Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Shkolla tashmë e rilindur, “24 maji” është gati të mirëpresë me kushte dinjitoze 500 nxënësit e saj, pas rikonstruksionit total që ju bë falë investimit model të Bashkisë së Vlorës.

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot shkollën 9-vjeçare, e cila i ka kthyer hapësirat djerrë përreth saj, në mjedise sportive bashkohore, me standarde të larta të zhvillimit të mësimit.

“Kjo shkollë daton prej 80 vitesh, dhe ka një numër të konsiderueshëm nxënësish, ka një staf mësimor mjaft të përgatitur. Është një shkollë që në vite ka dhënë nxënës të shkëlqyer, por edhe sportistë të shkëlqyer. Disa emra të shquar të shkencës dhe të kulturës i kemi të paraqitur dhe në historikun e shkollës dhe shpresojmë që me këtë ristrukturim të ri të shkollës të ofrojmë një mësimdhënie edhe më komode, edhe më cilësore”, – shpjegoi drejtoresha e shkollës.

Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli tha se infrastruktura  e re nuk ka të krahasuar me ngrehinën e dikurshme dhe se Bashkia e Vlorës është në koordinim të vazhdueshëm të punës me drejtuesit arsimorë rajonale dhe ata të shkollave në veçanti, për të nisur një vit të mbarë shkollor, sipas protokollit të masave anticovid të përcaktuar nga Ministria e Arsimit. “Këtu ku ishte një hapësirë e papërshtatshme, u shndërrua në një kënd sportiv, një fushë sporti për fëmijët, gjithashtu një fushë tenisi brenda në qendër të qytetit me mbështetjen e bashkisë dhe të miqve, si dhe një fushë basketbolli dhe volejbolli që do të përdoret për të gjitha sportet. Nuk ka të krahasuar me çfarë ishte para investimit. Mund të themi që kemi një shkollë model të standardit të lartë nga më të mirat në të gjithë territorin e Bashkisë së Vlorës, e cila është gati dhe ku drejtoria dhe stafi arsimor kanë bërë gjithçka gati sipas protokollit të standardit COVID. Jemi të gjithë së bashku duke bashkërenduar punën për të patur një situatë pozitive,” – u shpreh Leli.

Duke përshëndetur masat e marra, Kryeministri kërkoi angazhimin maksimal të stafit mësimor për t’u shpjeguar me durim situatën fëmijëve dhe për të siguruar zbatimin e të gjithë masave të përcaktuara në ruajtje të shëndetit të tyre.

“Kjo është një sfidë shumë e madhe që kemi ne, por që ju keni në radhë të parë, sepse jeni çdo ditë në këtë përballje këtë vit të ri shkollor. Na është dashur ta marrim këtë vendim shumë të vështirë. Faktikisht, mesa kemi ndjekur, të gjitha shtetet po e marrin. Është vendim shumë i vështirë, sepse edhe pse thuhet dhe faktet flasin që fëmijët preken më pak se të tjerët, e para, nuk është e vërtetë për të gjithë fëmijët kjo. E dyta, fëmijët vetë mund të jenë më pak të rrezikuar, por janë transmetues, pra, e marrin dhe e sjellin në shtëpi. Por ashtu, siç ka ndodhur dhe po ndodh në vende të tjera, do të ketë rritje të numrave. Nga ana tjetër, kostoja psikologjike e moshapjes së shkollave dhe e mbajtjes së fëmijëve nëpër shtëpi përsëri është shumë e madhe dhe pasojat që mund të lërë kjo lloj ndarje kaq e gjatë me shkollën janë realisht shumë të mëdha. Midis të dyjave, ne kemi bërë këtë zgjedhje, por në këtë zgjedhje, rolin e posaçëm e keni ju, që të jeni sa më striktë. Këtu çështja është që të jesh strikt, por të jesh sa më i duruar, sepse nuk bëhet kjo me britma, me rreshtore, me imponim, por duhet me shpjegim. Hajde shpjegoja Zahos pse nuk duhet të takohesh me shokun, pse duhet t’i rrish shokut larg, pse duhet të mbash maskën, pse duhet të lash duart vazhdimisht etj. Është shumë e vështirë. Ndërkohë që gjithë shpjegimi ynë deri tani ka qenë, takoje shokun, jepi dorën shokut, përqafoje shokun etj. E nga ana tjetër është shumë e rëndësishme për të punuar bashkë me prindërit që edhe prindërit të jenë pjesë e kësaj. Duhet punuar që gjithë bota e fëmijës të futet në një kornizë, por pa i ndrydhur dhe pa i krijuar deformacione në mënyrën e perceptimit. Është e nevojshme që t’i thuhet që kjo është e përkohshme, ne do ta kalojmë këtë gjë, por hajde shpjegoja përkohshmërinë. Kështu që është një sfidë shumë e madhe. Ju e keni këtë barrë, por nga ana tjetër duhet të punohet shumë me mësuesit. Mësuesit nuk kanë faj që të jenë të stresuar, të ngarkuar, edhe pa COVID dhe nganjëherë edhe shpërthejnë dhe u duhet shpjeguar mësuesve kjo gjë dhe ju duhet të garantoni disiplinën, të garantoni ato norma që ka Udhëzimi i ministrisë që të mos ketë kurrë më shumë se 20 veta në një klasë. Është një punë kolosale që ju duhet ta bëni dhe nuk ka kush e bën tjetër. Këtu ka shumë rëndësi lidershipi juaj, si drejtues rajonalë dhe si drejtues të shkollave, që të mos humbni ju fokusin, të mos humbni ju durimin dhe angazhimin dhe kjo çdo ditë, sepse ne nuk e dimë kur mbaron. Duhet që të bashkëpunoni me bashkinë në mënyrë intensive. Gjithashtu bashkëpunimi me personelin mjekësor që ne e kemi vënë kudo duhet të jetë intensiv,” – përfundoi Kryeministri.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.