Kryeministri Rama vizitoi sot në Kiev, Muzeun Kombëtar të Historisë së Ukrainës në Luftën e Dytë Botërore, i cili është një kompleks përkujtimor për luftën gjermano-sovjetike. Ai është një nga muzetë më të mëdhenj në Ukrainë (mbi 300 mijë ekspozita) i përqendruar në statujën 62 metra të lartë të Atdheut, e cila është bërë një nga monumentet më të njohura të Kievit.
Tashmë pjesë e Muzeut është edhe ekspozita me artefakte të mbledhura nga lufta Rusi-Ukrainë, e cila vijon aktualisht në zonat e pushtuara nga rusët. Kjo është ekspozita e parë e këtij lloji, e cila dokumenton dëshmitë dramatike të luftës, me pasoja të rënda për popullin e Ukrainës.
Ekspozita përmban objekte të ndryshme, si sende personale të civilëve apo ushtarëve, që lidhen me ngjarje dhe momente të caktuara të luftës. Një kompozicion i veçantë është ai për fëmijët që kanë humbur jetën në këtë luftë, një nga këndet më të dhimbshme dhe të trishtueshme në këtë muzeum.
“Shpresoj që bota ta ndalë këtë horror dhe Ukraina të dalë prej tij e rilindur” – shkroi kryeministri Edi Rama në Librin e përshtypjeve të kësaj ekspozite.
Muzeu Kombëtar nuk është i vetmi në “luftën e mbrojtes së trashëgimisë kulturore”. Gjatë këtyre javëve të luftës, muzetë dhe arkivat në të gjithë vendin janë përpjekur të mbrojnë artefaktet dhe dokumentet që përfaqësojnë historinë e Ukrainës.