Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Bukuresht, Rumani. Kryeministri shoqërohej nga Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, Kreu i Grupit të deputetëve socialistë Gramoz Ruçi dhe Nënkryetari i grupit Taulant Balla.

Delegacioni shqiptar u prit nga Kryeministri Ponta në Pallatin Viktoria, me një ceremoni zyrtare mirëseardhjeje, me nderime ushtarake.

Kryeministri Rama dhe Kryeministri Ponta zhvilluan një takim kokë më kokë, i cili u pasua nga bisedimet mes dy delegacioneve. Nga takimet u konstatua vullneti reciprok për të intensifikuar marrëdhëniet dypalëshe dhe për të zgjeruar rrugët e bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë.

Në përfundim të bisedimeve u nënshkrua Marrëveshja e Mbrojtjes Sociale. Marrëveshja u nënshkrua nga Ministri Veliaj për palën shqiptare dhe Ministrja e Punës, Familjes, Mbrojtjes Sociale dhe të Moshuarve, Rovana Plumb, për palën rumune.

Marrëveshja e Mbrojtjes Sociale bën të mundur njohjen e viteve të siguruara të pensionit për emigrantët shqiptarë që jetojnë në Rumani dhe anasjelltas. Subjekt i Marrëveshjes janë të gjithë shtetasit shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Rumani, numri i të cilëve është rreth 5.000 vetë. Gjithashtu, nga zbatimi i marrëveshjes përfitojnë edhe shtetasit rumunë, të cilët vijnë në Shqipëri për të punuar.

Përfitimet kanë të bëjnë me përfitimet në të holla në rast sëmundjeje apo aksidente në punë nga skema e sigurimeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore, si dhe përfitimet në natyrë nga skema e detyrueshme e sigurimit të kujdesit shëndetësor. Me këtë marrëveshje krijohet mundësia e bashkimit të periudhave të sigurimit. Llogaritja e masës së pensionit llogaritet duke marrë në konsideratë të dy periudhat, por pagesa e pensionit do të përballohet proporcionalisht nga secili shtet. Zbatimi i marrëveshjes do të mundësojë eksportimin e përfitimeve nga Shqipëria në Rumani, kur personi qëndron apo ka vendqëndrimin në Shqipëri dhe anasjelltas.

Takimi në selinë e qeverisë rumune u mbyll me deklaratat e përbashkëta për shtyp të dy kryeministrave.

 

Më poshtë e plotë konferenca e dy kryeministrave:

 

Kryeministri rumun Victor Ponta:  

“Mirëdita!

Do të doja dhe njëherë t’i uroja mirëseardhjen Kryeministrit të Shqipërisë, zotit Edi Rama. Mund të them se është një mik shumë i ngushtë i imi. Është gjithashtu një partner në të gjitha projektet që Rumania dhe Shqipëria kanë ndërmarrë për të ardhmen.

Jam i gëzuar dhe i lumtur që përveç diskutimeve mbi problemet politike, zoti Rama ka dhe disa evenimente të karakterit kulturor në Bukuresht. Besoj që promovimi i librit në prapaskenat e fuqisë do të jetë një eveniment shumë interesant. Tek ne të gjitha prapaskenat e pushtetit i gjen përditë në televizor. Por këto janë shenjat e demokracisë dhe unë dëshiroj që Rumania të mbetet një nga mbështetëset kryesore në procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Në fakt, një nga temat kryesore të diskutimeve me zotin Kryeministër të Shqipërisë është pikërisht ekspertiza dhe mbështetja që Rumania përgatit në mbështetje të integrimit europian të Shqipërisë. Edhe për vendet e tjera fqinje dhe mike të rajonit, të cilat ende nuk janë integruara në Bashkimin Europian, qëndrimi i Rumanisë është ai që ka qenë, qëndrimi i duhur dhe korrekt.

Përveç mbështetjes që Rumania u ofron të gjithave vendeve për aderim në Bashkimin Europian, kemi diskutuar për probleme konkrete, sidomos në fushën e energjetikës. Rumania ka një mbishtesë të prodhimit të energjisë elektrike, shkak për të cilën Shqipëria mund të përfitojë nga kjo gjë dhe duhen gjetur mundësitë kontraktuese me Shqipërinë në fushën e energjetikës.

Gjithashtu sa i takon forumit tregtar që është hapur në Tiranë, ne vendosëm intensifikimin e aktivitetit të këtij forumi.

Kemi nënshkruar sot marrëveshjen që ka të bëjë me mbështetjen sociale. Së shpejti, ministrat e të dy vendeve do të paraqesin projektet dhe propozimet e tyre në lidhje me implementimin e kësaj marrëveshjeje në fushën e mbështetjes sociale. Gjithashtu, edhe bashkëpunimi në fushën e shkëmbimeve kulturore, si dhe të të mirave kulturore të të dy vendeve tona.

Në përfundim dua të them se Rumania do të vazhdojë dhe dëshiron të luajë një rol të rëndësishëm në kontekstin rajonal, të ruajë dhe të forcojë marrëdhëniet shumë të mira jo vetëm me vendet që janë anëtare të BE, por edhe ato që ende nuk bëjnë pjesë në BE. Ashtu sikundër aderimi i Shqipërisë në NATO përbëri një hap pozitiv për forcimin e sigurisë në gjithë rajonin, gjithashtu dhe integrimi i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian do të përbëjë një mbështetje dhe një ndihmë të padyshimtë edhe për Rumaninë.

Edhe një herë faleminderit për vizitën tuaj dhe gjej rastin ta falënderoj paraprakisht zotin Kryeministër Edi Rama evenimentin e lançimit të librit që do të zhvillohet sot.”

 

Kryeministri Edi Rama:

“Shumë faleminderit i dashur miku im Victor!

Rumania është një vend mik, me të cilin na lidh historia, na lidh kultura, na lidhin qindra e qindra studentë, si dhe plot emra të njohur dhe familjarë. Po ashtu, na lidh me Rumaninë edhe një bashkëpunim jashtëzakonisht i ngushtë mes dy qeverive tona.

Në 18 mars të një viti më parë, Kryeministri Ponta erdhi në Tiranë dhe folëm për rrugët e forcimit të bashkëpunimit mes nesh.

Sot kam kënaqësinë të them se çka kemi folur ka filluar të kthehet në hapa konkretë dhe me rezultate konkrete. Kemi firmosur një marrëveshje të rëndësishme për mbrojtjen sociale, e cila i garanton të gjithë ata që punojnë këtu, lidhur me kontributet e tyre. Po ashtu, reciprokisht edhe qytetarët rumunë që punojnë në Shqipëri. Jemi në prag të finalizimit të një tjetër hapi të rëndësishëm që do të sigurohet me marrëveshjen ndërmjet dy ministrive të Arsimit për një kuotë bursash për studentët shqiptarë që do të vinë të studiojnë në fushën e IT-së.

Po shkojmë drejt finalizimit të një marrëveshjeje të parë, por jo të fundit, në fushën e bashkëpunimit për energjinë, për të mundësuar të përfitojmë reciprokisht nga surplus-i i prodhimit të energjisë që ka Rumania. Nga ana tjetër, i jam mirënjohës Kryeministrit për gatishmërinë, për të na mbështetur menjëherë në projektin tonë të përbashkët me Komisionin Europian për ndërtimin e një rrjeti ekspertësh në ministritë dhe agjencitë tona që do të na këshillojnë dhe ndihmojnë në procesin e integrimit dhe posaçërisht në përgatitjen për procesin e negociatave në Bashkimin Europian. Bëhet fjalë për ekspertë të cilët e kanë bërë këtë proces në Rumani apo në vende të tjera që sot janë të integruara në Bashkimin Europian dhe që janë të gatshëm të vijnë të punojnë në Tiranë, sigurisht për t’iu gëzuar edhe bukurisë së vendit tonë, por edhe për të bërë punën.

E fundit, jo për nga rëndësia, kërkesa ime e përsëritur dhe urimi im që Rumania ta njohë Kosovën dhe t’i japë mundësi Kosovës që të shkojë më tutje në procesin e njohjeve, duke u përfshirë në familjen e atyre vendeve të mëdha demokratike dhe partnere që tanimë e kanë njohur Kosovën. Ne besojmë që sot njohja e Kosovës nga Rumania dhe nga vendet e tjera europiane nuk është më një çështje bilaterale, por është një çështje e përbashkët e sigurisë së hapësirës sonë të përbashkët europiane dhe e fuqizimit të lidhjeve në këtë hapësirë, për të mos lejuar që të tjera forca të mund të influencojnë duke përfitua nga frustrimi dhe nga çfarëdo izolimi.

Faleminderit shumë!”

 

***

Axhenda e Kryeministrit Rama vijoi me takimet në Pallatin e Parlamentit, ku u prit në takime të veçanta nga Kryetari i Dhomës së Deputetëve, Valeriu Zgonea dhe Presidentin e Senatit Călin Popescu-Tăriceanu.

Gjithashtu, Kryeministri zhvilloi një takim me Kryetarin e Bashkisë së Bukureshtit, Sorin Oprescu.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.