Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Shijak, gjatë takimit me të prekurit e tërmetit të 26 nëntorit, për të paraqitur projektin dhe shpjeguar nga afër të gjithë procesin e rindërtimit: 

 

Përshëndetje të gjithëve!

Shumë faleminderit që keni ardhur edhe pse është një paradite pushimi!

Në radhë të parë, nuk e di a ka këtu në sallë ndonjë mësuese, apo mësues, por dua t’iu uroj të gjithë mësuesve: Gëzuar 7 Marsin!

Dua t’ju them në mënyrë të posaçme të gjithë atyre mësuesve, që mësimdhënia i gjeti në shkolla të dëmtuara rëndë nga tërmeti, se paralelisht me planet dhe projektet e shtëpive, po bëhen edhe projektet e shkollave dhe ne do t’i rindërtojmë nga e para të gjitha shkollat e dëmtuara dhe sigurisht do t’i bëjmë shumë më të mira dhe shumë më të forta se ato që ishin më parë. Në fund të fundit, kjo është dhe detyra jonë, që, në këtë krizë, ne të shikojmë edhe mundësitë, kush janë mundësitë që na jep kriza, për të bërë diçka që nuk do e bënim në rast se kriza nuk do vinte. Mundësi që na jep kriza është që ato objekte, shtëpi individuale, pallate, shkolla, kopshte, çerdhe, spitale, të cilat ishin në atë gjendje që ishin dhe që tërmeti i bëri të parindërtueshme, t’i bëjmë shumë më të mira.

Këtu në Shijak është një shembull kuptimplotë i kësaj që po them, por përpara dëshiroj të shpreh një falënderim të veçantë për ata që kanë punuar qysh ditën e parë me projektin, sepse vërtetë njerëzit kanë nevojë të hyjnë menjëherë në shtëpi, por për të ndërtuar shtëpinë ka shumë punë parapërgatitore para hedhjes së themeleve. Në këtë punë parapërgatitore janë përfshirë qindra njerëz; njerëz në të gjithë administratën tonë që merren me pronat, që merren me sigurimet e ndërtesave, merren me gjeologjinë, merren me planifikimin, por janë përfshirë dhe shumë arkitektë, të cilët qysh në krye të herës kanë shprehur gatishmërinë të fillojnë punën, pa pritur që të kenë një kontratë dhe pa pritur që të jenë të paguar.

Ajo që më duket pjesa më e bukur e kësaj është që kemi pasur dhe shumë miq të huaj, arkitektë me eksperiencë, me talent, me dëshirën që të vijnë dhe të ndihmojnë. Prandaj do ta thërras para jush, vetëm që t’i japim bashkërisht një duartrokitje, Francesco-n, arkitekti që vjen nga Italia. S’po ia jap dorën se vjen nga Italia dhe nuk i dihet. E mbase nuk dhashë një shembull shumë pedagogjik me dhënien e dorës, por, nga ana tjetër, sinqerisht jam jo fort i lumtur me gjithë këtë bombardim lajmesh nga të gjitha anët që iu bëhet njerëzve me koronavirusin, që sigurisht është një problem, sigurisht përbën një shqetësim të madh për ne, për të gjithë botën. Vende shumë të mëdha, fuqi shumë të mëdha po ndeshen me të dhe kanë, siç e shohim, vështirësi shumë të mëdha, por ajo që është e sigurt është që krahas me epideminë që ka të gjitha të panjohurat e veta, ka një infodemi, një epidemi të lajmeve të rreme, të komenteve pa asnjë bazë shkencore, që rrit shumë panikun, rrit shumë ankthin, rrit shumë pasigurinë te njerëzit. E gjitha kjo, edhe sipas të gjithë porosive që na jep në mënyrë të përditshme Organizata Botërore e Shëndetësisë, nuk ndihmon, përkundrazi, pengon shumë në përballjen me këtë epidemi. Ajo çka përfitoj nga rasti ta përsëris, është që sigurisht duhet të jemi të kujdesshëm, duhet të jemi racionalë në të gjitha kontaktet, prandaj thashë që dhënia e dorës nuk ishte shumë pedagogjike, se nuk është as çështje trimërie, as çështje karshillëku, por është çështje sigurie për shëndetin e të gjithëve dhe të jemi të kujdesshëm, të ndjekim hap pas hapi burimet zyrtare.

Deri sot në këtë moment nuk kemi asnjë rast në Shqipëri. Ka në këto burimet e infodemisë shumë gjëra që janë edhe kërcënuese për psikologjinë e njerëzve, por ka, siç e dini, sidomos këtu në Shqipëri, burime që me qëllim duan të hapin panik, shpresojnë që të bëhet ndonjë rrëmujë, urojnë që njerëzit të fillojnë dhe të humbin arsyen, të dalin rrugëve dhe pastaj të dalë ku të dalë. Ju e dini shumë mirë kush i ushqen ato burime, pse i ushqen e kështu me radhë dhe që së fundmi, gjithmonë e më shumë janë munduar të thonë se ka ardhur, por e kemi fshehur etj.. Asgjë nga këto nuk është e vërtetë dhe për më tepër është e pamundur të ndodhë, sepse ne jemi pjesë e gjithë rrjetit të koordinuar në mënyrë të përditshme me OBSH-në. Kështu që mos ardhtë kurrë, por i kemi bërë të gjitha përgatitjet tona. Nëse vjen, do ta përballojmë.

Ajo që është e rëndësishme, është që të ndjekim të gjitha porositë dhe këshillat që japin burimet zyrtare dhe të mos u referohemi përpjekjeve apo edhe produkteve të papërgjegjshmërisë së mediave, apo episodeve të turpshme, skandaloze, si një episod dje, që merrte dikush në telefon drejtoreshën e qendrës shëndetësore, jo ka alkool, jo s’ka alkool. Është një papërgjegjshmëri e madhe që influencon në psikologjinë e njerëzve dhe që s’ka të bëjë fare me realitetin e përgjithshëm, se probleme mund të ketë aty e mund të ketë këtu. Kur Franca, që është jo vetëm një superfuqi ekonomike, por edhe vendi me sistemin shëndetësor më të njohur në botë për organizmin dhe eficencën, detyrohet të bëjë sekuestrimin e të gjitha maskave nga të gjithë, sepse u bë nami kot, pasi burimet zyrtare thonë që maskat nuk iu shërbejnë njerëzve që nuk e kanë. Maskat duhen ose për personelin mjekësor që shërben, ose për atë që e ka që të mos e përhapë, por nuk duhen për të gjithë njerëzit. Imagjinoni tani se çfarë ndodh dhe sa mund të ndodhë këtu, nëse nuk jemi të vëmendshëm për ta ndarë çfarë është virus i infodemisë dhe çfarë është e vërteta për këtë.

Duke u kthyer tek arsyeja kryesore pse kemi ardhur këtu, ju them se ne po vazhdojmë intensivisht punën, edhe pse kjo është pjesë e padukshme e punës së përditshme. Ju me të drejtë, njerëzit me të drejtë thonë, kemi parë shumë nga këto, por duam të shohim kur të vijë kompania e të fillojë kantieri. Por që të fillojë kantieri duhet bërë plani, duhet bërë projekti dhe ne i kemi bërë në kohë rekord. Kemi angazhuar shumë njerëz, sepse për një plan të tillë dhe për një projekt të tillë zbatimi, për ndërtimin e kaq shumë apartamenteve do duheshin në një kohë normale të paktë 6 muaj, por ne nuk mund të presim 6 muaj. Është e qartë dhe qëllimi ynë është që ata, të cilët kanë humbur shtëpinë individuale, pra, banesën individuale, në zonat rurale apo në zonat periferike dhe që jetojnë me qera, ose në çadër, ta kalojnë vitin e ri në shtëpinë e re, pra, në 31 dhjetor të këtij viti të jenë nën çatinë e re e të bëjnë “Gëzuar!” në shtëpinë e re. Ky është objektivi ynë dhe sigurisht që mbase jo të tërë, por ne besojmë që 4000 familje do të jenë në 31 dhjetor në shtëpi. Pastaj është një pjesë tjetër e vogël, që mbase mund të mbetet dhe për ndonjë muaj më shumë, por ne do të bëjmë çmos që të gjithë këta që sot i kemi të regjistruar, që kanë aplikuar, janë konfirmuar, janë verifikuar, të hyjnë në shtëpi.

Përsa i përket apartamenteve duhet pak më shumë kohë, pak më shumë durim, pasi, siç e patë dhe nga plani, këtu nuk bëhet fjalë për të riparuar, apo për t’i ndërtuar siç ndërtoheshin më përpara. Unë kam ardhur vetë e mbase disa nga ju më kanë parë që në ditët e para pas tërmetit dhe kemi kaluar tek rruga kryesore e Shijakut. Ato godina shumë të vjetra, faktikisht ishin vërtetë keq. Edhe sikur të ishin të riparueshme nuk mundet dot që t’i lëmë fëmijët tanë që të rrinë në ato shtëpi, edhe sikur të mos kishin rrezik shembjeje. Ato të gjitha do të bëhen nga e para e do të jenë apartamente, të cilat shumica e familjeve që do t’i marrin, nuk i blejnë dot në treg të lirë. Jo vetëm do të jenë apartamente që nuk i blini dot shumica, por do të jenë falas, nuk do të paguani asnjë qindarkë.

Ky është një program shumë atipik, sepse ne i kemi parë programet e rindërtimit. Italia ka pasur shumë tërmete. Ju e dini shumë mirë, se këtu ka aq shumë lidhje me Italinë për arsye të emigrantëve. Në Itali ka sot njerëz akoma nëpër kabina, që presin shtëpinë e tërmetit që ka rënë para 10 vitesh dhe të mos i hymë faktit që asnjë shtëpi e re në Itali nuk jepet falas, japin një pjesë të lekëve grant, dhuratë nga shteti dhe pjesa tjetër është kredi. Ne do ta bëjmë siç duhet, sipas nesh, sepse në fund të fundit nuk mundet dot moralisht t’ju themi ne do ndërtojmë, por ju po ju lëmë një barrë që ta keni mendjen të shlyeni kredinë për 20-30 vjet. Nuk mund të bëhet kjo, ashtu sikundër nuk mund t’u themi atyre që banojnë në fshat që ne do t’ua ribëjmë banesën, por ju do paguani një kredi, sado e butë të jetë ajo.

Nga ana tjetër, ne mendojmë që kjo është një mundësi e madhe për t’i dhënë ekonomisë një shtytje të re. Nëse Shijaku mori një pamje tjetër dhe u bë shumë më i pëlqyeshëm me ndërhyrjen që ne kemi bërë me Rilindjen Urbane, me sheshin, me disa rrugë, rindërtimi do ta bëjë Shijakun një destinacion shumë më të vizituar dhe do ta bëjë pjesë të të gjithë sezonit turistik për një arsye shumë të thjeshtë, sepse do të jetë një qytet komplet tjetër. Faktikisht, 90% e pallateve ekzistuese do rindërtohen nga e para, që do të thotë që edhe mjediset e tyre tregtare, kafetë, baret, restorantet, pikat e tjera të shërbimeve, do të jenë në një kualitet tjetër, sepse vetvetiu edhe ju, edhe pjesëtarët e familjeve tuaja në emigracion do të investojnë. Çfarë të investosh në ato pallatet e vjetra, duke thyer penxheret, duke e bërë derë e duke bërë një dyqan! Kështu, shumë turistë vetvetiu do të vijnë këtu për të kaluar pasditen, për të kaluar një darkë.

Kjo mund të duket tani si përrallë, se unë e kam këtë, që tregoj shumë nga ato që janë në fakt ëndrra që unë i shoh me sy hapur dhe që pastaj, pak nga pak realizohen e të tjerët thonë janë përralla. Çdo ëndërr që e sheh me sy hapur, po pate vullnetin t’i shkosh nga mbrapa e të sakrifikosh për të arritur, e arrin. Ndryshe nuk do e imagjinoje dot. Kështu thoshin për Belshin, kur unë u thoja se do bëhet qytet turistik. Jo vetëm ata që e kanë zakon të thonë vetëm keq, por dhe ata që ishin pjesë, bashkë me mua, e kësaj përpjekjeje thonin ky tani e teproi, po ia fut kot. Sot, Belshi është një qytezë turistike, falë gjithë ndërhyrjeve që kemi bërë. Po kështu edhe për Pukën, kur unë thoja se duhet të zhvillojmë turizmin, dukeshin si fjalimet elektorale që kalo, thuaj rrena, ik dhe takohemi pas 4 vitesh. Puka, sot është një qytezë turistike. Mund të vazhdoj me të tjera, janë në fillimet e tyre, por do të shkojnë duke u rritur gjithmonë e më shumë ekonomikisht përmes turizmit.

Rindërtimi për ne nuk është thjesht një riparim i dëmeve të tërmetit, por është një platformë e një zhvillimi të mëtejshëm ekonomik për ju, për të gjitha familjet që do përfitojnë, që do kenë një ekonomi më të mirë, sepse do kenë një pasuri që ka shumë më tepër vlerë dhe do kenë shumë më tepër hapësirë edhe rreth e rrotull nga pikëpamja e frymëmarrjes ekonomike. Por po ashtu zhvillim ekonomik edhe për vendin, jo vetëm sepse është një shumë e madhe që futet në ekonomi, por është edhe një mundësi e madhe financiare, falë suksesit të jashtëzakonshëm që patëm në Bruksel, që ne të zgjerojmë kapacitetet tona investuese dhe ne po punojmë për një plan zgjerimi të kapaciteteve tona investuese.

Ju e keni dëgjuar, keni shumë pjesëtarë të familjeve këtu në këtë zonë që janë emigrantë, që ne po bëjmë gati amnistinë e përgjithshme fiskale dhe penale për të gjitha kursimet në të zezë të të gjithë emigrantëve, që kanë 30 vjet që punojnë dhe kursejnë, që t’i fusin nëpër banka, t’i formalizojnë e t’i kenë bazë për të bërë investime të mëtejshme dhe të mos kenë frikë të sjellin në Shqipëri lekë, të mos kenë hallin që po i çojnë lekët me bankë e po ia mbajnë 1 muaj për t’i kontrolluar, sigurisht duke përjashtuar kategorikisht paratë që vijnë nga krimi dhe duke përjashtuar kategorikisht politikanët, bashkë me familjet e tyre, gjykatësit, bashkë me familjet e tyre, prokurorët, bashkë me familjet e tyre, punonjësit e policisë, bashkë me familjet e tyre dhe gjithë zyrtarët e lartë, bashkë me familjet e tyre, të cilët nuk do ta kenë shansin që të përfitojnë nga amnistia për të pastruar para që vijnë nga korrupsioni. Të gjithë shqiptarët e  tjerë, jashtë dhe brenda vendit, do të ftohen të fusin paratë nëpër banka dhe do të kenë garanci të plotë nga Parlamenti, me ligj që është me shumicë së cilësuar, që askush, asnjëherë nuk do të kthehet mbrapa, përveçse në rastin kur mund të rezultojë që janë para politikanësh, apo janë para krimi. Kjo do bëjë që do të rritet shumë kapaciteti ekonomik i të gjithë individëve që kanë kursime dhe që duhet t’i përdorin vetëm me Cash. Do të rritet shumë aftësia e të gjithë familjeve që si kudo në botë të mund të bashkëpunojnë me bankat, se sot nuk shkon dot dikush që mund të ketë kursime nga puna në emigracion, apo mund të ketë para, të cilat nuk i ka deklaruar nga biznesi i vogël, – e dimë shumë mirë sesi funksionon, – apo nga biznesi i madh, që të shkojë me ato para e të marrë diçka nga banka, apo t’i fusin në bankë, se nuk ia pranon kush.

Sigurisht kjo do të jetë me një afat të caktuar dhe të gjithë duhet ta shfrytëzojnë këtë afat. Kush nuk do ta shfrytëzoje dhe nuk do t’i formalizojë paratë, mbas këtij afati nuk mund të thotë që nuk e dija, kur pastaj të ketë të njëjtin trajtim, siç kanë ata që sot janë subjekt i OFL-së. Shteti nuk mund t’i japë një mundësi amnistie atyre që i kanë paratë nga krimi, por duhet t’i japë një mundësi amnistie atyre që i kanë paratë nga puna. 30 vjet, një ekonomi që ju e dini shumë mirë, në 10 vitet e para nuk kishte as banka dhe njerëzit luftonin përditë, kursenin përditë, sakrifikonin përditë, sidomos në emigracion ku nuk i ka pritur njeri me lule, por kanë bërë të gjitha llojet e sakrificave. Nuk është e mundur që të vazhdojë kështu, duhet t’i japim mundësi të gjithëve.

Kjo do jetë një shtysë e fortë për familjet dhe do të jetë një mundësi e madhe për emigrantët e do të jetë një kontribut i madh dhe për Shqipërinë. Këto para do të futen në bankë, jo vetëm ligjërisht, por dhe me një komision shumë të ulët, që edhe ai komision do të shërbejë përsëri për ekonominë e përgjithshme, sepse me të ardhurat nga ai komision i ulët, ne përsëri do të bëjmë investime e po kështu, edhe të tjera investime që janë rrugës për të filluar, apo do fillojnë pak më vonë, që do t’i japin një pamje të re ekonomisë. Fokusi ynë tani është ekonomia. Jemi marrë shumë me politikën, jemi marrë shumë me të tjera tema, por kemi vendosur bazat për t’u marrë vetëm me ekonominë e për të bërë të mundur një ndryshim të madh ekonomik. Unë nuk po ju them do bëhemi të dytët pas Gjermanisë, por ndryshim të madh ekonomik brenda potencialit tonë.

Tani po punohet për projektet e zbatimit, që do të thotë për projektet inxhinierike, që kërkojnë dhe ato pak kohë, në të gjithë aspektet, sepse në bizneset individuale, modelet janë gati, janë banesa me struktura çeliku, banesa që përballojnë tërmete shumë më të forta dhe që kursejnë energji elektrike deri në 30%, pra, ulin deri në 30% pagesën tuaj vjetore për energjinë elektrike, sepse kanë një termoizolim shumë të mirë, nuk ka nevojë për të shpenzuar shumë për ngrohjen në dimër, apo për ftohjen në verë dhe janë banesa me garanci 70-vjeçare, që është një garanci shumë më e madhe, sesa e banesave të ndërtuara me tulla e llaç. Projektet janë gati dhe nga pikëpamja e zbatimit. Ndërsa për projektzbatimin e godinave me shumë apartamente duhet bërë gjithë inxhinieria dhe e gjithë pjesa që pastaj do t’i kalohet kompanive për të ndërtuar.

Në të gjitha rastet, e rëndësishme është që nuk do të kalojë shumë kohë dhe ju do të shikoni që të gjitha kantieret e projekteve të tjera që u prezantuan më përpara do të ngrihen në Shijak. Shijaku do të jetë kantieri më i madh i rindërtimit, pasi praktikisht preket në të gjithë qytetin. Të gjitha pallatet e vjetra do t’ju ikin nga sytë në vend të tyre do ndërtohet një gjë komplet tjetër. Do të jetë një qytet komplet tjetër. Kur ju them që nuk do njihni qytetin tuaj, nuk po ju bëj as propagandë, as po ju tregoj përralla, sepse as ka lidhje fare me zgjedhje, me vota, se për fat të mirë, edhe unë që po i them dhe ju që po i dëgjoni të gjitha këto fjalë do duhet të vërtetohen përpara zgjedhjeve. Nëse nuk do kenë mbaruar përpara zgjedhjeve, nuk ka shumë rëndësi, por do jenë aty para syve duke u mbaruar, ose duke u vazhduar të gjitha këto godina në kantieret e reja.

Kjo është fjala ime dhe mos e harroni që të jesh dy metra e të flasësh është shumë e vështirë sesa të jesh i shkurtër, sepse të shkurtit edhe gënjejnë dhe fshihen, kurse të gjatët e kanë të vështirë të fshihen. Kështu që këtu jemi e këtu do jemi prapë. Me shumë kënaqësi, unë do vij vazhdimisht t’i ndjek vetë kantieret, por një gjë do ju them në fund, nuk e kam pritur sinqerisht, që kryetari juaj i bashkisë të jetë vërtetë kaq i përkushtuar dhe kaq i zoti në punë.

Kjo punë që u ra kryetarëve të bashkive në zonat e tërmetit është një punë shumë e vështirë, sepse është si të të bjerë shtëpia mbi kokë dhe janë shumë gjëra për t’u bërë, shumë forca për t’u koordinuar, shumë njerëz që duhen lidhur me njëri-tjetrin e duhen motivuar për të bërë gjithë këto plane, gjithë këto projekte. E nuk është se ne shqiptarët shkëlqejmë kur vjen puna për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin në administratë, përkundrazi. Realisht jam shumë i surprizuar nga korrektesa, nga respektimi i të gjitha afateve. Ju shihni vetëm çfarë bëhet në televizor, por këta vijnë tek unë në raport 2 herë në javë. Këta shkojnë në raport çdo ditë tek ministri i Rindërtimit dhe raportimet nuk janë me kaluar radhën, por janë tamam sikur vjen në provim. Ke pasur këtë afat, e bëre, nëse jo, pse nuk e bëre?

Sinqerisht më vjen shumë mirë që në Shijak, ne kemi bërë një zgjedhje shumë të mirë dhe që ju keni një kryetar bashkie që jo vetëm ju ka qëndruar afër vazhdimisht, por ka një sens shumë praktik të organizimit të punës dhe një përgjegjshmëri shumë të respektueshme për çdo punë që bën. Që ta kuptoni që këto nuk janë llafe sa për të kaluar e sinqerisht nuk do t’i thosha në rast se vërtetë nuk do të ishin krejtësisht të vërteta. As kjo nuk ka lidhje me asgjë tjetër, përveçse me një të vërtetë që duhet ta ndajmë, por kjo nuk do të thotë që ju nuk duhet të jeni vigjilentë, sepse ka një problem me këta të rinjtë e sotëm. Janë të rinj që zgjaten para kohe, nëse i tërheq era nga lart. Kështu që në dorë e kemi, po u zgjat para kohe, i bëjmë një krasitje, por mendoj që ky nuk është nga ata që i merr balona lart, është me këmbë në tokë.

Shumë faleminderit për durimin dhe do shikohemi me siguri shumë shpejt dhe shumë më herët sesa vonë do vijmë ta hapim themelin e parë të kantiereve këtu në qytetin e Shijakut.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.