Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e vendosjes së gurit të parë në Sheshin “Skënderbej”:

Mirënjohje për punën e admirueshme të Bashkisë së Tiranës që në një kohë shumë të shkurtër na jep mundësinë të jemi sëbashku, qoftë për Bulevardin e ri, qoftë edhe për Rilindjen e Sheshit “Skënderbej”. Një rilindje e vështirë, por, ashtu siç tregojnë sytë, për të gjithë ata që i kanë sytë, një rilindje që është në prag të kurorëzimit.

Për hir të të vërtetës, koha, pavarësisht se solli një zvarritje të gjatë të këtij projekti, nga një anë i bëri mirë projektit.

Projekti që po finalizohet sot nuk është tërësisht projekti që u nis shumë vite më parë e që pastaj u bllokua dhe u zëvendësua nga një “pampers” në mes të Tiranës.

Është një projekt i zhvilluar dhe i transformuar, tanimë, në një metaforë urbane fantastike për Shqipërinë dhe për shqiptarët.

Ky shesh ka qenë gjithmonë një pikë referimi për të gjithë ata që vinin në Tiranë.

Ka qenë gjithmonë një pikë referimi për të gjithë ata që zbrisnin nga treni, që thonin: “Takohemi tek “Skënderbeu”!”

Ka qenë gjithmonë një pikë referimi për fëmijët e këtij qyteti, që kishin shumë dëshirë të shkonin tek “Skënderbeu”.

Ka qenë një pikë referimi për të gjithë ata që, për të provuar që kishin qenë një herë në Tiranë bënin fotografi me “Skënderbeun”.

Por, ky shesh ka qenë gjithmonë e më shumë një pikë referimi për shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë, për shqiptarët e Kosovës së lirë dhe të pavarur, për shqiptarët e Maqedonisë, për shqiptarët e Luginës së Preshevës, për shqiptarët e Malit të Zi, për shqiptarët kudo ku jetojnë.

Ajo që projekti ka fituar nuk është një përmasë e re në sipërfaqen e tij, por është një përmasë e re në përmbajtjen e tij, pasi Sheshi Skënderbej do të jetë një qilim unikal i thurur me gurë nga të gjitha trojet shqiptare, ku do të rrinë pranë e pranë gurët e Malishevës me gurët e Konispolit, gurët e Mirditës dhe të Tropojës me gurët e Manastirit, e kështu me radhë, në një mozaik fantastik që e bën këtë shesh,- jam i bindur që historia e urbanistikës bashkëkohore botërore europiane do të flasë për këtë aspekt të sheshit,-një sipërfaqe urbane unike.

Sheshi ka fituar edhe një dimension të ri në aspektin e gjelbër. Nuk ka qenë në fillimet e veta një projekt me këtë përmasë të gjelbër, që vjen edhe si rezultat i një reflektimi nga një kohë kur temperaturat rriten dhe kur domosdoshmëria për të pasur sa më shumë gjelbërim bëhet gjithmonë e më e efektshme dhe aq më tepër në një qytet si Tirana. Pra, ky shesh do të jetë unikal edhe në këtë aspekt, sepse do të jetë një shesh i ndërtuar në respekt të plotë të historisë, në respekt të plotë të atyre që e konceptuan në krye të herës, arkitektëve themelues të qytetit modern të Tiranës, Armando Brasini-t, Florestano Di Fausto-s, por edhe një shkuarje më tutje, si një shesh ku dhe gjeneratat më pas kanë dorën e tyre.

Pylli që do të rrethojë sheshin, edhe ai me bimësi dhe pemë nga të gjitha trojet e Shqipërisë, do të jetë një ftesë e jashtëzakonshme dhe një atraksion unikal për të gjithë ata që do ta vizitojnë dhe do të shtojë vlerë në imazhin ndërkombëtar të Tiranës dhe në perceptimin e Tiranës nga sferat e mirënjohura dhe të shumë respektuara të ekspertëve të arkitekturës dhe urbanistikës, si një laborator ku zhvillohet prej kohësh një përpjekje e vështirë, por absolutisht jo e pamundur, në kushte ekonomike shumë më të vështira se ato të vendeve që bëjnë zhvillime të mëdha urbanistike dhe arkitektonike të kohës tonë dhe ku lind edhe një shesh i kësaj përmase fantastike në kuptimin estetik, në kuptimin urbanistik, në kuptimin ekologjik dhe patjetër edhe në kuptimin social dhe demokratik.

Nuk është se qeveritë më parë thjesht e kanë penguar, apo thjesht nuk kanë dashur ta mbështesin Tiranën.

Problemi është që qeveritë më parë nuk kanë parë, nuk kanë pasur fushëpamje për të kuptuar se çfarë do të thotë përmasë cilësore urbane. Rezultat i kësaj pamundësie për të parë, i kësaj miopie, i kësaj verbërie është fakti që në këto vite ne humbëm qytetin, humbëm qytetet, humbëm kuptimin e hapësirës së përbashkët të jetës komunitare që në të gjithë historinë e qytetërimeve ka filluar nga sheshi.

Sheshet e qyteteve u kthyen në parkingje të mbushura me gropa, me arna asfalti, me pluhur dhe baltë. Sheshet e qyteteve të Shqipërisë e refuzuan për kaq shumë vite me radhë qytetarin, duke refuzuar komunitetin, duke refuzuar socializimin e njerëzve në një hapësirë të përbashkët identifikuese. Sheshet e qyteteve janë identitet komunitar.

Sheshi i kryeqytetit është një identitet kombëtar i një bashkësie njerëzish që tek sheshi marrin jo thjesht kënaqësinë e të qenit në një hapësirë publike ku takohen me njëri-tjetrin, por edhe energjinë e brendshme që buron nga sensi i përkatësisë në gjenerata e gjenerata.

 

Transformimi urban që po ndodh sot në Shqipëri është larg së qeni një transformim i sipërfaqshëm. Është një transformim përmbajtësor dhe i thellë për të krijuar një burim të ri dhe të humbur për kaq shumë vite energjie pozitive komunitare dhe kombëtare, në funksion të një jete sociale ku njeriu nuk është ujk për njeriun, ku ata që jetojnë sëbashku në të njëjtën hapësirë ndihen pjesë e asaj hapësire dhe ku krijojnë ekonomi, ku krijojnë punësim, ku krijojnë zhvillim, ku krijojnë kushte për gjeneratat e tjera.

Ky shesh është xhevahiri më i shkëlqyeshëm i kurorës së Programit tonë të Rilindjes Urbane.

Përmirësimi i ndjeshëm që i është bërë projektit në këtë fazë, si edhe puna e shkëlqyer dhe cilësore, shembullore që po bëhet në këtë shesh, për nga aspekti i realizimit, përbëjnë një motiv të fortë frymëzimi dhe besimi se asgjë nuk është e pamundur nëse kemi vizionin e duhur, nëse kemi lidershipin e duhur, nëse kemi skuadrën e duhur dhe padyshim, programin e duhur.

Të gjitha këto, për fatin më të mirë të kryeqytetit, sot përputhen plotësisht në sinergjinë mes qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës.

Nuk ka kryeqytet në botë, përveç Tiranës së viteve që lamë pas, që të braktiset nga qeveria e vet. Kryeqytetet janë sa të bashkive, aq edhe të qeverisë.

Sot kjo sinergji, padyshim, është krijuar falë përkushtimit të jashtëzakonshëm shembullor të Kryetarit të Bashkisë dhe të skuadrës së tij.

Të mos e harrojmë se, as vizoni, as lidershipi, as skuadra, as programi, as përkushtimi, as fuqia e shembullit nuk do të ishin materializuar dot në asgjë, nëse nuk do kishte qënë vota e qytetarëve të Tiranës, që vendosi ta rikthejë Bashkinë e Tiranës nga një fjetore e improvizuar për Kryetarin e Bashkisë, në shtëpinë e përbashkët, ku projektohen dhe realizohen ëndrrat e përbashkëta të të ardhmes.

Nuk dua të zgjatem më tutje. Dua ta mbyll me një shprehje tironse për Erionin: “Të lumtë dhe mos të humbtë”.

Shumë faleminderit!

 

***

Projekti për rijetëzimin e Sheshit Skënderbej krijon hapësira ndërveprimi midis qytetarëve dhe mjedisit publik, si edhe parasheh një seri me hapësira fleksibël e multifunksionale, që i ofrojnë Bashkisë dhe individëve mundësinë për ta gjallëruar e formësuar në mënyrë të vazhdueshme sheshin.

Projekti për rijetëzimin e sheshit “Skënderbe” parasheh:

• Hapësirë të gjelbër në 50% të sipërfaqes së sheshit, duke hijëzuar të gjitha akset kryesore të lëvizjes pedonale;

• Mbjelljen e rreth 1500 pemëve të reja dhe mijëra bimë dekorative, që e transformojnë konceptin fillestar në një hapësirë të re;

• Më shumë hijezim, për këtë arsye është projektuar që në ditët e nxehta qytetarët të kenë mundësi të ecin në perimetër të sheshit;

• Shumëllojshmëri mjedisesh dhe hapësirash, rreth 11 lulishte të ndryshme, ku secila ka një funksion të saj;

• Veshja e sheshit me gurë dekorativë e natyralë nga të gjitha trevat shqiptare;

• Ujitja dhe shatërvanët do të funksionojnë me sistem impianti ekologjik, duke filtruar dhe përdorur ujin e reshjeve.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.