Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Stadiumi “Loro Boriçi” në Shkodër shumë shpejt do të transformohet në një stadium me parametra europianë. Projekti i arkitektit të famshëm Peter Wilson synon të shndërrojë këtë stadium nga një rrënojë aspak dinjitoze për sportdashësit shkodranë dhe më gjerë, në një stadium modern, bashkëkohor, që i përmbush kriteret e UEFA-s.

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Shkodër ku drejtoi mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Territorit, e cila mori në shqyrtim dhe miratoi projektin për rindërtimin e stadiumit. Së shpejti ky projekt do të prezantohet edhe për publikun e gjerë në Shkodër.

Kryeministri premtoi se kjo arenë moderne sportive që do të ngrihet në Shkodër do të mirëpresë sipas të gjitha standardeve dashamirësit e futbollit, si dhe lojtarët në kompeticionet europiane.

Megjithëse vështirësitë teknike ka qenë edhe më të mëdha për shkak të ndërtimeve pa kriter rreth e qark tij, Kryeministri siguroi se do të parashikohen masat e nevojshme që stadiumi të funksionojë në bazë të parametrave të UEFA-s.

“Morëm një vendim të rëndësishëm për t’i hapur rrugë fillimit të punimeve, për të rindërtuar dhe transformuar rrënjësisht stadiumin “Loro Borici” dhe për të kthyer nga një rrënojë që nuk e meritojnë shkodranët në radhë të parë, si dashamirës të flaktë të futbollit, por nuk e meritojnë në të gjitha rastet edhe ata që e vizitojnë Shkodrën, – në një stadium që plotëson të gjitha kriteret e UEFA-s dhe që mund të çeli portat për të mikëpritur skuadrën tonë kombëtare apo skuadrat që do të ndeshen me Vllazninë në kompeticione europiane.

Ka qenë një proces i vështirë, sepse është dashur të bashkëpunohet ngushtësisht me UEFA-n. Ju e dini më mirë se unë, të paktën gazetarët që janë këtu e dinë më mirë se unë, se çfarë katrahure është bërë përreth stadiumit, i cili praktikisht është tkurrur për shkak të ndërtimeve të ububushme që ka lejuar bashkia e Shkodrës rreth e përqark tij, gjë që vështirësonte zgjidhjet për parametrat e domosdoshëm.

Kemi ftuar dhe kemi siguruar kontributin e një arkitekti të famshëm ndërkombëtar Peter Wilson, një nga arkitektet më inovativ sot në skenën e kulturës botërore. Unë mund t’u them vetëm se brenda disa ditësh do të bëjmë këtu në Shkodër, në stadium, një prezantim për të gjithë publikun shkodran, të projektit i cili do të jetë plotësisht i prekshëm me sy edhe nga joprofesionistët. Ndërkohë që, KKT është përqendruar në të gjitha aspektet teknike aq të domosdoshme për të garantuar funksionimin e plotë të stadiumit sipas standardeve të UEFA-s”.

Kryeministri siguroi se stadiumi i ri i Shkodrës do të përfaqësojë një vlerë të madhe publike, si dhe një vlerë e rëndësishme arkitektonike. Ai u shpreh se kjo vepër është një premtim i mbajtur, përkundrejt mashtrimeve të cilat qyteti i Shkodrës i ka dëgjuar mjaftueshëm nga qeverisja e mëparshme. “Unë di të them vetëm që në Shkodër janë mësuar ta kenë 1 prill gjithë vitin se i ka dërrmuar PD çdo ditë në rrena dhe i siguroj që edhe pse kjo është dita e PD, 1 prilli në kuptimin e lidhjes së saj me rrenën, kjo nuk është gënjeshtër. Kjo është një tjetër e vërtetë e rëndësishme, në kuadrin e mbajtjes së të gjithë atyre zotimeve dhe të këtij zotimi të rëndësishëm që ne kemi bërë përpara publikut shkodran , por edhe në funksion të një interesi të madh publik që e përfaqëson kombëtarja e Shqipërisë. Të jeni të bindur se nëse “Elbasan Arena” ishte një shembulli shkëlqyer i një pune i lëvduar nga të gjithë sportdashësit, nga të gjithë qytetarët dhe nga UEFA, ky do të jetë një shembull edhe më i shkëlqyer. Të jeni të sigurt se Shkodrës do t’i shtohet me këtë stadium një vlerë e madhe publike dhe një vlerë e rëndësishme arkitektonike. E përsëris, bëhet fjalë për një firmë të njohur ndërkombëtare që është firma Peter Wilson, që ka kontribuar me idetë e tij novative. Do ta shikoni vetë që stadiumi është spektakolar”.

Përsa i përket ndërtimeve të paligjshme rreth stadiumit, Kryeministri tha se kjo çështje është trajtuar me kujdes të veçantë “Është trajtuar me shumë kujdes çështja e hapësirës publike dhe do të zbatohet pikë për pikë çdo standard i UEFA-s. Për çdo shpronësim, dëmshpërblimi do të jetë sipas ligjeve në fuqi”.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.