Arsimi dhe formimi profesional po tërheq çdo vit gjithnjë e më shumë të rinj, si një mundësi reale për punësim në një treg pune në kërkim të vazhdueshëm për punonjës të kualifikuar. Vitet e fundit janë kryer jo vetëm investimeve direkte në shkollat profesionale, por falë ndërlidhjes me bizneset nëpërmjet zyrave të punës është arritur edhe punësimi i qindra të rinjve. Kryeministri Edi Rama, sëbashku me ministren e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, ishte sot në godinën e rikonstruktuar të shkollës profesionale “Gjergj Canco” në Tiranë, e profilizuar në Teknologji Informacioni dhe Elektro-Teknikë, ku aktualisht studiojnë mbi 800 nxënës.
Ministrja Denaj tha se në këtë shkollë janë investuar 156 milionë lekë, duke nënvizuar edhe faktin se mbështetja që i është dhënë arsimit profesional është shoqëruar me rritjen e numrit të nxënësve në shkollat profesionale me 40% vetëm në 4 vitet e fundit.
“Numri i studentëve që bëjnë praktika profesionale në biznes, sidomos ato të profileve të ngushta, është rritur dhe një hap shumë i mirë është që 49% të nxënësve që mbarojnë janë të punësuar në këto biznese ku bëjnë praktika, ndërkohë që të tjerët janë duke kryer letrat e motivimit, CV-të për t’u futur në treg. Vetëm 20% shkojnë në universitet. Nga kjo shkollë 100% shkonte në universitet. Kjo është një arritje e madhe që futen në tregun e punës,” tha drejtoresha e kësaj shkolle.
Kryeministri u shpreh se nevoja për profesionistë të të gjitha fushave, që ka lindur nga Programi i Rindërtimit, ka nxitur qeverinë t’i drejtohet me një thirrje këtyre nxënësve për t’i përfshirë në frontin e punës për rindërtimin.
“Me nxënësit e viteve të treta e të katërta profesionale që lidhen me ndërtimin, ne do bëjmë një ftesë dhe kush do dëshirojë, do përfshihet në Programin e Rindërtimit për të bërë pjesën e kohës së punës gjatë javës në kantieret e rindërtimit, se kemi nevojë edhe për punonjës të kualifikuar dhe patjetër do merrni edhe rrogë të plotë. Ne do bëjmë çmos që kompanitë që do përfshihen me rindërtimin të japin rroga të mira. Edhe ne na ndihmoni shumë, se s’kemi shumë punonjës të kualifikuar, edhe ju mësoni dhe e shënoni në historinë profesionale që ishit pjesë e rindërtimit,” u shpreh Kryeministri Rama.
Ministrja Denaj deklaroi se për këtë qëllim po punohet me ritme të shpejta me zyrën e Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Arsimit Profesional. “Ne po mbarojmë të gjithë ristrukturimin e Agjencisë dhe një zë të veçantë ka edhe ndërlidhja me Programin e Rindërtimit, si për shkollat profesionale, ashtu dhe për kurset e formimit profesional,” tha Denaj.
Sipas drejtuesve të shkollës, për këtë shkollë profesionale, të rindërtuar sipas standardeve bashkëkohore dhe të pajisur me laboratorë të fjalës së fundit të teknologjisë, ka një interes në rritje nga kompani jo vetëm vendase, por edhe të huaja në tregun shqiptar.