Shpërblimet e fundvitit, kategoritë që përfitojnë

Deklaratë për mediat e Kryeministrit Edi Rama:

Përshëndetje të gjithëve,

Mbrëmë kemi pasur një mbledhje qeverie, ku kemi finalizuar edhe projektin e shpërblimeve për Vitin e Ri për një sërë kategorish, duke ndjekur të njëjtën filozofi të një viti më parë, që është filozofia e mbështetjes së atyre që kanë më shumë nevojë dhe të atyre që kanë më shumë merita.

Kemi vendosur që të shpërblehen për Vitin e Ri:

84 mijë përfitues të ndihmës ekonomike, me 20 mijë lekë të vjetra;

68 mijë përfitues si pjesë e kategorisë së personave me aftësi të kufizuara, me 20 mijë lekë të vjetra;

372.932 pensionistë, persona që marrin pension pleqërie, pension invaliditeti dhe pension familjar, me 20 mijë lekë të vjetra;

145.580 persona që marrin pension të kooperativave bujqësore, me 20 mijë lekë të vjetra;

Personat që marrin trajtim të veçantë për punën e kryer në miniera dhe në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake, 3.595 persona, me 20 mijë lekë të vjetra edhe ata;

Personat që marrin pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, 10.660 persona, përsëri 20 mijë lekë të vjetra.

81 mijë kryefamiljarë që trajtohen me kompensim për energjinë elektrike, 20 mijë lekë të vjetra.

Kjo është gjithë paketa e shpërblimeve për personat dhe familjet më në nevojë.

Nga ana tjetër, është dhe grupi i personave me merita të veçanta.

Në këtë grup marrin të gjithë nxënësit e shkëlqyer, pra të gjithë nxënësit me të gjitha 10-ta në arsimin parauniversitar, 50 mijë lekë të vjetra; Të gjithë studentët e ekselencës, 50 mijë lekë të vjetra dhe ata. I gjithë grupi i mësuesve të spikatur, të cilët janë të dalluar në bazë të të gjitha kritereve të performancës, të përcaktuara nga Ministria e Arsimit dhe të rezultateve të shkollave ku japin mësim, në bazë të rankimit të bërë nga Ministria e Arsimit, 400 mijë lekë të vjetra dhe 300 persona të dalluar në shërbimin spitalor publik të Republikës së Shqipërisë, kryesisht infermiere, por edhe në raste të veçanta, mjekë, 400 mijë lekë të vjetra.

Është një paketë e cila edhe njëherë konfirmon plotësisht vëmendjen dhe kujdesin tonë, përtej të gjitha vështirësive financiare edhe të këtij viti tjetër reformash dhe përpjekjesh të mëdha për të siguruar rrugën e rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe për të mundësuar një të ardhme më të mirë, jo si iluzion, por si një qëllim objektiv, i bazuar në realizimin e objektivave që përcaktojnë rrugën e reformave dhe masat që i shoqërojnë reformat.

Jemi ende në një fazë të ndërmjetme. Operacioni kompleks i reformave në çdo sektor ka ecur mirë dhe do të vazhdojë pa asnjë luhatje me vendosmërinë më të madhe dhe me bindjen më të thellë se ajo që po bëjmë sot është e vetmja rrugë për të pasur nesër kushte tërësisht të ndryshme dhe mundësi shumë më të mëdha për t’u dhënë shqiptarëve shtetin që meritojnë dhe përmes shtetit që meritojnë të gjitha mundësitë për të cilat kanë nevojë të rrisin ekonominë e tyre familjare dhe të realizojnë ëndrrat dhe shpresat e tyre.

I uroj edhe njëherë Gëzuar Vitin e Ri të gjithë atyre që marrin këtë shpërblim, që është një detyrim i qeverisë, për t’i dhënë një mesazh shumë të qartë njerëzve, se pavarësisht vështirësive të reformave dhe pavarësisht dhimbjeve që reformat shkaktojnë si çdo operacion dhe çdo terapi janë të domosdoshme për të rikthyer plotësisht në funksione vitale një trup të kërcënuar nga një kancer agresiv. Po ashtu edhe më të mirëve ndër ne, për mua, shqiptarëve më të mirë, që janë nxënësit me të gjitha 10-ta në arsimin parauniversitar dhe studentët e ekselencës, që janë po ashtu një pikë referimi për të gjithë dhe një shembull i shkëlqyer nga ku të gjithë kemi çfarë të mësojmë.

Faleminderit!