Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Besnikja është e moshuara e vetmuar nga Maminasi, të cilës tërmeti i 26 nëntorit i rrafshoi shtëpinë, ashtu si qindra të tjera në këtë zonë. Sot, ajo rikthehet për të hapur dyert e strehës së re, të ndërtuar brenda një muaji, më të fortë dhe më të bukur se ajo që humbi, ashtu siç ajo vetë shprehet, “nuk e kishte imagjinuar kurrë.”

Kryeministri Edi Rama ishte sot mik në shtëpinë e re, e cila është ndër të parat e ndërtuara në kohë rekord në këtë zonë.

“Më keni dhuruar jo shtëpi, por një vepër madhështore. Në moshën që jam unë, as nuk e imagjinoja një gjë të tillë. Ndërtuesit këtu kanë bërë një mrekulli. Ju falënderoj nga zemra,” – u shpreh Besnikja.

Në Bashkinë e Shijakut, sipas kryetarit të saj, janë mbi 508 njësi individuale që janë në ndërtim dhe për dy javë do të dorëzohen 80 banesat e para në këtë bashki.

Ndërsa Ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj shpjegoi se në ndërtimin e njësive individuale do të kenë prioritet kategoritë më në nevojë, si të moshuarit e vetmuar, familjet e policëve të rënë në krye të detyrës, apo familjet në vështirësi ekonomike. “Ky është loti i parë ka Bashkinë e Shijakut dhe Bashkinë e Kavajës. Janë 667 njësi individuale që kanë filluar të gjitha dhe në krye të 5 muajve, duke filluar nga muaji gusht, mbarojnë dhe dorëzohen. Kemi filluar t’i dorëzojmë të parat, sipas listës prioritare, siç është zonja në fjalë, apo familje si ato të policëve të rënë në krye të detyrës, të nënave të vetmuara, apo në ndihmë ekonomike. Sipas ligjit kemi ecur me përparësitë e listës, por deri në fund të vitit të 667 njësitë do të dorëzohen. Ndërkohë ka filluar dhe loti i dytë rreth 700 njësi që kap pjesën e Durrësit, Krujës, Fushë-Krujës, Thumanës.”

Krahas shtëpive individuale, të cilat po dorëzohen dita-ditës, do të vijohet edhe me banesat kolektive dhe lagjet e reja, të cilat do të sjellin standardet më bashkohore të banimit.

“Ajo që ka qenë pikë në zemër pas tërmetit, ka qenë që, kur i kam parë, tërmeti ka goditur shtëpitë e më të varfërve. Sot  është një lumturi e madhe se shtëpitë e më të varfërve po bëhen edhe më të mira se shtëpitë e shumëkujt këtu rrotull, sepse janë sipas të gjitha standardeve dhe kompanitë e ndërtimit  po bëjnë një punë të mirë. Ju e kuptoni vetë që shtëpitë individuale janë më të thjeshta se pallatet. Me pallatet në zonën e Durrësit kemi probleme sepse vetëm për t’i prishur duhen kohë. Nuk mund t’i prishim me dinamit, kështu që po i prishim pak nga pak. Për pak kohë do t’i mbarojmë ato e do të fillojmë ndërtimin atje. Po bëjmë dhe lagjen e re, por do pak durim. Ndërkohë qeratë po i paguajmë, pra, nuk jeni në rrugë. Tani duhet durim. Nuk është diçka që e zgjodhëm vetë.”

Më pas, Kryeministri vizitoi edhe shtëpinë e një tjetër të moshuare të vetmuar dhe me aftësi të kufizuara, e cila është në ndërtim dhe mbaron së shpejti.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.