Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama nuk ka pasur ndonjëherë bashkëbisedues më të bukur e të këndshëm sesa sot, kur u takua me fëmijë, nipër e mbesa të shoqëruar nga gjyshe dhe gjyshër, në këndin e lojërave në Parkun e Liqenit. Në një bisedë të çlirët për më shumë ambiente e parqe për fëmijët dhe gjyshërit në Tiranën që të gjithë duam, ata shprehen entuziastë për këndin më të ri të lojërave, që është bërë vendi më i dashur si për fëmijët dhe për gjyshërit për të kaluar kohën. “Është bërë në ndryshim si nata me ditën. Fëmijët kënaqen, luajnë, pa makina, janë të kënaqur. Unë mbesën time e sjell shpesh,” – thotë një gjyshe.

I pranishëm në këtë bashkëbisedim, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj sjell lajmin e shumëpritur nga qytetarët, sheshi “Skënderbej” do të hapet në 10 qershor, i cili do të jetë një hapësirë krejtësisht e transformuar gjelbërimi dhe argëtimi. “Sheshi ka dalë shumë bukur. Ne këtë javë do testojmë shatërvanët që të shohim si do funksionojnë. Kemi mbjellë edhe shumë pemë rreth e rrotull, që të mos kemi vetëm pllaka për koncerte, për takime, por të ketë edhe pemë. Një pjesë e kemi bërë vetëm me ullinj, një pjesë vetëm me pemë frutore.”

Ky lajm befasoi një 6-vjeçare: “Fiks në ditëlindjen time.” Për vogëlushen, por edhe për të gjithë fëmijët e gjyshërit, Kryeministri Rama dhe kryebashkiaku Veliaj pati një ftesë, për të qenë aty në ditën e inaugurimit.

Gjatë bashkëbisedimit me frekuentuesit kryesorë të Parkut të Liqenit, kryebashkiaku Veliaj thotë se investimi për këtë park lojërash ka qenë një ndër më pak të kushtueshmit, por më me vlerë. “Është ndoshta nga investimet e bashkisë që ka kushtuar më pak, po ka më shumë duk. Ka pasur shumë sukses. Ka një fluks të jashtëzakonshëm, sidomos pasditeve. Ne do përfundojmë pistën e vrapit, ndërkohë që po bëjmë edhe shtigjet e biçikletave që të mos ndërhyjë me ata që bëjnë vrap. Shumë shkolla të mesme si “Petro Nini” dhe përreth shkojnë e bëjnë aty orën e fizkulturës.”

Veliaj shpjegon edhe disa ndër projektet e pritshme që do i shtojnë mushkërisë së gjelbër të Tiranës, një kompleks gjigand sportiv. “Sapo na ka ardhur Masterplani. Arkitekti ka propozuar që ta bashkojë kopshtin botanik me kopshtin zoologjik, t’i shfrytëzojmë të dyja hapësirat. Shtuam zonën e digës poshtë, e kemi shpallur Park. Momentalisht, Plani sot është zbardhur nga KKT. Do bëjmë shumë shpejt inaugurimin. Duam të bëjmë fushat jashtë. Sapo ka mbaruar projekti i pishinave olimpike. Ka shumë fëmijë që merren me not. Jemi gati ta financojmë projektin. Duam të pastrojmë territorin, për ta kthyer në terrene sportive. Ka dhe sporte alternative si joga, regbi, sporte që s’kanë qenë më parë. Rikthimi te sporti ka dhënë shumë impakt.”

Duke dhënë mbështetjen për Planin, Kryeministri shprehet se ky transformim do ta kthejë këtë hapësirë në një kompleks fantastik. “Do jetë shumë mirë kompletimi i gjithë kësaj, se është akoma copa-copa. Po me kopshtin botanik, kopshtin zoologjik që do bashkohet me të, parku poshtë liqenit me shumë terrene sportive, do bëhet një kompleks fantastik.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.