Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Deklarata e ministres për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito:

“Mirëdita të gjithëve, një vit të mbarë!

Sot, kabineti qeveritar ka zhvilluar një takim të gjatë me fokus, planifikimin, objektivat, dhe prioritetet e qeverisjes për 300 ditët.

Bazuar në eksperiencën pozitive të 100 ditëshit të parë, ne jemi besimplotë se përmes një plani konkret për çdo ministri, sigurisht të bazuar në programin tonë qeverisës, do të jemi në gjendje tu përgjigjemi pritshmërive shumë të larta të atyre që na kanë votuar dhe të gjithë shqiptarëve.

Po ashtu, sot përfunduam dhe përgatitjet e takimit të përbashkët të qeverisë së Kosovës dhe të qeverisë së Shqipërisë, i cili do të mbahet ditën e shtunë, në Prizren.

Disa marrëveshje do të nënshkruhen nga të dyja qeveritë, mes të cilave po citoj: Nënshkrimin e dokumentit për bashkëpunim dhe partneritet strategjik midis dy vendeve; nënshkrimi i marrëveshjes midis dy qeverive për bashkëpunim në lehtësimin e tregtisë; nënshkrimi i marrëveshjes mes dy qeverive për bashkëpunim në fushat e transportit dhe infrastrukturës; thellim të bashkëpunimit dypalësh në fushën e integrimit evropian.

Gjithashtu kemi dhe dy projekte për Preshevën; një propozim për bashkëfinancim të pajisjeve mjekësore për maternitetin e Preshevës dhe gjithashtu miratimin e një propozimi për krijimin e një fondi të përbashkët për zhvillimin  e Preshevës.

Në fund të takimit mes qeverisë së Kosovës dhe qeverisë së Shqipërisë, do të bëhet nënshkrimi formal i këtyre marrëveshjeve dhe gjithashtu të dy kryeministrat do ti përgjigjen interesit të mediave të pranishme aty.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.