Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Shijaku është shndërruar në një kantier rindërtimi, ku puna nuk ndalet as ditën dhe as natën, jo vetëm për të ndërtuar banesa të reja nga themelet, por edhe për të rikonstruktuar ato me dëmtime më të lehta. 27 pallate i janë nënshtruar rehabilitimit, shtëpi më shtëpi, duke u rikthyer banorëve apartamente thuajse të ndërtuara rishtas për nga cilësia dhe standardet e rikonstruksionit.

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot Shijakun dhe inspektoi një pjesë lagjes, ku puna ka vijuar paralelisht si për rikonstruksionin e pallateve të dëmtuara, ashtu dhe për demolimin dhe heqjen e mbetjeve, si dhe përgatitjen e terrenit për themelet e pallateve të reja.

Kryetari i Bashkisë së Shijakut Elton Arbana shpjegoi se krahas rehabilitimit të strukturës është bërë dhe sistemimi i depozitave të ujit, duke rritur kështu sigurinë e ndërtesës në të ardhmen. “Këtu jemi në një nga 27 pallatet, të cilat i janë nënshtruar procesit të rikonstruksionit. Këtu janë disa pamje para se t’i nënshtroheshin procesit, ku pallatet janë totalisht të pasuvatuara. 85% e pallatit ka përfunduar deri tani. Kemi bërë fortësinë e pallatit në strukturë. Në çdo apartament familjar është ndërhyrë dhe është bërë riparim. Është bërë unifikimi i fasadës dhe të gjitha depozitat që kanë qenë lart i kemi ulur poshtë dhe i kemi përmbledhur në tre depozita të mëdha për të gjithë pallatin. Kemi vetëm për të bërë meremetimin e shkallës dhe lyerjen e pallatit,” – u shpreh kryetari i Bashkisë Arbana, teksa tregoi edhe foto të ekspozuara të pallateve para se t’i nënshtroheshin ndërhyrjeve rehabilituese.

Kryeministri Rama hyri në disa prej apartamenteve të përfunduara, për të cilat vetë banorët shprehen se asnjëherë nuk kanë qenë me të tilla standarde. Përvec rikostruksionit janë zgjidhur edhe probleme të tjera, siç është ai i furnizimit me ujë të pijshëm. “Ju falenderojmë nga zemra! Është punuar në çdo faqe muri. Kemi 40 vjet këtu dhe këto punime s’janë bërë kurrë. Po t’i krahasosh me fotot e vjetra ka ndryshuar 100%, duke nisur që nga uji. Ne më parë blinim ujë. Tani kemi pompën dhe furnizimi është shumë i rregullt,” – shprehet një nga banorët.

Për një proces sa më transparent, banorët i kanë ndjekur vetë punimet për pallatin, duke përzgjedhur përfaqësuesit e tyre. “Në çdo pallat, banorët kanë zgjedhur nga dy administratorë, të cilët ndjekin çdo punim. Është bërë një punë goxha e madhe. Të gjitha pallatet janë në proces rikonstruksioni. Për të rifituar kohë, pasi është dhe dimri përpara, ne kemi bërë rikonstruksionin e çdo apartamenti. Po punojmë me orare të zgjatura për të përmbushur objektivin tonë, që brenda dhjetorit të 2020, asnjë familje të mos mbetet pa u futur në apartamente, qofshin të reja, qofshin këto të rikonstruktuara,” – tha Kryetari i Bashkisë Arbana, i cili ndër të tjera shtoi se paralelisht me punën për banesat kolektive, po punohet edhe për rindërtimin e objekteve arsimore, një nga të cilat është edhe kopshti nr.1 me dëmtime të nivelit DS4.

Objekti i ri do të rilindë me një infrastrukturë moderne që do të përmbushë të gjitha kushtet për mësimin dhe argëtimin e vogëlushëve. “Në kopështin nr.1 për disa ditë do të fillojë faza e muraturës. Ndërtesa kishte dëmtime të nivelit DS4. Kopështi i ri, që do të mirëpresë 150 fëmijë, po ndërtohet me parametra nga më modernet që i ka munguar në vite Shijakut. Shpresojmë që brenda muajit nëntor të ketë përfunduar,” – u shpreh kryebashkiaku Arbana.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.