Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Të gjithë banesat individuale të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit në Bashkinë Shijak, pjesë e Programit të Rindërtimit kanë mbaruar së ndërtuar dhe 567 familje janë rikthyer në shtëpitë e tyre të reja.

Këtë fundjavë, Kryeministri bashkë me ministrin e Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj dhe me kryebashkiakun e Shijakut Elton Arbana, u dorëzuan çelësat dy familjeve të fundit, përfituese të banesave të reja individuale.

“Janë 2 banesat e fundit që kanë mbaruar. Përpos këtyre 567 banesave, ne kemi dhe 252 familje që kanë tërhequr grantin për ta rindërtuar banesën tyre vetë. Të gjithë banesat individuale në Bashkinë e Shijakut kanë mbaruar. Paralelisht ka nisur puna për ndërtimin e 30 pallateve në qytetin e Shijakut, që po t’i shikojmë tani në këto momente janë në katin e dytë apo të tretë dhe puna vazhdon. Plot 1800 familje kanë tërhequr grantin DS1, DS2, DS3. I gjithë procesi i rindërtimit ka përfunduar në Bashkinë e Shijakut”, – u shpreh Arbana.

“Ta gëzoni”, – ishte urimi i Kryeministrit për qytetarët përfitues teksa ata e falënderuan kreun e shtetit dhe kryebashkiakun e Shijakut për punën e bërë dhe mbështetjen gjatë kësaj kohe të vështirë.

Në Shijak, puna tashmë vijon me pallatet teksa në tetor parashikohet të kenë mbaruar edhe ato. “Në Shijak nuk kemi më asnjë njësi individuale që është në pritje. Kjo reflektohet dhe në numrin e çadrave të ulura, nga 11 mijë, në nën 500 sot. Në janar të 2020-ës kishim 11 mijë, sot kemi nën 500 dhe pallatet po ecin shumë mirë edhe në Thumanë”, –  u shpreh ministri Ahmetaj.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.