Shërbimi i Urgjencës Kombëtare vijon të fuqizohet nga viti në vit, falë investimeve në mjete dhe teknologji. Sot, 20 autoambulanca të reja i janë shtuar flotës së mjeteve ekzistuese, të pajisura sipas të gjitha standardeve europiane, në përgjigje edhe të situatës aktuale të pandemisë, duke siguruar shërbim optimal për pacientët në nevojë. Investimi prej 1,4 milionë eurosh, mundëson autoambulanca të mirëpajisura me të gjitha mjetet jetëshpëtuese, që nuk do të jenë thjeshtë struktura që transportojnë pacientin, por një mjedis ku pacienti do të marrë çdo shërbim të nevojshëm për të udhëtuar i sigurt në spital.
Kryeministri Edi Rama ishte sot në Spitalin e Traumës, i cili po ristrukturohet, duke zgjeruar kapacitetet për të krijuar një mjedis bashkëkohor sa i përket ofrimit të shërbimit.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu tha se fuqizimi i flotës me mjete të reja do të sigurojë një mbulim dhe menaxhim më të mirë të rasteve të urgjencës në të gjithë vendin. “Është një investim prej 1,4milionë euro. 20 autoambulanca të reja, të mirëpajisura me të gjithë aparaturat jetë shpëtuese, ka mbërritur për të fuqizuar shërbimin e urgjencës kombëtare dhe duke u përpjekur për të përballuar situatën e Covid 19. Gjatë 2020 kemi pasur më shumë se 140 mijë misione të realizuara nga gjithë strukturat e spitaleve tona, të koordinuara nga Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore. Rreth 50% e misione janë në Tiranë, prandaj një pjesë e tyre do shkojë për të rritur mbulesën e vendqëndrimeve në Tiranë. Nga 12 do jetë 15 postacione dhe do ketë një miniflotë rezervë për rastet e urgjencës dhe emergjencës. Kemi më shumë se 100 autoambulanca të investuara në të gjithë Shqipërinë, bashkë me autoambulancat e qendrave shëndetësore janë mbi 250 por 127 janë postacionet, të cilat organizohen për të pritur thirrjet.” – u shpreh Ministrja Manastirliu.
Ndërkohe që Drejtori i Përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj, shpjegoi se autoambulancat kanë gjithçka për të mundësuar një transport të sigurt të pacientit në spital. “Veçoria këtë radhë janë që të gjitha me ventilatorë që do të thotë që pacienti i intubuar mund të transportohet nga çdo cep i Shqipërisë. Mund të bëhet elektrokardiograma, mund të kuptohet infarkti që në banesë, apo në rrugë, kudo që ndodh. Janë të pajisura me dy bombola 10 litërshe dhe dy bombola 2 litërshe, që kalojnë mbi 16 orë autonomi. Nuk ka problem për transmetim oksigjeni, sidomos në këtë moment për shkak të pandemisë. Këto janë pajisjet që i kanë të gjitha autoambulancat. Autoambulancat vazhdojnë të funksionojnë jo vetëm për Covid, por për të gjitha traumat.”- u shpreh ai.
Ndër të tjera Drejtori i Përgjithshëm i Urgjencës Brataj, informoi se shërbimi i urgjencës po vijon t’i përgjigjet me të gjitha kapacitetet situatës së pandemisë që nga nisja e saj. “Qendra që nga nisja e pandemisë janë 1milionë e 330 mijë thirrje. Janë 40 mijë misione vetëm Covid nga të cilat 48% shkojnë në spital dhe 52% trajtohen në banesë. Vetëm 2021 ishte 615 mijë thirrje dhe 140 mijë vizita të kryera në banesë.”
Kryeministri u njoh me investimin e ri në Spitalin e Traumës, i cili aktualisht është duke pritur urgjencat, së bashku me spitalin “Shefqet Ndroqi”.
“Tek Trauma jemi duke bërë një investim të ri. Gjithë struktura e shërbimit të urgjencës dhe sëmundjeve të brendshme. Do kemi një lidhje me korridor ajror me korpusin qendror të spitalit dhe do mundësohet që të gjithë sëmundjet interne të trajtohen në këtë strukturë të re që po rehabilitohet dhe do jetë në kushtet më të mira bashkëkohore.” – u shpreh Ministrja Manastirliu, e cila shtoi se “gjithashtu, kemi filluar dhe laboratorin me Partneritetin Publik Privat dhe po ecën në mënyrë fantastike. Brenda këtyre 3 muajve shtrihemi në të gjithë Shqipërinë edhe në 4 spitalet rajonale të mbetura dhe besoj se mbyllim një shërbim esencial por me kushte bashkëkohore për gjithë shërbimin laboratorik. Godina që shohim do përfundojë brenda tetorit të ardhshëm. Me korpusin qendror përfundojmë totalisht Spitalin e Traumës. Aktualisht spitali i Traumës është duke pritur urgjencat e Shqipërisë, së bashku me spitalin “Shefqet Ndroqi” sepse tashmë që do fillojmë dhe rehabilitimin e Spitalit Infektiv na duhet të lehtësojmë dhe QSUT nga menaxhimi i urgjencave kirurgjikale.”