Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Luigi Di Maio në një komunikim për mediat, pas takimit mes tyre:
Kryeministri Edi Rama: Mirëdita të gjithëve!
Në radhë të parë më lejoni të falënderoj nga zemra, Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, shkëlqesinë e tij, Zotin Di Maio, por mund ta them me plot gojën, – edhe pse është vizita e tij e parë në Shqipëri, – një mik i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, që pavarësisht gjithë ngarkesës së punëve të përditshme gjeti kohën për të ardhur në Shqipëri dhe për të shprehur solidaritetin e Italisë, qeverisë italiane dhe të popullit mik italian me Shqipërinë, me shqiptarët në këto momente të vështira, pas katastrofës së 26 nëntorit.
Dua ta përsëris edhe njëherë publikisht, sepse, pavarësisht se e kam thënë në vijimësi, nuk do të jetë asnjëherë mjaft për ta përsëritur shprehjen e mirënjohjes më të thellë ndaj Italisë, ndaj qeverisë italiane dhe ndaj trupave të kërkim-shpëtimit dhe të emergjencave civile italiane, që ishin të parët që zbarkuan në Shqipëri dhe vunë realisht jetën e tyre në rrezik për të shpëtuar jetë njerëzish të këtij vendi.
Marrëdhënia me Italinë është një marrëdhënie e shkëlqyer dhe më vjen shumë mirë, edhe me qeverinë e re italiane, ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera në vazhdën e një tradite që asnjëherë nuk ka dhënë asnjë shenjë ndikimi të politikës së brendshme të një vendi, nga dy vendet tona, në cilësinë e kësaj marrëdhënie.
Ka shumë të shumë gjëra për të cilat Italia dhe qeveria e Italisë meriton të falënderohet. Por padashur të zgjatem shumë, dua të them se në radhë të parë e falenderoj pa masë, e falënderova edhe ministrin për impenjimin konstant të Italisë, të qeverisë, të tijin personalisht, për të shtyrë procesin e integrimit europian të Ballkanit Perëndimor dhe të Shqipërisë, në mënyrë të veçantë.
Diskutuam edhe për aspekte të partneritetit tonë strategjik me Italinë.
Italia ka qenë dhe mbetet partneri ynë kryesor, i pari në marrëdhëniet ekonomike-tregtare dhe vendi që nuk është kursyer asnjëherë në mbështetje të transformimit të Shqipërisë nga një diktaturë, në një demokraci funksionale.
Me ministrin kemi diskutuar edhe Reformën e Drejtësisë, edhe legjislacionin e ri kundër KÇK-së, pra, krimit të organizuar, kemi diskutuar edhe mbi njësinë speciale kundër korrupsionit. Ministri më ka konfirmuar atë që keni dëgjuar edhe më parë, gatishmërinë e Italisë për të mbështetur jo thjeshtë në mënyrën tradicionale me asistencë teknike, por edhe me njerëz në terren, në bashkëpunim konkret dhe të përditshëm.
Vitin e ardhshëm mbushen plot 10 vjet nga nënshkrimi i Deklaratës së Partneritetit Strategjik të Shqipërisë me Italinë dhe ne duam që këtë partneritet strategjik ta thellojmë duke vazhduar të afrohemi në të gjitha fushat e interesit të përbashkët. E faktikisht interesi i përbashkët është gjithmonë e më evident në një kohë dhe në një botë ku jetojmë, që bëhet gjithmonë e më komplekse.
Së fundmi, dua ta falënderoj ministrin për mbështetjen që Italia ka dhënë për marrjen e kryesisë së OSBE-së nga Shqipëria dhe dua ta siguroj që në këtë funksion, ne do të bëjmë më të mirën dhe do të jetë një vlerë e shtuar në bashkëpunimin tonë.
I dashur Luigi, shumë faleminderit për praninë! Fjala është për ju.
MPJ Luigi Di Maio*: Për mua ishte një kënaqësi e madhe që pata një bisedë të përzemërt dhe të frytshme me Kryeministrin Edi Rama, të cilin e falenderoj edhe për mikpritjen dhe më kushtoi këto orë gjatë të cilave ishim sëbashku. Arsyeja kryesore për të cilën ndodhem këtu, jo vetëm për të kultivuar më tej miqësinë historike që ekziston mes dy vendeve tona, por edhe për të shprehur solidaritetin e palës italiane, pas goditjes së tërmetit të datës 26 nëntor, gjithashtu për të shprehur edhe mbështetjen nga ana e emergjencave civile italiane dhe për mbështetjen gjithashtu, edhe në rrugëtimin e integrimit europian të Shqipërisë.
Përpara takimin me Kryeministrin, unë pata rastin të vizitoj edhe një kamp, të ngritur nga Departamenti i Emergjencave Civile italiane në Vorë, ku ndodhen të strehuar rreth 300 shtetas shqiptarë, ku pata rastin të marr pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të procesverbalit të dhurimit të materialeve nga ana e mbrojtjes civile italiane.
Gjithashtu, me këtë frymë, unë i theksova edhe njëherë Kryeministrit mbështetjen e palëkundur të Italisë në rrugëtimin europian të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut dhe në vijim të vendimit për mosçeljen e negociatave të anëtarësimit me BE-në, që u mor nga Këshilli Europian në datat 17-18 Tetor.
Italia këmbëngul mbi nevojën e një vendimi pozitiv për të dy vendet dhe për të caktuar edhe një datë për thirrjen e konferencës së parë ndërqeveritare dhe gjithashtu, edhe për një mandat për Komisionin për të përgatitur edhe kuadrin e negociatave. Në këtë frymë i shpreha Kryeministrit, edhe urimin dhe dëshirën tonë që të gjithë aktorët politikë të angazhohen edhe më tej në rivendosjen e një klime politike të tillë, në mënyrë që të mos komprometojë rrugëtimin e integrimit europian të Shqipërisë dhe gjithashtu të bëjë të mundur që të shfrytëzohen më së miri dhe plotësisht potencialet në rritje të vendit, duke favorizuar dhe një ulje të tensioneve dhe një çelje apo hapjen e kanaleve të përballjes dhe të dialogut.
Përsa i përket planit dypalësh, marrëdhëniet tona janë të shkëlqyera. Italia është partneri i parë tregtar me Shqipërinë dhe është investitori i parë i huaj përsa i përket numrit të sipërmarrjeve. Gjithashtu, ne kemi edhe të dhëna të rëndësishme që bëjnë të mundur të çojmë dhe zhvillojmë më tej marrëdhëniet tona.
Ne do të jemi të lumtur që të fuqizojmë më tej luftën tonë të përbashkët ndaj korrupsionit dhe një bashkërendim më të mirë të veprimtarive të autoriteteve përkatëse, duke rritur gjithashtu fluksin e informacioneve, të shkëmbimeve, jo vetëm të informacioneve, por edhe të përvojës.
Ka qenë vërtetë një bisedë mjaft e frytshme, sepse, sikundër pata rastin që t’i theksoj edhe njëherë Kryeministrit afërsinë dhe praninë e Italisë ndaj Shqipërisë, jo vetëm për anëtarësimin e Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut, por edhe përsa i përket çështjes së goditjes së pësuar nga tërmeti. BE-ja mund të bëjë më shumë e do të bëjë më shumë. Faktikisht, ato burime që u vunë në dispozicion përbëjnë vetëm hapin e parë dhe fazën e parë të ndihmave, sepse populli shqiptar nuk do të lihet vetëm nga populli italian dhe në ditët në vijim do të kemi rastin, edhe në takime në nivel europian, ku edhe Kryeministri Conte, por dhe Italia, në të gjitha takimet e tjera paralele do të bëjë të mundur dhe të pranishme ndihmesën që duhet t’i jepet Shqipërisë për t’iu rikthyer normalitetit dhe kjo duhet të bindë gjithashtu edhe Komisionin Europian, që t’i qëndrojë pranë popullit shqiptar.
Ne do punojmë gjithashtu fuqishëm edhe në Konferencën e Donatorëve dhe këtu kemi edhe kreun e Departamentit të Emergjencave Civile italiane, që ndodhet këtu me mua dhe i shpreha gjithashtu Kryeministrit që do vëmë në dispozicion teknikët tanë, në mënyrë që të hartojmë një vlerësim paraprak të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti, në mënyrë që Konferenca e Donatorëve të ketë një kuadër të qartë të situatës. Urojmë gjithashtu që Konferenca e Donatorëve të mund të zhvillohet në Tiranë. Vendi është i rëndësishëm, por është ende më e rëndësishme niveli i afërsisë që do tregojnë të gjitha shtetet anëtare ndaj Shqipërisë. Është një rast dramatik dhe i shpreh ngushëllimet e mia Kryeministrit dhe të gjithë familjeve të viktimave që humbën të dashurit dhe familjarët e tyre, por përbën dhe një rast për të shprehur afërsinë e institucioneve europiane ndaj Shqipërisë, sepse Shqipëria është vërtetë një vend mik për Italinë, por edhe për BE-në.
Puna që mund të bëjmë sëbashku edhe në luftën ndaj fenomeneve të paligjshme, të dukurive të paligjshme, që në njëfarë mënyre prekën të gjithë zonën e Mesdheut sepse sikundër e thashë, ne luftojmë nëpërmjet implementimit të ligjeve të reja. Kemi një ligj të ri për evazionin fiskal, për korrupsionin, por sinergjitë e përbashkëta dhe puna e përbashkët mund të bëjë të mundur edhe rritjen e investimeve nga ana e sipërmarrjeve italiane, nga investitorët privatë dhe ajo çka mund të bëjmë sikundër ia shpreha komplimentet edhe Kryeministrit, kur politikat e zhvillimit të turizmit në këtë kuadër, Shqipëria pozicionohet gjithnjë në mënyrë pozitive. Shqipëria duhet theksuar që është një vend shumë i bukur gjeografikisht.
Do doja gjithashtu që të përfitoj nga rasti të përshëndes edhe ambasadorin italian Alberto Cutillo, i cili ka punuar ngushtësisht me të gjitha institucionet shqiptare dhe kemi nevojë edhe ne si Ministri e Jashtme për praninë e tij dhe i uroj punë të mbarë ambasadorit në detyrën e re që i është caktuar, sepse puna që ai ka kryer gjatë këtyre viteve ka qenë tejet e rëndësishme. Gjithashtu edhe stafi diplomatik i akredituar këtu ka dhënë ndihmesën e tij, në mënyrë që të kultivohet më tej miqësia jonë dhe marrëdhëniet tona.
Një falënderim i veçantë Zoti Kryeministër dhe sikundër e them gjithnjë juve dhe popullit shqiptar, Italia është këtu, është një mik i vërtetë dhe i madh dhe ju gjendemi pranë në gjithë këtë proces dhe në zgjerimin e BE-së, që është një proces tejet i rëndësishëm, jo vetëm për Europën, por edhe Ballkanin.
Ju faleminderit!
* Përkthim simultan