Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fillimi i dhjetorit pritet të finalizojë punën për rehabilitimin e 27 pallateve me dëmtime DS1-DS2-DS3, në Shijak. Gjurmët e 26 nëntorit të kaluar thuajse janë fashitur nga këto ndërtesa, ku është punuar intensivisht në çdo apartament e në çdo mjedis publik të përbashkët.

Në disa prej pallateve të shndërruara brenda dhe jashtë, falë rikonstruksionit, ishte sot Kryeministri Edi Rama, i cili u ftua nga banorët të vizitonte apartamentet e tyre.

“Paralelisht me rindërtimin e banesave individuale në Bashkinë e Shijakut ka nisur dhe po përfundon procesi i rikonstruksionit për 27 pallate. Në këtë pallat jetojnë 16 familje. Është një pallat me dëmtime të nivelit DS3. Janë bërë meremetimet në fasadën e jashtme, janë bërë rregullimet në çdo hyrje. Kemi bërë të mundur uljen e depozitave që kanë qenë në katin e pestë, duke i përmbledhur në dy depozita të mëdha. Sot do të bëjmë meremetimin e shkallëve që është dhe faza e fundit për të bër dhe lyerjen e krejt pallatit. Në çdo pallat banorët kanë zgjedhur nga dy administratorë, të cilët kanë ndjekur të gjithë punimet,” – u shpreh Kryetari i Bashkisë së Shijakut, Elton Arbana, ndërsa tregoi edhe foto të ekspozuara të pallateve të para 1 viti, që dëshmojnë transformimin.

“Nuk i gjejmë dot fjalët për t’ju shprehur mirënjohjen. Djali ynë (Kryetari i bashkisë së Shijakut) dhe i gjithë ekipi janë munduar të bëjnë punën në mënyrën më të mirë. Ardhja juaj sot na kënaq pa masë,” – shprehet një nga banorët që mikpriti Kryeministrin Rama në apartamentin e rikonstruktuar.

“E keqja më e madhe ka ikur. Më e mira është përpara tani,” – tha Kryeministri Rama, teksa ju uroi banorëve të Shijakut hyrjen në shtëpitë që duken si të reja tashmë.

Me pas, Kryeministri vijoi inspektimin në një pallat tjetër të dëmtuar më rëndë, i cili ka nevojë për ndërhyrje në strukturë. “Këtu kemi një pallat 6 katësh. Po shikojmë meremetimin se si po meremetohen kolonat. Është një nga pallatet më të larta në qytetin e Shijakut, ku ka nevojë për ndërhyrje strukturale. Pasi kemi bërë riparimin në çdo hyrje dhe meremetimin e fasadave, sot po bëjmë ndërhyrjen në strukturë,” – shpjegoi Kryetari i Bashkisë Arbana.

Pak më tutje, një tjetër pallat trekatësh është transformuar i tëri, duke ofruar për banorët, jo vetëm apartamente më të sigurta, por edhe një mjedis të jashtëm komod dhe çlodhës.

Kryeministri Rama inspektoi të gjithë zonën rreth pallateve, ku çdo gjë do të jetë gati para Vitit të Ri 2021.

*** 

Puna vijon papushim, pa të shtuna e të diela dhe pa orare në çdo cep të zonës së prekur nga tërmeti, së bashku me të gjitha skuadrat e institucioneve qendrore e vendore, duke siguruar javë pas jave kthimin në banesa të reja individuale të familjeve në zonat rurale, paralelisht me progresin e përditshëm në zonat ku janë projektuar lagje të reja.

Në Shijak:

• Ka përfunduar 1 shkollë dhe 2 të tjera përfundojnë brenda vitit 2020;

• Nisin së shpejti edhe 3 shkolla e kopshte të tjera, nga të cilat 1 me fondet e qeverisë shqiptare dhe 2 me fondet e donatorëve;

• 400 banesa individuale përfundojnë brenda vitit dhe 67 të tjera brenda janarit 2021;

• Nisin së shpejti edhe 200 banesat e fundit për këtë bashki;

• Kanë përfunduar meremetimet për 24 pallate dhe vazhdon puna në 3 të fundit;

• 1844 familje janë shërbyer me grante rikonstruksioni nga 100 mijë deri ne 500 mijë lekë, me një total prej 408,996,303 lekë;

• 897 familje shërbehen me bonus qeraje prej muajit dhjetor 2019 deri në kthimin në shtëpi.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.