Shkollat “Hasan Vogli” dhe “Qazim Turdiu”; më të forta, më të bukura e më të mëdha

Fëmijët e mësuesit, shkollat e të cilëve u prekën rëndë nga 26 nëntori i shkuar, po kthehen e do vazhdojnë të kthehen në hapësira fantastike mësimore, me standarde të njëjta si shkollat në Bashkimin Europian.

Në Tiranë, procesi i rindërtimit të shkollave të dëmtuara nga tërmeti, falë Programit të Rindërtimit po vijon ditë pas dite. Sot, Kryeministri Rama i shoqëruar nga kryetari i bashkisë së kryeqytetit, Erjon Veliaj dhe nga ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, ishin në kantieret e shkollave “Hasan Vogli” dhe “Qazim Turdiu”, për të parë ecurinë e punimeve.

Shkolla e re “Hasan Vogli” parashikohet që në përfundim të saj të jetë me kapacitet të trefishuar. Në 1700 metrat katrorë që do të ngrihet kjo shkollë, do të jenë 25 klasa, palestër, laboratorë dhe bibliotekë.

Një tjetër shkollë që po ndërtohet më e madhe, më e bukur dhe më e fortë është edhe shkolla “Qazim Turdiu”, e cila pritet të akomodojë 1000 nxënës në kushte optimale dhe konform çdo standardi të vendeve të Bashkimit Europian. “E gjitha është në një formë L, e cila do krijojë një oborr të madh në mes. Ndërkohë edhe këtu kemi mbaru pothuajse 30% të punimeve. Plani është të mbarojmë me karabinanë deri në maj dhe të shfrytëzojmë gjithë verën për t’u përgatitur për shtatorin. Edhe këtu kemi bërë një rritje të kapaciteteve, 1000 nxënës mund të rrinë lirshëm me të gjithë standardet. Praktikisht kemi zgjidhur gjithë fluksin e nxënësve që vinin në shkollat brenda unazës për gjithë zonën e Don Boskos”, – u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

Kryeministri i konsideroi këto investime në infrastrukturën mësimore si “transformime të jashtëzakonshme”, ndërsa ministri Ahmetaj shtoi se me procesin e rindërtimit “në këto muaj kemi ndërtuar më shumë shkolla, sesa janë ndërtuar gjithsej në 30 vite”.