Vazhdon kthimi në shtëpitë e reja i familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit. Sot, Kryeministri Rama, në shoqërinë e ministrit të Rindërtimit Ahmetaj dhe kryebashkiakut të Shijakut, Elton Arbana vizitoi një nga 150 banesat individuale të rindërtuara në njësinë Maminas.
Kryebashkiaku Arbana thekson se brenda 15 janarit do të përfundojë rindërtimi i të gjitha banesave individuale në këtë njësi, ndërkohë ministri Ahmetaj thekson se brenda muajit maj, asnjë familje, e cila për arsye të ndryshme ka zgjedhur të qëndrojë në çadra, megjithëse janë trajtuar me bonusin e qerasë, nuk do qëndrojë më në çadra. “Numri i atyre që janë në çadër vjen duke u ulur. Ka qenë 11 000. Para katër javësh ka qenë 1234. Sot ka zbritur në 1058 dhe besoj me mbarimin e gjithë numrit këtu në Shijak do zbresim nën 1000. Deri në maj nuk do të ketë më në çadër. Por të gjithë ata që ka ë qenë në çadër, që kanë bërë zgjedhjen e tyre për shkaqe normale, afër dhenve apo afër tokës, kanë marrë bonusin e qerasë”, – informon ministri Ahmetaj.
***
Ndërkohë në Shijak kanë nisur punimet për ndërtimin e 9 pallateve të reja 7-katëshe. Pallatet pritet të përfundojnë për 6 muaj dhe do të akomodohen 163 familje.
“Është lajmi më i pritur për qytetarët e Shijakut. Sot është dita e parë e nisjes së themeleve. Në këto pallate kanë qenë akomoduar 125 familje dhe do të kenë mundësi të akomodohem 163 familje”, – thotë kryebashkiaku Arbana, ndërsa thekson se deri kur pallatet të përfundojnë banorët e tyre do të vazhdojnë të trajtohen me bonua qeraje.
Javën e tretë të janarit hapet kantieri i madh i Lagjes “Lugina”. Sipas kryebashkiakut Arbana, ka përfunduar infrastruktura e brendshme dhe pritet hapja e themeleve. Në Shijak, paralelisht vazhdon puna për ujësjellësin. Një Shijak, totalisht të rindërtuar nga e para, e cilëson Arbana.