Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e inaugurimit të Shkollës së Drejtorëve të institucioneve të arsimit parauniversitar:

Është një shprehje që thotë “mësimdhënia është profesioni që krijon çdo profesion tjetër”.

E vërteta është që, në fund të fundit, vendet nuk dallohen nga njëri-tjetri në shkallën e zhvillimit të tyre si rezultat i asaj që kanë, por si rezultat i asaj që dinë. Kush di më shumë, ka më shumë, kush di më pak, ka më pak dhe jo vetëm kaq.

Unë e bëj shpesh krahasimin mes Shqipërisë dhe Izraelit.

Izraeli nuk ka ujë. Shqipëria është vendi i dytë më i pasur në kontinentin tonë për burime ujore. Mirëpo Izraeli ka sistemin më ekselent të furnizimit me ujë dhe të vaditjes në botë, ndërsa Shqipëria, për kaq shumë vite, ujin e pati problemin e vet më të madh; Mungesë në furnizim, mungesë në ujitje dhe përmbytje.

Përgjigja e pyetjes “Pse vallë, kush ka, nuk ka dhe kush nuk ka, ka”, qëndron tek dija dhe patjetër që baza e dijes është shkolla. Pavarësisht të gjitha atyre që mund të thuhen sot, lidhur me çka ne kemi bërë në këto 5 vite për shkollën, duan apo nuk duan ata që nuk duan të shohin, transformimi në sistemin tonë arsimor ka nisur nga rrënjët dhe po shtrihet në të gjithë hapësirën e funksionimit të këtij sistemi.

Pa diskutim që ka në çdo aspekt shumëçka për të përmirësuar ende. Pa diskutim që ka ende boshllëqe, të meta dhe pasoja të të shkuarës që janë aktive, por pa diskutim nuk ka të krahasuar shkolla sot me atë që ishte 5 vite më parë. Këtu filloi, nga sistemi i rekrutimit të mësuesve, një sistem tërësisht i korruptuar dhe i kalbur me pasoja dramatike, në cilësinë e mësimdhënies që është transformuar në një sistem transparent dhe të pa korruptueshëm, si rezultat i dixhitalizimit të të gjithë procesit të testimit dhe të rekrutimit të mësuesve, çka ka sjellë që rekrutimi i mësuesve të mos jetë i lidhur më me politiken, të mos jetë më një proces që zhvillohet në interes të partive, në funksion të kushërinjve, apo nën diktatin e ryshfetit, por të jetë i bazuar tek dija.

Pesë vite më parë, në sistemin tonë shkollor ishte një situatë dramatike me tekstet e shkollës. I ashtuquajturi altertekst kishte krijuar një mal librash shkollorë, në funksion të një sistemi korrupsioni dhe klientelizmi të jashtëzakonshëm, që, falë angazhimit të ministres së Arsimit dhe përfshirjes së gjithë mësuesve, filloi të pastrohej. Fillimisht duke larguar 600 tekste me votë të mësuesve në gjithë territorin e Shqipërisë, si tekste pa asnjë cilësi dhe si tekste të dëmshme për procesin dhe duke nisur procesin e zëvendësimit të teksteve tona shkollore me tekstet e Oxford, Cambridge dhe të Pearson. Tekste të afirmuara botërisht për nivelin e tyre cilësor, në çdo aspekt.

Sot, unë jam shumë krenar të them se nxënësit shqiptarë nuk janë më pengje të shtigjeve të librave të prodhuar me korrupsion dhe klientelizëm, por shkojnë në shkollë me të njëjtët libra që shkojnë në shkollë simotrat dhe sivëllezërit e tyre në Europë, duke filluar nga Britania, me librat e Oxford, Cambridge dhe Pearson.

Jam po ashtu krenar që, duke filluar nga ky vit, qeveria garantoi falas këto tekste, që janë më cilësore, por janë dhe më të shtrenjta, për nxënësit nga klasa e parë në klasën e katërt. Vitin e ardhshëm do të jetën falas për nxënësit në klasën e pestë dhe deri në fund të mandatit do të jenë falas për gjithë nxënësit, nga klasa e parë në të nëntën.

Këtu vijmë tek rëndësia e madhe e këtij momenti dhe tek ndihma e vyer e Fondit Shqiptaro Amerikan që çka ka sjellë në aspektin e financave, nuk e tregon vlerën e shtuar që i ka sjellë vendit. Pikërisht sepse financat, 6.2 milionë dollarë sot, për Shkollën e Drejtorëve, për “Clean score” dhe për Qendrën e Shërbimeve Arsimore për provimet, nuk e tregojnë vlerën e madhe, shumë herë më të madhe sesa tregojnë shifrat e dijes që sjell Fondi përmes këtyre tre ndërhyrjeve. Paratë, në këtë rast, nuk duhen për të ndërtuar mure, apo për të ndërtuar rrugë, apo për të ndërtuar çati, në kuptimin fizik, por duhen për të sjellë këtu një dije të sigurt.

Shkolla e Drejtorëve është një burim dije që nuk ka të paguar. 6.2 milionë dollarë për këto tre programe mund t’i kishte gjetur dhe qeveria shqiptare, por qeveria shqiptare nuk do mund të gjente dot burimin e dijes që sjell Fondi përmes këtyre investimeve.

Shkolla e Drejtorëve do të jetë fillimi i një tjetër operacioni të rëndësishëm në kuadrin e reformës në arsim për t’u ndarë nga politika edhe në nivelin e drejtorëve. E kemi ndarë shkollën nga politika në nivelin e mësuesve. E kemi ndarë shkollën nga politika, në kuptimin që mësuesit nuk janë më nën trysni, në kuptimin që voto për mua që të bëhesh mësues, voto për mua që të heqim nga puna, por nuk e kemi ndarë shkollën nga politika në emërimin e drejtorëve apo të nëndrejtorëve.

Kemi shumë drejtorë dhe nëndrejtorë që nuk janë për atë punë. Shkolla e drejtorëve nuk do jetë thjesht një institucion, por do jetë një vend ku Fondi ka siguruar ekspertizën më të mirë ndërkombëtare, metodologjitë dhe praktikat më të mira të trajnimeve të drejtorëve të shkollave, sepse këtë që ne bëjmë sot, bota e ka bërë shumë kohë më parë.

Është koincidencë, në fakt, unë solla shembullin e Izraelit, por pikërisht nga Izraeli do të marrim një pjesë të rëndësishme të kësaj dijeje, sepse kjo është një praktikë e konsoliduar në atë vend që tek dija ka gjetur të gjithë pasurinë e vet. Vendi me mungesën më të madhe të të gjithë burimeve natyrore, jo ujin, por s’ka ujë, s’ka naftë, s’ka minerale, shkretëtirë. Faktikisht e ka gjetur ujin, e ka gjetur naftën, i ka gjetur mineralet, i ka gjetur të gjitha burimet e pasurisë në kokë, duke investuar tek dija.

Nga ana tjetër është shumë e mirëseardhur edhe pjesa tjetër e programit, që lidhet me provimet. Qendra e Shërbimeve Arsimore ka garantuar një korrupsion zero nga koha kur provimet ishin pazar. Provimet dilnin në pazar. Provimet shiteshin. Provimet bliheshin. Provimet jepeshin. Provimet merreshin, por provimet asnjëherë nuk provonin në shkallë të gjerë dijen. E megjithatë ka një hapësirë të madhe për përmirësim, për shpejtësi, për garanci, për të gjitha.

Ajo që kemi bërë me universitetin, duke garantuar meritokraci në hyrje në universitet përmes digjitalizimit të plotë të të gjithë procesit të aplikimeve dhe të rekrutimeve, çka ka sjellë sot diçka që nuk mund të mendohej dot 5 vite më parë, nuk mund të imagjinonte dot njeri, që sot djali i një ministri, vajza e një deputeti nuk e kalon dot kurrë, nuk e parakalon dot kurrë djalin e një çobani në mal, apo vajzën e një familjeje të varfër në fshat, nëse në procesin e testimit digjital, këta të dytët kanë rezultate më të mira se ata të parët.

Ashtu sikundër, edhe universitetet që financohen nga privatët, sot janë në një shkallë të re cilësie për shkak të të gjithë këtij procesi dhe nuk janë më të konkurruar nga universitete që ishin ndërmarrje fitimprurëse, që nuk donin të dinin fare as për cilësinë, as për ambiciet, as për nevojat, por thjesht merrnin lekët, jepnin diplomat, me prani, pa prani në universitet.

Për ne mbetet sfida e dijes, e fuqizimit të njohjes dhe e zhvillimit të mëtejshëm në proces të të gjithë administrimit të burimeve njerëzore, të kapitalit njerëzor që formohet dhe fuqizohet në shkollat tona, duke pasur parasysh se sa pak, – e tha drejtorja e shkollës “Fan Noli”, që është historikisht një nga shkollat model, – është bërë për t’u dhënë njerëzve, mësuesve, drejtuesve, mundësinë e edukimit në vazhdim, çka u rimor si temë dhe filloi të zhvillohet në këto 5 vite të fundit.

Shumë faleminderit Majkëll!

Më vjen shumë, shumë mirë që Fondi iu përgjigj kësaj nevoje. Më kujtohet kur e kemi bërë për herë të parë bisedën lidhur me këtë temë dhe Presidenti i Fondit, miku ynë i shtrenjtë, shqiptar i vërtetë, – se ka dhe shtetësinë shqiptare përveç të tjerash, se kombësinë e ka amerikane, – buzëqeshi dhe më tha që unë kam një njohje për këtë eksperiencë në Izrael dhe pastaj u zhvillua i gjithë projekti. E kështu jemi sot këtu, sëbashku me anëtarët dhe anëtaret e Bordit të Fondit, që gjej rastin t’i falënderoj. Duhet të jetë kënaqësi e veçantë të jeni pjesë e këtij Fondi, sepse bëni gjithmonë një rrugë të bukur dhe dy punë shumë të mira, vini vizitoni një vend të bukur si turistë, por jeni në të njëjtën kohë turistë që bëni punë, që sillni gjëra të reja dhe shijoni frytet e një pune të jashtëzakonshme, për të cilën Presidenti meriton të gjitha komplimentet tona, sëbashku me kolegët shqiptarë që e drejtojnë punën këtu, ndërkohë që ju jeni në punët tuaja në Shtetet e Bashkuara.

Dua të falënderoj në mënyrë të veçantë profesor Ethemin, i cili e di mirë dhe besoj i kupton mirë të gjithë këto hallet tanë të reformave, të përpjekjeve, sepse ka qenë në këtë detyrë dhe ka bërë përpjekje të mëdha asokohe, por ishte një kohë tjetër dhe të gjithë të tjerët të pranishmit, rektorë, dekanë, drejtorë, i bindur që nga sot, me firmosjen e këtyre marrëveshjeve, ne fillojmë një tjetër punë të rëndësishme, prej të cilës do të kenë përfitim të drejtpërdrejtë të gjithë ata që janë këtu sot të pranishëm dhe gjithë çka ata përfaqësojnë.

Shumë faleminderit dhe njëherë dhe shumë respekt për Fondin dhe për këtë dashuri fitimprurëse midis nesh.

Faleminderit!

* * *

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot, në ceremoninë e inaugurimit të Shkollës së Drejtorëve të institucioneve të arsimit parauniversitar. Shkolla synon zhvillimin profesional të drejtorëve, nëndrejtoreve në detyre dhe atyre që aspirojnë këtë pozicion, nëpërmjet procesit të trajnimit përgatitor, si dhe të certifikimit për të ushtruar këtë funksion. Në ceremoni u nënshkruan edhe dy memorandume të rëndësishme për Qendrën e Shërbimeve Arsimore dhe projektin “Clean score”.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.