Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Parku i Kryeministrisë është kthyer darkën e sotme në një mini stadium për të ndjekur ndeshjen e Kombëtares tonë me përfaqësuesen e Danimarkës, e vlefshme për raundin kualifikues të Euro 2016 që do të zhvillohet në Francë.

Të pranishëm për të ndjekur ndeshjen ishin Kryeministri Edi Rama, ambasadori i Gjermanisë në vendin tonë Helmut Hoffman, disa ministra të kabineti qeveritar si dhe një numër i madh tifozësh.

Barazimi 0-0 që kuqezinjtë arritën të merrnin, u siguroi atyre matematikisht vendin e tretë në grup që i jep mundësin për të luajtur ndeshjet e play off-it. Në kuadër të këtyre eliminatoreve, ndeshja e ardhshme e Kombëtares tonë do të jetë kundër Portugalisë në “Elbasan Arena”.

Në përfundim të ndeshjes, kryeministri Edi Rama vlerësoi shumë shpirtin e skuadrës. “Një pikë historike sepse tani jemi zyrtarisht në play off dhe kemi përpara një mundësi që nuk e kemi pasur kurrë, për të parë kualifikimet edhe drejtpërdrejtë. Gjithçka mund të ndodh për këtë skuadër që është një vlerë e madhe për këtë vend sepse është shembulli më i shkëlqyer se çfarë mund të ndodhë kur të gjithë bëhen bashkë dhe kur shpirti i skuadrës dhe i sakrificës i bashkon të gjithë edhe në momentet më të vështira.”– u shpreh Kryeministri Rama.

Pas interesimit të gazetarëve kryeministri Rama dha një mendim për anën teknike të lojës duke vënë theksin tek shpirti i sakrificës që përfaqësuesja jonë tregojë në fushën e lojës. “Pjesa e parë ishte shumë befasuese për mua, sepse patëm një kompaktësi dhe një rezistencë dhe faktikisht dukej sikur luanim me një skuadër krejtësisht të barabartë, ndërkohë që e dimë që Danimarka është një skuadër e madhe. Në pjesën e dytë ata ishin fizikisht më të fortë, por shpirti i sakrificës dhe inati shqiptar bëri mrekullinë”- u shpreh Kryeministri Rama.

Gjithashtu Kryeministri bëri të ditur se do të jetë prezentë për të mbështetur përfaqësuesen tonë edhe në “Elbasan Arena” në datë 11 shtator në ndeshjen kundër Portugalisë.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.