Përshëndetje!
Jemi më pak se 24 orë nga ardhja e Papës, që ndalesën e parë do ta ketë pikërisht këtu, në këto mjedise të aeroportit “Nënë Tereza” në Rinas. Mjedise të cilat janë rinovuar së fundmi, edhe për pritjen e Atit të Shenjtë, i cili i përgjigjet me vizitën e tij, ftesës personale të Kryeministrit Edi Rama.
Si çdo familje që kujdeset veçanërisht kur pret një mik të shtrenjtë, edhe Qeveria Shqiptare, Shteti Shqiptar, këto dy muaj u mobilizua, u organizua për të pritur mikun e shtrenjtë dhe të gjithë miqtë e tjerë, që vijnë për këtë ngjarje me përmasa botërore. Pohoj që nuk ka qenë e lehtë, që në një kohë kaq të shkurtër të realizonim gjithë objektivat dhe projektet tona. Jo sepse nuk dimë a nuk mundemi, por se nuk mendonim që kjo ngjarje duhej të reduktohej në protokollin e një dite. Kjo duhej të ishte ngjarja e kësaj vjeshte, ngjarja e këtij viti. Ngjarje për Tiranën, për Shqipërinë, për shqiptarët, për rajonin. Ngjarje me shumë dimensione, kulturore, shpirtërore, sociale dhe historike.
Por ishte ky mobilizim i fuqishëm, edhe për të përkthyer dy mesazhet që Papa ka përcjellë për vizitën e tij në Shqipëri. Në kujtim të vuajtjeve të këtij populli, të cilit barbarisht iu hoq për 40 vjet e drejta e besimit dhe lirisë së mendimit. Për të përshëndetur gjithashtu, si motiv të dytë, këtë vend, ai vjen me një synim të veçantë, për të përshëndetur këtë vend i cili diversitetin e tij ndërfetar e jetoi dhe e jeton paqësisht, pa prodhuar konflikt, duke dhënë me këtë një shembull të shkëlqyer se mund të jemi bashkë, edhe duke qenë ndryshe.
Kjo ishte arsyeja pse përshpejtuam punimet rehabilituese në disa zona, siç është sheshi “Nënë Tereza” dhe zona përreth, Pallati Kongrese, Muze Historik, aeroporti. Kjo ishte arsyeja, pse ndërtuam gjithashtu një kalendar shumë të pasur kulturor, i cili u shtri jashtë kryeqytetit dhe vazhdon përtej datës 21 shtator.
Sot, unë jam këtu, para jush, jo vetëm bashkë me ekipin tim, zonjën Elvira Kokona që ka qenë drejtuese e të gjitha punimeve teknike dhe kthejmë kokën pas, në këto javë pune intensive dhe me cilësinë e kryetares së Komisionit të Shtetit për organizimin e kësaj vizite nuk mund të mos falënderoj për një bashkëpunim shembullor, të gjithë ata që kontribuuan dhe vazhdojnë ende të punojnë me intensitet, edhe tani që flasim, me qëllim që çdo gjë të shkojë me sukses të sigurt deri në minutën e fundit.
Dua të falënderoj Ministrin e Kulturës dhe gjithë stafin e palodhur të saj, që ka qenë dhe vazhdon të jetë 24 orë në shërbim; Ministrin e Jashtëm, kolegun Ditmir Bushati, me të cilin kemi organizuar bashkë, çdo hap.
Dua të falenderoj Protokollin e Shtetit, të gjithë anëtarët e Komisionit Shtetëror për organizimin e vizitës së Papës; Përfaqësuesit e grupeve parlamentare, deputetët, qoftë dhe për mbështetjen e inkurajimin që na kanë dhënë.
Dua të falënderoj Bashkinë e Tiranës, për bashkëpunimin dhe komunikimin në interes të përbashkët të vendit dhe popullit shqiptar, si dhe për realizimin e disa prej angazhimeve tona reciproke, duke treguar kështu, që Shqipëria ka potencial për t’u marrë vesh dhe kur jemi në kampe të ndryshme.
Dua të falenderoj posaçërisht, kabinetin e Kryeministrit që është pjesë e pandarë e Komisionit dhe bashkudhëtarë në çdo etapë dhe në çdo orë; Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, Gardën e Republikës për profesionalizmin e saj, Policinë e Shtetit për gatishmërinë e pareshtur.
Gjithashtu, Ministrinë e Shëndetësinë për mbështetjen e organizuar që do të ofrojë nesër, për kujdesjen shëndetësore të pjesëmarrësve në meshë; Ministrinë e Turizmit për gjithë informacionin e përgatitur tashmë, për vizitorët e Shqipërisë në këtë ditë të madhe.
Por dua të falenderoj edhe Bashkinë e Shkodrës, Lezhës, Durrësit dhe Rubikut, me të cilat kemi organizuam një pjesë të mirë e të rëndësishme të kalendarit tonë kulturor në pritje të Papës.
Më lejoni të shpreh mirënjohje të veçantë për Kishën Katolike. Kishën Katolike Shqiptare më të cilën kemi ndarë në këto javë, vështirësitë dhe arritjet dhe kemi qenë plotësisht të koordinuar për të kapërcyer çdo vështirësi; Nunciaturën e Vatikanit dhe Protokollin e Shtetit të Vatikanit për të dakordësuar çdo element.
Një falënderim me gjithë zemër shkon për të gjithë përfaqësuesit e komuniteteve fetare dhe krerët e tyre, Komunitetin Mysliman, Kishën Ortodokse dhe Komunitetin Bektashi, për bashkëpunimin, komunikimin, mbështetjen dhe kontributin e tyre esencial në ndërtimin e kësaj fryme të një harmonie reale.
Kjo frymë bashkëpunimi ndërfetar me komunitetet kulmon sot, me hapjen e një ekspozite krejt të veçantë, që organizohet nga Ministria e Kulturës dhe që titullohet ”Besim”. E që, nën kujdesin e Kryeministrit Edi Rama, përurohet sot në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar. Ekspozitë që do të jetë e hapur gjatë gjithë muajit tetor dhe si ministre e Kulturës ju ftoj ta vizitoni, sepse ka edhe emocion, edhe mendim. E besoj se shoqëria jonë ka nevojë më shumë se kurrë, për të dyja këto.
Për orët në vijim do t’u bëja ftesë të gjithë qytetarëve që do të jenë në Tiranën e Meshës së Shenjtë, ditën e nesërme. Do të jenë të shumtë. Ju bëj ftesë të dëshmojnë atë bashkëjetese qytetare për të cilën lëvdohemi. Po kështu u bëj thirrje të gjithë qytetarëve këmbësorë dhe drejtuesve të mjeteve të ndjekin me vëmendje të gjitha udhëzimet që kemi shpërndarë pareshtur në media, në rrjetet sociale, në faqet zyrtare të Qeverisë dhe të ministrive tona. Janë të rëndësishme për t’u njohur me lëvizjet dhe kufizimet e lëvizjeve, me pikat e shërbimit, me itineraret e përcaktuara.
Stafet tona janë plotësisht të angazhuara. Policia e Shtetit dhe vullnetarët që ndihmojnë në organizim do të jenë pranë jush, me shenja dalluese, për t’ju orientuar. Por kërkojmë bashkëpunimin e gjithsecilit për mirëkuptim, durim dhe buzëqeshje.
Vizita e Atit të Shenjtë është një ngjarje e rrallë, jo vetëm për botën katolike, por për botën mbarë. Dhe Shqipëria do të dijë ta justifikojë se e meriton të jetë në qendër të vëmendjes së botës nesër.
Jo më kot lashë në fund një mirënjohje shumë të veçantë. Kjo është për ju, për median që na kanë shoqëruar në çdo hap, duke pasqyruar punën, vështirësitë dhe arritjet tona që janë edhe tuajat, që kanë informuar publikun për gjithçka dhe do të jenë me ne, edhe në vazhdim.
Faleminderit, me besim!