Sheshi i ri Beratit, një qendër me impakt në profilin e Beratit turistik

Sheshi i ri i qytetit të Beratit po merr formë dita-ditës, për ta kthyer në një qendër të re jo vetëm me impakt për turizmin e qytetit, por dhe funksional  për banorët. Në sheshin e qytetit do të ndërtohet edhe një parkim nëntokësor, ndërkohë që do të kthehet në pedonale në funksion të qytetarëve edhe rruga mes sheshit dhe dy objekteve të kultit të qytetit.

Në vijim të vizitës së tij në Berat, Kryeministri Rama u ndal edhe në këtë investim që pritet t’i japë një shtysë të re ekonomisë dhe profilit turistik të qytetit të një mbi një dritareve. “Kjo është duke plotësuar një pazëll në qytet. Në kala parashikohet aksesi i garantuar, po ashtu në lagjen e Goricës. Kjo është pjesa qendrore dhe praktikisht kemi një aureolë të plotë të qytetit që ruan dhe pjesën tradicionale të Beratit”, – shprehet kryetari i Bashkisë së Beratit, Ervin Demo.

Parkimi nëntokësor, një nga më të mëdhenjtë në vend, pritet të akomodojë rreth 200 mjete në një hapësirë prej 8000 metrash katrorë dhe do të ofrojë akses në të dy anët e sheshit të ri.

Sipas kryebashkiakut të Beratit, sheshi “është një nga gjërat që banorët e Beratit e kanë kërkuar prej kohësh”. Ndërsa Kryeministri shton se “është shumë e vlefshme që të krijohet një strukturë hotelerie këtu, në mënyrë që të krijojë gravitet për gjithë këtë hapësirë. Do jetë një pikë referimi për turistët dhe do krijojë sidomos pasditeve një marrëdhënie me gjithë këtë hapësirë publike fantastike”.