Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Shkolla 9-vjeçare e Gosës në Rrogozhinë do të rikthehet në nëntor të këtij viti, e rindërtuar nga themelet, 6 herë më e madhe sesa ndërtesa që u rrafshua nga tërmeti i 26 nëntorit të shkuar.

Kryeministri Edi Rama ishte sot në kantierin ku po punohet intensivisht për të hapur dyert e një shkollë të re, që do të ketë 17 klasa, 4 laboratore, palestër, dhe mjedise sportive e të gjelbëruara.

Ministri për Rindërtimin Ahmetaj tha se pjesa më e madhe e punës është realizuar në vetëm pak javë: “Shkolla 9-vjeçare e Gosës po ndërtohet rreth 6 herë më e madhe seç ka qenë. Do të akomodojë 350 nxënës. Unë kam ardhur para një muaji këtu, ku gjithçka ishte në themele dhe për 30 ditë, punimet janë në fund të katit të dytë, në muret e tullave dhe do të fillojnë me instalimet e ngrohjes, ftohjes, energjisë elektrike. Jemi duke folur për një shkollë model me palestra, me laboratore.”

Shkolla do të ketë të integruara edhe klasat për sistemin parashkollor.  Gjithashtu në projekt parashikohet që nxënësit të kenë lehtësisht të aksesueshëm çdo mjedis sportiv dhe të gjelbërt të shkollës. Në mënyrë të veçantë, palestra e shkollës do t’u shërbejë jo vetëm nxënësve, por edhe komunitetit. “Aktualisht jemi në përfundim të gjithë karabinasë. E gjithë infrastruktura është me sistemin kapot nga pikëpamja e mbrojtjes termike. Është një standard i shtuar për shkollat që ka të bëjë me eficencën e energjisë.” –  shpjegoi Drejtori i Përgjithshëm i FSHZH-së, Dritan Agolli.

Ndërsa drejtoresha e shkollës u shpreh se infrastruktura e re plotëson më së miri nevojat e nxënësve dhe të komunitetit. “Jam shumë e kënaqur, edhe komuniteti po ashtu. Në krahasim me ç’ishte më parë, tani është bërë shumë mirë. Unë jam prind, jam mësuese, jam drejtoreshë dhe jam shumë e kënaqur sepse po i bëhet diçka shumë e madhe komunitetit tonë.”

Kryeministri Rama vlerësoi punën impresionuese të bërë vetëm në pak javë për ngritjen e këtij objekti : “Është bërë një punë impresionuese brenda një kohe të shkurtër. Është një volum i madh.”

Në Bashkinë Rrogozhinë do të ndërtohen 6 shkolla të reja dhe paralelisht po punohet edhe për banesat e reja.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.