shpëtuar edhe ju, por merreni me mend çfarë do kishte ndodhur.

Më pas, edhe në luftën kundër malaries dhe kolerës, në çka lexova përsëri, flitet për gratë.

Gratë e shërbimit infermieror shqiptar edhe sot që flasim, me gjithë respektin për burrat, – edhe unë kësaj kategorie jo dhe aq të lartë i përkas se burrë jam edhe unë, për fat të keq, – dua ta mbyll duke iu shprehur një respekt shumë të veçantë të gjitha grave dhe vajzave që janë këtu dhe të gjitha vajzave e grave që nuk janë këtu. E po jua them tani që ta dini, priteni kur ta shihni në lajme që Edi Rama: Nuk dua të jem burrë.”

Gjatë këtij aktiviteti, Kryeministrit Edi Rama iu dorëzua certifikata e mirënjohjes nga Urdhri i Infermierëve të Shqipërisë.

Kryeministri Edi Rama: Me lejen tuaj, unë nuk do ta marr certifikatën.  E refuzoj ta marr sepse nuk më takon, por, duke qenë se ju nuk doni ta lini në siklet presidenten [e Urdhrit të Infermierëve], unë them që të bëjmë një kompromis. Certifikatën do ta mbajë Urdhri e unë do ta marr pasi rroga të jetë rritur 40%, që të paktën të ketë një arsye. Se të vij unë këtu, për t’u përulur para jush e në fund, njeriu që merr vlerësimin jam unë prapë, do na çoni në Portokalli me të drejtë.  Pa vënë fare në dyshim që ju e keni menduar këtë punë dhe që e bëni sinqerisht. Unë nuk e marr këtë, sepse nuk e meritoj dhe jam shumë i sinqertë dhe nuk ka shans që unë të vij këtu, në një takim, për t’ju nderuar juve dhe i vetmi që ikën me nderim jam unë. Kjo nuk shkon. Kështu që do ta lë certifikatën tek Urdhri. Kurse llampën do ta marr se do më kujtojë që ta kemi parasysh që duhet të shkoj të marr certifikatën. Certifikatën do ta marr kur të jetë rritur paga e infermierëve 40%.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.