Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

 

Fjala e Kryeministrit Edi Rama, në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin e Turqisë Binali Yıldırım

Shumë faleminderit i nderuar Kryeministër!

Dua t’u siguroj ju si një mik i çmuar, se Shqipëria dhe shqiptarët kudo ku jetojnë janë bashkë me popullin e Turqisë në këtë ditë hidhërimi. Ne jemi krah për krah me qeverinë tuaj në luftën kundër murtajës terroriste që vret dhe gjakos në emër të një zoti, që vetëm me Zotin dhe me porositë e profetëve nuk ka asnjë lidhje.

Në emër të popullit shqiptar u shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera familjeve dhe të afërmve të viktimave dhe nga Ankaraja, në këtë Muaj të Shenjtë të Ramazanit, u them në unison me një hadith mallëngjyes të Profetit “besimtari i vërtetë është ai, të cilën njerëzimi nuk i ka frikë as vrazhdësinë e gjuhës dhe as forcën e krahut.”

Këtë fjalë të ndritur dhe në fakt si çdo fjalë dhe faqe të librave të shenjtë e gjakosën dhe e përdhosën edhe njëherë mbrëmë, – njësoj si në mbrëmjen e përgjakshme në Paris apo në masakrën e ngjashme në Bruksel, – vrasësit mizorë, të kalimtarëve të pambrojtur. Por këtë herë dhe duke shkatërruar familje, që në këtë Muaj të Shenjtë i janë përkushtuar paqes dhe lutjeve të Ramazanit.

Prandaj, nëse Papa Françesku ka të drejtë kur thotë se ka nisur një luftë e tretë botërore, fitorja e të dytës na mëson se asnjë dasi, nuk e justifikon mosbashkimin e të gjithëve përballë barbarisë që synon të shfarosë të gjitha dallimet, që e bëjnë botën tonë një vend ku ia vlen të jetohet dhe të luftohet për ta bërë atë më të mirë, më paqësore dhe më të lirë.

Jam i bindur njësoj si kryeministri Yıldırım, që ata që e zhytën sot në zi Turqinë, në një ditë të muajit të shenjtë, kurrën e kurrës, nuk do ta pengojnë as këtë vend të bekuar dhe as fuqinë e ëndrrave dhe të shpresave të të gjithëve ne, besimtarë ose jo besimtarë, të bashkuar në sofrën e njerëzidashjes.

E në këtë sofër të njerëzidashjes Shqipëria dhe Turqia janë bashkë prej kohësh. Ne kemi parë me kënaqësi të gjithë panoramën e gjërave që na lidhin dhe na bashkojnë dhe po ashtu kemi konstatuar se potenciali për të bërë më shumë është i jashtëzakonshëm.

Së bashku me kryeministrin Yıldırım ne jemi angazhuar për të çuar përpara një proces intensiv bashkëpunimi për rritjen e mëtejshme të shkëmbimeve ekonomikë dhe tregtare, po ashtu dhe të shkëmbimeve në fushën e arsimit dhe të kulturës, duke bërë që ajo çka ne ushqejmë për njeri-tjetrin si popuj dhe si vende të mos jetë kaq herë më shumë, sesa ajo që në bëjmë realisht nga pikëpamja e shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare.

Edhe njëherë më lejoni falënderoj kryeministrin për mikpritjen e tij bujare dhe për faktin që iu përmbajt plotësisht ftesës, edhe pse në një ditë shumë të vështirë, gjë që e bën të shumëfishtë mirënjohjen time.

Kryeministri tha që unë jam mysafiri i parë i tij pas zgjedhjes në detyrë. Unë i thashë që mysafiri më i gjatë kam qenë edhe në vende të tjera, por kjo është hera e parë që jam mysafiri i parë dhe shpresoj shumë që bashkë me kolegët që kemi ardhur nga Tirana t’ju sjellim mbarësi në këtë detyrë kaq të vështirë, por njëkohësisht edhe kaq fisnike për t’i shërbyer Turqisë dhe mes shumë të tjerave edhe marrëdhënieve me Shqipërinë dhe shqiptarët që janë miq të pandashëm të popullit turk.

 

Përveç çështjeve të sigurisë, që sigurisht është një çështje e ditës, a keni biseduar edhe për çështje ekonomike dhe rritjes së prezencës së investitorëve turq në Shqipëri?

 

Kryeministri Edi Rama: Çka tha kryeministri është plotësisht thelbi i gjithë bashkëbisedimit që patëm sëbashku, por dhe i bashkëbisedimit që pata më parë me Presidentin Erdogan, të cilit, po ashtu, i shpreha ngushëllimet për tragjedinë e mbrëmshme, e më pas u ndalëm gjerë e gjatë në potencialin e madh të kësaj marrëdhënieje speciale mes Turqisë dhe Shqipërisë, të këtij partneriteti strategjik mes dy vendesh që kanë shumë gjëra që i afrojnë, i bashkojnë, por dhe shumë gjëra që mund të bëjnë së bashku.

Sigurisht që, në ekonomi Shqipëria është më shumë sesa një vend mikpritës, është një vend tërësisht i hapur për investimet nga Turqia në çdo sektor. Folëm edhe për sektorin bankar. Folëm edhe për sektorin e ujit. Folëm edhe për çka mund të bëjmë së bashku në drejtim të projekteve, jo vetëm kombëtare, por dhe rajonale që lidhen me energjinë dhe sigurisht edhe për sjelljen e më shumë kompanive që krijojnë vende të reja pune dhe që përfitojnë nga një sistem trajtimi fiskal i favorshëm dhe me një afërsi gjeografike shumë te favorshme, në kushtet ku do të arrijmë të krijojmë sëbashku, – shpresoj dhe me kontributin e drejtpërdrejtë të kompanive turke – zona të reja ekonomike. Mendojmë që jemi në kushtet kur mund të hapim një faqe të re në këtë bashkëpunim.

Gjithë afërsia dhe siguria që është krijuar në një marrëdhënie, ku në fushën e sigurisë kemi një sukses të plotë dhe në fushën e përballjes së përbashkët të sfidave që kanë të bëjnë me terrorizmin, apo me paqen në botë, në kuadrin e NATO-s kemi një sukses të plotë, – patjetër që janë të gjitha kushtet për të pasur një sukses të plotë edhe në këtë aspekt, që nuk është fort i lehtë sepse është dashur një kohë për ta hapur syrin e investitorëve turq ndaj një vendi që deri dje ofronte pak garanci, apo ku jo pak kompani turke kanë pasur arsye të kthehen mbrapsht, të palumtur me mënyrën se si janë trajtuar.

 

***

Kryeministri Edi Rama u prit në një ceremoni zyrtare me nderime ushtarake nga Kryeministri turk Binali Yildirim, i cili shprehu kënaqësinë që të priste shefin e qeverisë shqiptare si të parin Kryeministër në Ankara, pas marrjes së detyrës disa javë më parë.

Sfidat e përbashkëta në fushën e sigurisë dhe ekonomisë ishin temat kryesore të bisedës mes dy kryeministrave dhe delegacioneve që i shoqërorin.

Më pas të dy kryeministrat zhvilluan një konferencë të përbashkët për shtyp.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.