Bashkëqeverisja si Ligj i Ri – cikli i takimeve sensibilizuese vijoi sot në qytetin e Shkodrës. Kryeministri Rama informoi lidhur me transformimin madhor të shërbimeve publike, të cilat përfaqësojnë sot një realitet të ri, të çliruar nga pesha e pengesave burokratike.
Ligji i ri do të kthejë bashkëqeverisjen nga një mekanizëm i vullnetit të mirë, në një mekanizëm ligjor.
Kryeministri tha se qytetarët kanë tashmë në dispozicion një Shqipëri të re në aspektin e shërbimeve ndaj tyre.
* * *
Faleminderit për mundimin dhe për praninë tuaj! Sot jemi këtu sëbashku për të vijuar një seri takimesh sensibilizuese dhe informuese për të gjithë qytetarët lidhur me një transformim të madh të shërbimeve publike që kanë të bëjnë me dokumente, të cilin është e domosdoshme që të mësojnë dhe ta kuptojnë të gjithë qytetarët si një realitet që është aty për t’u shfrytëzuar prej tyre, duke bërë kështu shmangien e gjithë atyre pengesave që për 30 vjet kanë qenë një problem i vazhdueshëm, për njerëzit që u janë drejtuar zyrave të shtetit për të marrë një shërbim.
Them kanë qenë, jo se nuk janë akoma, por sepse nëse deri dje lëvizja dhe spostimi i këtyre pengesave ishte çështje e të ardhmes, sot kjo është një çështje e të tashmes, pasi sot ne kemi 95% të shërbimeve që shteti kryen për qytetarët, të cilët i drejtohen zyrave të shtetit për një dokument të caktuar, që janë në kompjuter apo në telefon. 95% të shërbimeve!
Shërbime të të gjitha llojeve dhe për të gjitha kategoritë. Vetëm 5% e shërbimeve nuk janë të disponueshme online për shkak se janë të lidhura domosdoshmërisht me prezencën e qytetarit, fjala vjen, kur duhet marrë një pasaportë e re apo një karte re identiteti e duhen dhënë shenjat e gishtave apo disa shërbime të tjera, por që përgjithësisht nuk janë shërbimet e jetës së përditshme. Ndërkohë që të gjitha shërbimet e jetës së përditshme janë sot në disponim pa pasur nevojë për të dalë nga shtëpia. Mjafton një smartfon apo një kompjuter apo për ata që nuk kanë as njërin e as tjetrin, mjafton të gjejnë kompjuterin më të afërt për ta bërë drejtpërdrejtë kërkesën, duke aplikuar për këto shërbime.
Kjo bën që ne në vitin ku po hyjmë, të mbyllim sportelet. Është një vendim i fortë sepse mbase në një moment të parë do të krijojë edhe pak konfuzion, por është një vendim i pashmangshëm, për të orientuar gjithë qytetarët në sistemin e ri të shërbimeve, duke faktikisht ua hequr nga kurrizi të gjithë barrën e stresit, humbjes së kohës, ryshfeteve dhe atyre torturave që i dinë të gjithë.
Sportelet do mbyllen, nuk do ketë më asnjë zyrë për të trokitur fizikisht, por me shërbimet online, trokitja do të shkojë drejtpërdrejtë aty ku duhet dhe i gjithë procesi brenda për brenda administratës, do të jetë një proces i kontrolluar kompjuterikisht dhe të gjithë zyrtarët që janë të përfshirë në sistemin e dhënies së shërbimeve, do të jenë nën monitorim kompjuterik, askush nuk do mund t’ia hedhë fajin tjetrit apo t’i shmanget përgjegjësisë për mosdhënien e përgjigjes në kohë një qytetari dhe nga ana tjetër, asnjë qytetar nuk do mund të ankohet në mënyrë të përgjithshme që “jo duhet të paguash lek, jo pa lek nuk të japi, një letër, jo këtu e jo aty”. Gjëra që edhe ndodhin patjetër se nuk është se janë fantazi, por këtu është një pikë e madhe kthese, edhe në luftën kundër korrupsionit në administratë dhe në luftën kundër ryshfetit në raportin mes administratës dhe qytetarit. E përveç kësaj, pra njëri aspekt është aspekti i shërbimeve që jepen, që janë mbi 1000 shërbime që jepen drejtpërdrejtë nga platforma e-albania, që tanimë të gjithë e njohin sepse u bë shkak pandemia që të gjithë ta njihnin, është edhe ligji i ri i cili për arsyet e mos arsyes së zotit president, është kthyer në parlament, por do të kalojë njësoj siç është dhe e kthen bashkëqeverisjen nga një mekanizëm i vullnetit të mirë, në një mekanizëm ligjor, që do të thotë, kur qytetari aplikon për një shërbim dhe shërbimi nuk i jepet në kohë sipas afatit ligjor, qytetarit i lind menjëherë e drejta, por në këtë rast jo vetëm e drejta, por i krijohet mundësia ta ushtrojë të drejtën, duke u drejtuar në platformën shqiperiaqeduam.al dhe duke e denoncuar faktin.
Ligjërisht tanimë denoncimi i qytetarit shkon menjëherë në rrugën e zgjidhjes për të gjitha rastet kur qytetari ka të drejtë natyrisht, se ka raste që nuk ka të drejtë, që nuk i takon ligjërisht dhe përgjegjësit të sanksionohen.
Ligji i ri ka dy lloj rrugësh për sanksione. Sanksioni që ka qenë aty gjithmonë, që është ndjekja penale apo administrative për të gjithë ata që konstatohet se e kanë penguar qytetarin me qëllim, ose për shkak të paaftësisë së tyre dhe një sanksion tjetër financiar, pra me ligjin e ri, për vonesat e shkaktuara padrejtësisht ndaj qytetarit në dhënien e përgjigje se të shërbimit, personat përgjegjës sanksionohen financiarisht, paguajnë nga rroga e tyre dëmin që kanë shkaktuar.
Për më shumë, besoj që është e udhës të flasë drejtorja e AKSHI-t që është edhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë dhe Informacionit që disponon dhe platformën e-albania, e cila ka udhëhequr gjithë këtë punë transformuese, këtë revolucion digjital.
Revolucioni digjital vazhdon sepse sot ne kemi mbyllur ciklin e fazës së aplikimit, pra sot nuk ka nevojë të lëvizësh nga shtëpia për të kërkuar një shërbim, sepse aplikon drejtpërdrejtë dhe ndërkohë po punojmë për të mbyllur ciklin dhe në fazën e dorëzimit online të shërbimit. Për shembull, sot nuk ka nevojë të shkosh në kadastër fizikisht për të aplikuar për një shërbim prandaj edhe kadastra do mbyllet si sportel, nuk do ekzistojë më për të aplikuar. Kështu të gjithë sekserët dhe të gjithë kanalet e llumit ku qytetarët kanë qenë edhe janë sot e gjithë ditën të detyruar të kalojnë për të zgjidhur halle me kadastrën, nuk do kenë më mundësi, por në ndërkohë, nëse sot ti aplikon për të marrë një titull pronësie ende nuk është e mundur që përgjigjen ose më saktë titullin e pronësisë ta marrësh po në kompjuter apo në telefon, pra ta marrësh online, duhet ta marrësh fizikisht.
Ajo që po bëjmë tani është që i kemi dhënë një shtysë të re, edhe një fond plus procesit të digjitalizimit të plotë të kadastrës dhe duam që brenda këtij mandati titulli i pronësisë të të vijë në telefon, të të vijë në kompjuter. Të mos ketë më asnjë lloj lidhje e komunikimi me godinat, me njerëzit në godina e të tjera e të tjera. Ti aplikon dhe brenda 1 minute, 60 sekondash, ty të vjen letra. Kuptohet, në raste ku bëhen pagesa bëhen pagesat përkatëse dhe mbaron filmi. Kjo është faza tjetër, por ama në këtë fazë ku jemi, është absolutisht e mundur që të mos shkohet fare në kadastër për të aplikuar. Aplikon online dhe për këtë arsye edhe sportelet e kadastrës për aplikime do të mbyllen.
Kjo është arsyeja pse po i bëjmë këto takime, për t’i thënë qytetarëve që keni në dispozicion sot një Shqipëri të re në aspektin e shërbimeve ndaj jush. E fundit që kam është, nëse deri sot, qytetarët për të marrë një shërbim kanë qenë të detyruar që të shkojnë dhe në zyra të tjera për të plotësuar dosjen se do të thotë zyra “ti po aplikon për të marrë një certifikatë X apo një licensë X, por duhet të më sjellësh edhe këtë, edhe këtë, edhe atë, nga 5, 6, 7 nga njëherë 10 apo 12 zyra të tjera që do të thotë që për të marrë një dokument, ti duhet të shkosh të bësh 6,7,8,10 radha. Kjo nuk do ekzistojë më. Pse? Sepse ti do bësh vetëm aplikimin e për të gjitha letrat që deri më sot edhe pse ne kemi hyrë në këtë fazë dhe një pjesë e kësaj gjëje bëhet, por prapë nuk bëhet si duhet sepse ka munguar pikërisht ky sistem.
Me këtë sistem, të gjitha letrat që deri sot je ti si qytetar që duhet të shkosh t’i marrësh nëpër zyra, do t’i sigurojë vetë ajo zyrë ku ti aplikon, duke i marrë nga sistemet e tjera përmes kompjuterëve. Pra ti, nuk do kesh më nevojë të çosh dëshmi penaliteti. Duhet dëshmia e penaliteti për një kërkesë të caktuar, por nuk do shkosh ti ta marrsh dëshminë e penalitetit, do ta marri për ty zyra përkatëse ku ti ke bërë aplikimin.
Qytetari X, Y ka kërkuar të marrë këtë licensë, duhet dëshmia e penalitetit dhe dëshminë e penaliteti e merr vetë zyra. Pra të gjithë ata që rrinë nëpër sportele prej 30 vitesh e që e kanë mendjen të shohin tek xhepat, duke pritur sikur hap kasapi dyqanin në mëngjes, 8 orë, ata nuk do shohin më njeri, por do shohin vetëm ekranin e kompjuterit dhe aty tek ekrani i kompjuterit do punojnë për çdo njeri, do mbledhin, do bëjnë dosjen gati për çdonjërin për t’ia dhënë shërbimin e nuk do i thonë “ik bëje ti dosjen gati në të gjitha pikat”.
Ky është jo një plan për të ardhmen, por një realitet sot, që duhet përdorur e të gjithë duhet ta përdorin. Tani ne, duke parë dhe eksperiencat e vendeve të tjera, e dimë shumë mirë që nëse do ta lëmë këtë gjë që të jetë një proces që deri sa i fundit fare të bindet që do ta marrë këtë punë nga kompjuteri apo nga telefoni, sportelet të rrinë hapur, kjo nuk mbaron kurrë, prandaj ne do t’i mbyllim sportelet, nuk do ketë më sportele në Shqipëri, kaq e thjeshtë është. Kush do të marrë shërbimin, do ta marri nga telefoni apo kompjuteri dhe kush thotë nuk kam telefon apo kompjuter, do ta gjejë rrugën me postën, me njësinë administrative, me tjetër e tjetër. Ne kemi dhe zyrat për shembull të ADISA. I kemi dhe në Shkodër, një arsye shumë e mirë që jep shërbime. Ajo zyrë do mbyllet, nuk do bëjë më shërbime por do t’ju shërbejë atyre që duan të marrin informacion se si mund të merren këto shërbime për shembull e do ti shërbejë dhe të rinjve për teknologjinë e kështu me radhë.
Ky është informacioni që unë dua të ndaj bashkë me të tjerët që janë këtu e ndërkohë janë dhe disa të ftuar nga ata që e kanë përdorur sistemin e që janë këtu për të dëshmuar që sistemi funksionon dhe jo rastësisht janë dhe në mosha të ndryshme. Se thonë jo pensionistët nuk dinë, jo nuk e bëjnë dot. Fare, nuk është e vërtetë. Pensionistët e përdorin në mënyrë të rregull e-albania. A e kanë mësuar vetë, a e përdorin me fëmijët e tyre, a me nipërit e mbesat, kjo është puna e tyre, por e përdorin në mënyrë të rregull e-albanian.
Sot e-albania është dera e shtetit, një derë e vetme që e ke në telefon, nuk ka nevojë fare të bredhësh, futu nëpër kthesa, hip nëpër shkallë, mbaj radha, pritu kush do të presë njëri e ka derën mbyllur, tjetri vjen në ora 9, tjetri thotë “hajde nesër”.
Dera e shtetit është e hapur 24 orë, mjafton të klikosh, shkon atje, janë shërbimet aty, merr shërbimin, aplikon, të vjen përgjigja dhe kaq. Për ato shërbime që nuk e kanë ciklin e mbyllur brenda për brenda, siç është kadastra, të vjen përgjigja dhe të thotë “filan datë paraqitu merr dosjen ose ta sjellin në shtëpi me postë”. Ky duhet të jetë sistemi!