Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Një lagje krejt e re, me standardet më të mira për jetesën në komunitet, do të ngrihet mbi gërmadhat e godinave të dëmtuara, të cilat nisën të shemben, duke i hapur rrugë procesit të rindërtimit.
Kryeministri Edi Rama ishte sot në lagjen “Luginë”, ku  ka nisur prishja e 18 pallateve nga 30 të tilla që do të shemben në të gjithë zonën.
Përveç godinave të vjetra të banimit do t’i nënshtrohen këtij procesi edhe disa institucione arsimore, si shkolla dhe kopshte, të dëmtuara rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit. Kryetari i Bashkisë së Shijakut, Elton Arbana shpjegoi se në këtë lagje aktualisht janë 3 objekte arsimore që po prishen, të shpallura nga Instituti i Ndërtimit si objekte me rrezikshmëri të lartë.
Kryeministri Edi Rama u shpreh se është bërë një punë fantastike, në bashkëpunim me arkitektët, Bashkinë e Shijakut dhe ministrin për Rindërtimin, për t’u dhuruar banorëve më të mirën e mundshme sa i përket standardeve të banimit, por jo vetëm. Përfitues të hapësirave të reja, me infrastrukturë moderne do të jenë edhe të gjitha ata, që kanë patur dyqane apo pika të ndryshme shërbimesh. “Shijaku pati një goditje të forte dhe të gjithë këto godina banimi kolektive u bënë të pabanueshme. Por njëkohësisht Bashkia, kryetari i bashkisë dhe ministri i  Rindërtimit, me grupin e arkitektëve italiane dhe shqiptarë kanë bërë një punë fantastike. çfarë vjen më pas është vërtetë diçka që përndryshe nuk do të imagjinohej dot, një lagje krejt e re, me godina të standardeve më të mira për jetesën komunitare, por jo vetëm kaq, por me shkolla, kopshte e çerdhe të reja, me shërbime krejt të një niveli tjetër. Edhe për ata që kanë pasur dyqane e pika të ndryshme shërbimesh do të përfitohen hapësira të standardeve krejt të tjera.”
Kryeministri tha se me gjithë këtë transformim, Shijaku do të shndërrohet në një pikë shumë të rëndësishme të turizmit të zonës.  “Pa e ekzagjeruar fare, Shijaku duke patur këtë pozicion, ka qenë gjithmonë i shkëputur nga sezoni turistik, ka qenë si xhep fals, ndërkohë që me këtë transformim do të bëhet një pikë shumë e rëndësishme e turizmit të zonës. Jam i bindur që shumë nga ky transformim do të shkojë në funksion të turizmit dhe të dhënies me qera të hapësirave në dispozicion për turistët gjatë sezonit dhe me rritje të madhe të xhiros për shkak të turizmit. Kemi aprovuar planin dhe tani jemi në process me FSHZH për bllokun e ndërhyrjeve në infrastrukturë që ka një volum goxha të rëndësishëm në gjithë këto zona dhe sigurisht për bllokun e banimeve,” – u shpreh Kryeministri Rama.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.