Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

120 shtëpi individuale po ndërtohen në Gjepalaj të Shijakut për të gjithë banorët e dëmtuar nga tërmeti i nëntorit të vitit të kaluar, të cilët do ta festojnë Vitin e Ri nën strehën e rindërtuar.

Sot, Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministri Ahmetaj dhe nga kryebashkiaku i Shijakut Elton Arbana u dorëzuan çelësat familjeve Gjepali, Rusi dhe Doda, të cilët nga sot do të kenë një shtëpi më të mirë, më të madhe, më të fortë e më të bukur se ato që u kthyen në rrënoja një vit më parë.

“Në zonën e Bashkisë së Shijakut besoj do të kemi rreth 400 banesa të përfunduara në 31 dhjetor. Siç e kemi theksuar, midis marsit dhe majti të vitit tjetër, gjithë banesat që kanë nisur do kenë përfunduar dhe ndërkohë, siç kemi lejuar nëpërmjet VKM-së, që një pjesë e banorëve shumën e përcaktuar në bazë të vendimit, t’i marrin paratë në dorë e t’i bëjnë vetë shtëpitë. Besoj se dhe kjo do ta përshpejtojë procesin”, – u shpreh ministri i Rindërtimit Ahmetaj.

Kryeministri Rama gjatë dorëzimit të çelësave pronarëve të shtëpive u tha se “më e keqja iku, tani më e mira është përpara”. Janë plot 400 banesa individuale që do të përfundojnë deri në periudhën mes marsit dhe majit të vitit tjetër, vetëm në Bashkinë e Shijakut. Qytetarët, të cilët morën në dorëzim shtëpinë e tyre të re u shprehën falënderues, teksa disa prej tyre nuk ngurruan të shtonin se ishin fillimisht mosbesues ndaj programit të Rindërtimit.

Banorët e dëmtuar të Shijakut, ashtu si të çdo zone tjetër të vendit që u dëmtuan nga tërmeti kanë marrë bonusin e qerasë për të gjithë periudhën deri në dorëzimin e shtëpisë së re. “Kemi ulur ndjeshëm dhe numrin e familjeve që jetojnë nëpër çadra, duke bërë dhe ndarjen e granteve DS1 deri në DS3. 250 familje kanë përfituar nga programi i granteve, që do të thotë që kanë hyrë në shtëpitë e tyre duke i rregulluar dhe meremetuar”, – tha kryetari i Bashkisë së Shijakut.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.