Konferencë për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Ministres së Kulturës Elva Margariti me rastin e çeljes së Javëve Kulturore Ndërkombëtare:
“Shqipëria mikpret botën” është nisma më e re e qeverisë shqiptare për të promovuar dhe nxitur bashkëpunimin kulturor mes vendeve, e cila do të jetësohet përmes organizimit të Javëve Kulturore Ndërkombëtare (JKN), që do të startojë sot në Sheshin “Skënderbej”.
JKN 2022 është konceptuar si një paradë kulturore ndërkombëtare, që sjell në Shqipëri tingujt, imazhet, aromat dhe shijet e 18 vendeve të botës. E shtrirë përgjatë gjithë vitit dhe jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera, JKN është vazhdimi, përfshirja dhe unifikimi nën një brand i një tradite disavjeçare të organizimit të javëve, dedikuar bashkëpunimit kulturor.
Për të informuar rreth nismës më të re të bashkëpunimit kulturor mes vendeve, Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Kulturës Elva Margariti dhanë sot një konferencë për shtyp.
Në fjalën e tij Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria synon që këto javë të jenë një traditë e përvitshme për të shpalosur tradita, për të shpalosur kultura të ndryshme, për të shpalosur forma dhe shprehje nga më të larmishmet të aktivitetit të çdo qytetërimi dhe patjetër për të krijuar hapësira të reja të ndërveprimit me kulturat e tjera, por njëkohësisht dhe të argëtimit drejtpërdrejtë të qytetarëve apo vizitorëve e turistëve që mund të gjenden në vendin tonë përgjatë zhvillimit të një jave kulturore ndërkombëtare.
‘’Është një program- tha ai- që ne synojmë të jetë një program ku të gjitha moshat, të gjitha kategoritë do mund të gjejnë arsye për t’i frekuentuar javët ndërkombëtare të kulturës. Natyrisht gjërat mund të lëvizin në vijim, por ky është qëllimi dhe kjo do të rrisë eksponencialisht besojmë edhe intensitetin e aktiviteteve kulturore dhe artistike, si dhe të aktiviteteve me natyrë socializuese në vendin tonë, jo vetëm në Tiranë, por dhe në qytete të tjera’’.
Ndërkaq Ministrja e Kulturës Elva Margariti shtoi se pas një periudhe të gjatë përgatitjesh, disa muajsh intensivë në vazhdën e kësaj iniciative, një ide e kryeministrit në fundin e vitit që shkoi për të çelur dyert e Shqipërisë për të gjitha vendet me të cilat bashkëpunojmë prej vitesh, por mbi të gjitha, për të krijuar akoma më shumë rrathë bashkëpunimi të të rinjve, por jo vetëm të të rinjve, të bizneseve dhe plot institucioneve në Shqipëri me vendet tona partnere.
Në vijim Kryeministri Rama dhe ministrja Margariti iu përgjigjën edhe pyetjeve të gazetarëve një ndër të cilat ishte edhe ajo për çështjen e Teatrit Kombëtar për të cilin punimet ende nuk kanë filluar.
Kryeministri tha se nuk ka asnjë ndryshim përsa i përket projektit për teatrin dhe se gjithë problemi qëndron tek ky moment i vështirë i kalimit nga letrat në realitetin e zbatimit për shkak pikërisht të rritjes se çmimeve. Teatri Kombëtar- vijoi ai- do të ndërtohet ashtu siç është projektuar dhe siç jemi zotuar, por siç e kam thënë dhe herë të tjera, jo të gjitha planet mund të zbatohen në afatet e parashikuara kur midis teje dhe afatit futet në mes një ngjarje që as mund të parashikohet e as mund të evitohet.
Kryeministri Edi Rama u përgjigj ndër të tjera edhe për sezonin turistik për të cilin tha se ka ndryshuar ndjeshëm. ‘’Jam besimplotë- tha ai- se ky sezon që nis së shpejti do të jetë më i mirë në të gjitha aspektet, do të jetë më i mirë sepse kemi punuar intensivisht prej afro një viti për pastërtitë dhe jo vetëm ka por kemi një skemë të re që do të fillojë të zbatohet me fillimin e sezonit për pastrimin e territorit në të gjithë zonën bregdetare.