Shkollat “Lidhja e Prizrenit” dhe “Petrit Llaftiu” janë dy shkollat e fundit të ringritura nga e para nga Programi i Rindërtimit në Bashkinë e Shijakut. Në shtator, dy shkollat u rikthehen 550 nxënësve të tyre jo vetëm më të mëdha dhe me kushte bashkëkohore për mësimdhënie, por edhe të integruara në një kompleks arsimor me terrene sportive dhe ambiente të jashtme të përbashkëta. Kryeministri Rama, i shoqëruar nga kryebashkiaku i Shijakut Elton Arbana, inspektoi sot këto dy shkolla ku pa nga afër klasat e ambientet e tjera në të cilat nxënësit do të marrin dije.
“Është një nga 146 shkollat që nisën në të gjithë bashkitë e prekura. Kjo është e fundit që kishte nisur në bashkinë e Shijakut dhe sot kanë përfunduar dy shkolla 9-vjeçare, “Lidhja e Prizrenit” dhe “Petrit Llaftiu”. Kjo shkollë ka 80 klasa, 4 laboratorë dhe ambiente ndihmëse që i shërbejnë të dyja këtyre shkollave”, – u shpreh kryebashkiaku i Shijakut.
Shkolla shtrihet në një sipërfaqe ndërtimi prej 8000 metrash katrorë ku pjesë e rëndësishme janë edhe palestra e terrenet sportive.