Samiti i vendeve të Nismës së Europës Qendrore (CEI) zhvilloi punimet në Romë, Itali, nën drejtimin e Kryeministrit italian Giuseppe Conte.
Ky takim, i cili u zhvillua me pjesëmarrjen e liderëve të vendeve të Nismës së Europës Qendrore (CEI), i paraprin Konferencës së Donatorëve për Rindërtimin pas tërmetit të 26 nëntorit të këtij viti dhe është një mundësi më shumë për të nxitur pjesëmarrjen dhe angazhimet konkrete në këtë Konferencë.
Në përfundim të Samitit, Kryeministri Edi Rama iu përgjigj interesimit të mediave të pranishme:
-Takimi sotëm ishte një mundësi e mirë, për të siguruar një tjetër mbështetje sa i përket konferencës së donatorëve pas tërmetit të 26 nëntorit. Kryeministri Conte dha mbështetjen e tij, ai tha që Italia do të jetë ndër të parat vende që do t’i bashkohet konferencës së donatorëve. Vendet e tjera si reaguan kryeministër?
Kryeministri Edi Rama: Reagimi i përgjithshëm është konstant dhe pozitiv. Unë pata dhe mbrëmë takimin me Komisionerin e ri për zgjerimin, i cili është i angazhuar edhe personalisht, sëbashku me Presidentin e Komisionit për të çuar përpara organizimin e konferencës. Ndërkohë që përsëri, pas nënvizimit të gjithë falënderimeve të merituara dhe që asnjëherë nuk do ishin mjaft në fakt, në raport me çka shumë vende edhe këtu të pranishme bënë dhe nënvizimit po ashtu të nevojës për të patur një mbështetje të gjerë si rezultat i domosdoshmërisë për të përballuar një tërësi pasojash, që janë vërtetë të mëdha dhe që do të kishin tronditur çdo vend, kuptohet në raport me territorin dhe me popullatën, absolutisht që reagimi ka qenë përsëri shumë pozitiv.
–Sa kohë do t’i duhet vendit pas Konferencës së donatorëve për ta rikthyer situatën në normalitet?
Kryeministri Edi Rama: Unë besoj që do ta bëjmë me intensitetin e duhur maksimal dhe do të arrijmë të realizojmë një shembull domethënës të vizionit, vendosmërisë dhe ambicies për Shqipërinë që duam.
-Është momenti për t’ju drejtuar sërish opozitës për të qenë bashkë gjatë këtij rrugëtimi për rindërtimin e vendit?
Kryeministri Edi Rama: Nuk flas asnjëherë për opozitën jashtë shtetit, ju e dini këtë.
-Dy ditët e ardhshme në Tiranë do të zhvilloni mbledhjen me Presidentin e Serbisë dhe me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, cilat janë pritshmëritë tuaja?
Kryeministri Edi Rama: Është pjesë e një procesi që tashmë ka filluar dhe do të vazhdojë. Nisma është e hapur dhe përfshirëse. Nuk është aspak diçka e re, por ajo që është e re është angazhimi i përbashkët dhe qëllimi është të zbatohet ajo për të cilën është rënë dakort disa herë, por më pas është lënë pas dore. Do e marrim të ardhmen në duart tona së bashku.
– Cila është situata në Shqipëri pas tërmeti dhe çfarë prisni nga konferenca ndërkombëtarë e donatorëve për të cilën Kryeministri Conte shprehet se Italia do të jetë në rresht të parë?
Kryeministri Edi Rama: Është një situatë dramatike pasi pasojat janë absolutisht të rënda, por nga ana tjetër ka një solidaritet të forte. Italia ka qenë absolutisht fantastike. Kryeministri Conte ka qenë i pari që u përgjigj që në orët e para të ditës pas katastrofës dhe ka një solidaritet shumë të fortë. Do të doja të përfitoja për të falënderuar edhe një herë zjarrfikësit e jashtëzakonshëm italianë që ishin të pabesueshëm. Mendova që Italia njihej në botë për rilindjen dhe futbollin, por paska shumë më tepër se kaq. Janë si rilindja dhe futbolli në kohët e tyre më të mira.
-Për cfarë ka nevojë Shqiperia në këtë situatë?
Kryeministri Edi Rama: Për këtë solidaritet, për këtë mbështetje sepse nuk mundesh të përballesh vetëm me këto pasoja kaq të rënda.
-Sa mund të presë Shqipëria për integrimin. A keni një mesazh ndaj Europës?
Kryeministri Edi Rama: Shqipëria është këtu, pret prej mijëra vitesh, mund të presë ende, por nuk është ky problemi. Ajo që duhet kuptuar është se Europa ka nevojë për Ballkanin Perëndimor, në të njëjtën mënyrë që Ballkani Perëndimor ka nevojë për Europën. Këtë Italia e ka kuptuar, shumë të tjerë e kanë kuptuar, por jo të gjithë. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të bëjmë durim!
-Një mesazh për Macron?
Kryeministri Edi Rama: Macron ka një argument. Unë besoj se është e domosdoshme që të jemi të hapur dhe duhet të kuptojmë që ai ka një argument. Sepse nuk është se ai nuk ka të drejtë kur thotë nuk funksionon me 27 apo 28, imagjino më shumë, me 34. Ka të drejtë, duhet ta bëjmë të funksionojë, por ajo që duhet të kuptohet më mirë është që problemi nuk është as tek dhe as me Ballkanin. Problemi është tek mënyra si funksionon Europa dhe ne nuk kemi se çfarë të bëjmë në këtë pikë sepse nuk jemi pjesë.
-Mendoni që presidenca kroate do të jetë e rëndësishme për afrimin dhe integrimin?
Kryeministri Edi Rama: Presidenca kroate përfaqëson një shoqëri dhe një shtet të ri të dedikuar tërësisht ndaj të ardhmes, europianizmit dhe në këtë pa dyshim që do të jetë një ndihmë.
* * *
Giuseppe Conte në Samitin e CEI: Kontribuoni në fondin e rindërtimit, Italia do të jetë në rresht të parë
Në fjalën e mirëseardhjes, në çelje të Samitit të vendeve të Nismës së Europës Qendrore (CEI) Kryeministri italian, Giuseppe Conte, i cili drejtoi punimet, i adresoi Samitit thirrjen e Italisë mike, për pjesëmarrje dhe angazhim konkret në Konferencën e Donatorëve për Rindërtimin pas tërmetit të 26 nëntorit.
“Është një solidaritet që ju ftoj të manifestojmë ndaj Shqipërisë mike, e goditur së fundmi nga lëkundje të shpeshta dhe intensive tërmeti. Shqipëria nuk mundet dhe nuk duhet lënë vetëm në këtë situatë të vështirë, që provokoi mbi 50 viktima, mbi 900 të plagosur, përveç dëmeve të konsiderueshme e mijërave qytetarëve të mbetur të pastrehë. Ndaj, ju kërkoj që të kontribuoni në fondin e rindërtimit. Këtë kemi biseduar edhe në takimin e fundit të Komisionit Europian, së bashku me komisioneren e re Ursula von der Leyen. Së shpejti do të ketë një konferencë donatorësh dhe Italia, edhe në këtë nismë do të jetë në rresht të parë.”- u shpreh ai.