Shkolla nëntëvjeçare “Dan Bajrami” në Bashkinë Kurbin, në prag të hapjes së dyerve për mbi 400 nxënësit e saj. Shkolla e dëmtuar seriozisht nga tërmeti i 26 nëntori i vitit të kaluar, tashmë ngrihet më e madhe, më e fortë dhe më e bukur. Rindërtimi i shkollës me 15 klasa, terrene sportive dhe 4 laboratorë tashmë është drejt fundit.
“Shkolla për shkak të tërmetit pësoi dëme të mëdha dhe tani jemi duke e rindërtuar, me një kapacitet prej 440 nxënës. Është rreth 8000 metër katror truall dhe 3200 metër ndërtim”, – u shpreh kryetarja e Bashkisë Kurbin, Majlinda Cara, në krah të Kryeministrit Edi Rama, i cili ishte sot në këtë kantier.
Kryebashkiakia Cara shtoi se përveçse si institucion arsimor, do t’i shërbejë rreth 4000 banorëve si qendër komunitare ku do kalojnë një pjesë të kohës. Përveç palestrës, shkolla ofron edhe terrene sportive të jashtme. Një fushë futbolli dhe një volejbolli e basketbolli do të jenë në dispozicion të nxënësve për orët e edukimit fizik, por dhe për komunitetin, të cilët mund ta aksesojnë pas mbylljes së procesit mësimor.
Parimi i rindërtimit , u shpreh Kryeministri Rama, si në çdo shkollë, banesë individuale apo pallat është “më e madhe, më e fortë, më e bukur”.
Rindërtimit iu nënshtrua edhe kopshti me ambiente të ndara nga ambientet e shkollës.
***
Edhe në kantierin e qendrës së re të Kurbinit vazhdon të punohet intensivisht, për të bërë të mundur që në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm një lagje krejt e re të ringrihet mbi rrënojat që la nata tragjike e 26 nëntorit. Aktualisht është në përfundim infrastruktura lidhëse dhe pritet së shpejti të hidhen themelet e pallateve të reja.