Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Rama përshëndeti sot krijimin e Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Gjermani, kryetar i të cilët është deputeti Taulant Balla.

Si një ndër grupet më të mëdha, në Kuvendin e Shqipërisë, Grupi Parlamentar i Miqësisë Shqipëri-Gjermani, përveçse do të forcojë dialogun politik midis dy parlamenteve, do të shërbejë gjithashtu edhe si një instrument mbështetës për çdo investitor gjerman apo kompani që është e interesuar të investojë në Shqipëri.

Në ceremoninë e rastit, Kryeministri Rama falenderoi Kryetarin Balla e pjesëtarët e këtij grupi, dhe në mënyrë të veçantë ambasadorin gjerman Helmut Hofman, për kontributin dhe mbështetjen e ofruar në funksion të forcimit të bashkëpunimit mes vendeve.

Kryeministri Rama shprehu bindjen se Grupi Parlamentar i Miqësisë Shqipëri-Gjermani, do të jetë një instrument shumë i dobishëm për forcimin e marrëdhënieve, jo vetëm mes dy parlamenteve, por dhe mes dy vendeve tona në shumë sektorë, në mënyrë të veçantë në sektorin e ekonomisë.

Duke vlerësuar rolin e rëndësishëm të Gjermanisë, jo vetëm për zhvillimin e vendit tonë në të gjitha aspektet, por për të gjithë zhvillimin e rajonit, Kryeministri u shpreh se ky është një rol kyç  i pazëvendësueshëm që do të sjellë  të tjera zhvillime shumë pozitive në rajon.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.