Fjala e Kryeministri Edi Rama në seancë plenare në Kuvend:
Besoj që është e ligjshme krenaria për rezultatin e arritur, konfirmimin nga Komisioni Europian i faktit se Shqipëria i ka bërë detyrat e shtëpisë në raport me të gjithë drejtimet e përcaktuara në procesin e integrimit në Bashkimin Europian.
Raporti i Komisionit arrin në një konkluzion që nuk është surprizë për ne, sigurisht dhe nga ana tjetër është një konkluzion i njëjtë me atë të një viti më parë, por raporti nuk është i njëjti. Që do të thotë se në të gjithë faqet e tij mund të konstatohet pa vështirësi se nga viti i shkuar, sot, Shqipëria ka bërë progres në drejtimet themelore të rrugës së integrimit në Bashkimin Europian. E nga ana tjetër është një pasqyrë ku pa vështirësi mund të shihen të gjitha shtrembërimet, deformimet dhe përpjekjet destruktive të opozitës rrugore, për të krijuar në sytë e opinionit publik vendas, por dhe në sytë e të gjithë atyre miqve dhe partnerëve që kanë vullnetin për t’i dëgjuar kolegët e ikur në drejtim të paditur, pamjen e një Shqipërie tjetër.
Padiskutim që ky nuk është konfirmimi i faktit që ne asnjëherë nuk e kemi pretenduar dhe nuk e pretendojmë, se Shqipëria i ka tejkaluar të gjitha problemet, apo se Shqipëria në shumë fusha e ka arritur objektivin fundor. Absolutisht jo.
Objektivi fundor lidhet me qëllimin e madh të anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe me ballafaqimin mes realitetit dhe momentit për anëtarësim, i cili është ende larg, ndërkohë që sot flasim për një fazë të ndërmjetme që duhet çelur me zyrtarizmin e negociatave, pikërisht për të adresuar problemet dhe për të përparuar në të gjitha drejtimet që ka rruga e transformimit të Shqipërisë në një shtet funksional të standardeve të një vendi anëtar të Bashkimit Europian.
Thënë kjo si premisë, dua të theksoj se raporti i Komisionit, që është raporti më i besueshëm ndërkombëtar në raport me çdo detaj të problematikave të një vendi në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian, hedh poshtë çdo pretendim dhe çdo përpjekje për ta treguar reformën në drejtësi si dështim, për ta treguar luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, jo vetëm si një dështim, por dhe si një proces tërësisht të deformuar në funksion të “qeverisë së krimit” dhe në vijimësi në çdo aspekt, raporti iu jep shqiptarëve dhe i jep komunitetit ndërkombëtar një pasqyrë besnike të realitetit të sotëm, me arritjet dhe me problemet. Ne jemi të vetëdijshëm për problemet, por nga ana tjetër jemi krenarë për arritjet.
Të gjithë atyre që i bien fyellit në atë vrimën e vetme, për të bërë të njëjtën muzikë me qëllimin që, duke përsëritur në pafundësi të njëjtat broçkulla, të krijojnë një perceptim të imponuar ndryshe tek shqiptarët, sot mund t’u thuhet me plot gojën se në atë pasqyrë, Shqipëria mund të shohë sa ka bërë dhe çfarë duhet të bëjë.
Drejtësia, sot është ende larg së qeni drejtësia që duam, por padiskutim është një kantier ku po ndodhin transformime të pakthyeshme dhe themelore për të ardhmen. Raporti e konsideron Shqipërinë rast shembullor të transformimit të sistemit të drejtësisë, gjë që e thoshte shkoqur në editorialin e tij në prestigjiozen gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, edhe ministri i Shtetit gjerman për Europën, – një reformë unike në raport me sfidën e pastrimit të një sistemi të korruptuar, të një sistemi që për tre dekada e ka pamundësuar çuarjen e luftës kundër korrupsionit në një nivel të standardeve europiane.
Raporti jep një indikacion shumë të qartë edhe lidhur me opozitën që s’është këtu në Parlament, edhe lidhur me çfarë ajo opozitë duhet të bëjë sot, në vend se të vazhdojë të bëjë atë që po bën.
Ne mbetemi të vendosur të stimulojmë një proces dialogu me opozitën, por s’kemi asnjë gatishmëri për të negociuar Kushtetutën si ligj themelor, që na imponon të gjithëve ta respektojmë, në funksion të zgjedhjeve që i përkasin popullit sovran dhe nuk iu përkasin partive.
Ne kemi të gjithë gatishmërinë të dialogojmë me opozitën jashtëparlamentare, por asnjëherë nuk do të negociojmë legjitimitetin dhe detyrimin për vazhdimësinë e këtij Parlamenti, një detyrim që buron nga një mandat i qartë, në bazë të të cilit për ne është e pamundur që atyre që na kanë zgjedhur t’iu themi “na falni, por ata që nuk i zgjodhët për të qeverisur, do të kenë prioritet në raport me ju që na zgjodhët që të qeverisim”.
Natyrisht që mes rekomandimit pa kushte për çeljen e negociatave për anëtarësim nga ana e Komisionit dhe vendimit politik nga ana e Këshillit Europian ka një hapësirë, jo vetëm kohore, por ka dhe një hapësirë subjektivizmi politik, ku Shqipërisë i takon të bëjë të vetën dhe partive u takon që të jenë bashkë në një zë. Fatkeqësisht, mjafton të shohësh dhe të dëgjosh reagimet e opozitës rrugore në raport me Raportin e Progresit dhe në raport me çeljen e negociatave, për të kuptuar se jo vetëm që s’ka asnjë vullnet për të bashkuar zërin me të gjithë ne që jemi këtu, pavarësisht dallimeve dhe kundërshtive që kemi këtu dhe me të gjithë shqiptarët që mbi 90% e tyre duan Shqipërinë, një orë e më parë, në Bashkimin Europian, por përkundrazi është shumë e qartë që ka një vendosmëri për të vijuar përpjekjen destruktive dhe për të vijuar furnizimin me alibi e me justifikime negative të të gjithë atyre që për arsyet e tyre nuk e duan as zgjerimin e Eruopës, as aq më pak çeljen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë.
Është për të ardhur keq, është e pakuptimtë dhe e pajustifikueshme në aspektin strategjik, sepse negociatat nuk janë të një partie dhe të një qeverie, negociatat nuk vazhdojnë sa një mandat qeveritar dhe i gjithë ky proces, qysh se Shqipëria ka hedhur hapin e parë deri më sot, nuk ka qenë procesi i një pale, por ka qenë procesi ku të gjitha palët kanë pasur detyrat dhe rolin e tyre. Ta kthesh këtë proces në një peng të agjendës së brendshme politike dhe për më tepër, në një peng të një ndërmarrjeje politike qorre, si ajo për të ikur nga Parlamenti për të djegur mandate, për të veshur jelekët e verdhë, për të marrë molotovët dhe kapsollat në dorë e për t’ia hedhur institucioneve dhe në fund, duke deklaruar se nuk do lësh popullin të bëjë zgjedhje, është e paparë në asnjë vend që ka kaluar në këtë proces. Asnjë vend që ka kaluar këtë proces nuk ka pasur një situatë të tillë.
Megjithatë, ne nuk kemi asnjë rrugë tjetër. Ata nuk janë të zgjedhurit tanë, as zonjat dhe zotërinjtë këtu në anën tjetër nuk janë të zgjedhurit tanë. Kundërshtarin nuk e zgjedh. Kundërshtarin e përballon. Problemi është se këtu, ne përballemi si kundërshtarë, ndërsa jashtë kësaj salle na duhet të përballemi me një forcë që na trajton si armiq.
Ne thjesht dhe vetëm do të vazhdojmë të bëjmë detyrën tonë në raport me ambicien kombëtare dhe interesin kombëtar, për ta çuar Shqipërinë përpara në rrugën e Bashkimit Europian, detyrën tonë në raport me procesin demokratik në Shqipëri dhe me zgjedhjet e 30 Qershorit.
Zgjedhjet e 30 qershorit nuk negociohen!
Data 30 qershor buron nga Kushtetuta, si përcaktim në dekretin e Presidentit të Republikës bazuar mbi Kushtetutë.
Dua të qëndroj në një pikë që lidhet me çka sot shpërtheu në rrugën e vijimit të përditshëm e të përditshëm të deformimit të të vërtetave lidhur me dy projekte infrastrukture të lajmëruara kohë më parë, të përgatitura dhe që tanimë i kanë ardhur Parlamentit, për të krijuar kushtet e një transparence të plotë dhe për të marrë një vendim këtu. Dy projekte shumë të rëndësishme për Shqipërinë turistike që duam, aksi Balldren-Milot dhe aksi Orikum-Llogara.
I referohem programit tonë dhe është rasti mbase për t’iu kthyer për një moment të gjithë malit të shpifjeve, të abuzimeve, të broçkullave lidhur me politikën tonë të shpallur qysh në krye të herës dhe të zbatuar vijimësisht për të ndërtuar partneritete publike – private në funksion të shërbimeve, në funksion të zhvillimit. E po ju them që, sot që flasim, janë mbi 1 milionë njerëz të këtij vendi që kanë kaluar një ose disa herë, pra, mbi 1 milionë raste të kontrollit mjekësor bazë, falas, check-up.
Është shumë e rëndësishme që njerëzit ta kuptojnë se ajo procedurë falas, – që përpara sesa ne të ndërtonim partneritetin publik – privat ishte e pamundur dhe për të bërë analizat bazë, njerëzit duhet të paguanin 80 mijë lekë, – financohet nga buxheti. Financohet nga buxheti në një proces partneriteti me privatin, i cili nga ana e vet nuk është se ka marrë të gjitha paratë e parashikuara për të dhënë këtë shërbim në vite, por ka investuar paraprakisht për shërbimin dhe çdo vit merr një pjesë të fondeve të dedikuara nga buxheti, për të garantuar kontrollin falas të qytetarëve.
Partneritetet publike – private, apo fjala e shumë keqpërdorur, koncesion, nuk janë metoda kriminale, nuk janë forma të shpikura nga mafia ndërkombëtare. Nuk janë skema abuzive për përfitime në kurriz të popullit. Janë skema, modele financimi për të bërë të mundur në një kohë të shkurtër, rritjen e cilësisë së një shërbimi për publikun, apo zhvillimin e një projekti infrastrukture që, përndryshe, me kapacitetet e tua si shtet nuk e bën dot. Shumë e thjeshtë. Vlera e tyre shihet tek përfitimi që ka publiku.
Sot, duke arritur në mbi 1 milionë analiza bazë, ne kemi bërë të mundur që njerëzit të marrin informacion për shëndetin e tyre dhe të parandalojnë sëmundje për të cilat nuk janë fare në dijeni, që kërcënojnë organizmin e tyre dhe kjo ul shpenzimet për shërbim shëndetësor. Është botërisht e njohur dhe nga ana tjetër, kjo është një praktikë për të cilën Shqipëria ka marrë vlerësime shumë pozitive nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
E njëjta gjë, në vitin 2018 janë bërë 95 000 ndërhyrje kirurgjikale, të cilat, falë partneritetit publik – privat, nuk bëhen më me bisturitë dhe me gërshërët e kohës së dashurisë shqiptaro-kineze, por bëhen me instrumente të standardeve më të larta, që vijnë nga Gjermania. Natyrisht, partneriteti është dashur për të siguruar një subjekt privat që është i gatshëm dhe ka mundësi të investojë për të krijuar gjithë këtë shërbim dhe që buxheti paguan në vite, sigurisht. Për herë të parë, sistemi ynë shëndetësor ka një infrastrukturë sterilizimi të standardeve ndërkombëtare. Kur ne kemi ndërmarrë këtë hap, kemi parë raportin e tmerrshëm të pasojave për ata që kryenin ndërhyrje, operacione në spitalet tona dhe numrin absolutisht të papranueshëm të infeksioneve postoperatore, si rezultat i mungesës së standardeve të sterilizimit dhe mungesës së standardeve të instrumenteve.
E njëjta gjë me laboratorët që do të rrisin gamën e analizave, në funksion përsëri të qytetarëve.
Pyetja është shumë e thjeshtë; Nga të gjitha këto kemi futur duart në xhepin e qytetarëve, pra, nëse qytetarët shkojnë të bëjnë kontrollin mjekësor bazë, paguajnë?
Jo!
Kush paguan për ta?
Paguan shteti.
Nëse qytetarët shkojnë të bëjnë një ndërhyrje në spital. Paguajnë ndonjë faturë, sepse ne kemi vendosur një sistem komplet të ri instrumentesh?
Jo, nuk paguajnë ata.
Rritjen e cilësisë dhe të standardit e marrin si kontribut nga buxheti, që vit pas viti shlyen investimin e kompanisë private. Ndërkohë efekti tjetër i jashtëzakonshëm në këtë proces është rritja e kapaciteteve të personelit të shërbimit.
Vijmë tek rruga. Është e paimagjinueshme që kilometrat e rrugëve të trajtohen si metra teritali. Kur shet terital, blen terital dhe ndryshon çmimi thjesht sipas madhësisë së kostumit, por kur flasim për kilometra rrugë, duhet të shohim çfarë ka në ato kilometra. Nuk mund t’i bihet shkurt e të thuash, si ka mundësi, për 17 kilometra rrugë kaq shumë para? Dhe ja si ka mundësi.
Së pari, ne e kemi thënë që në krye të herës, sapo të mbyllim rrugët e lëna rrugëve, do të ndërtojmë rrugë të standardeve europiane. Të dyja rrugët që do të ndërtohen janë standardi A. Rrugë me standard A në Shqipëri kemi vetëm një pjesë të rrugës së Kombit. Ndërsa rruga Tiranë – Elbasan, që është shëmbëlltyra më kuptimplotë e faktit sesi nisesh për t’i rënë shkurt e rruga të del gjatë, ka kushtuar trefishin e parashikimit, pikërisht se është bërë qorrazi dhe është dashur në vijimësi të shtohen para, rrëshqitje këtu e rrëshqitje atje.
Rruga Milot – Balldren ka dy ura në ato kilometra, urën mbi Drin, me 224 metra hapësirë drite dhe urën mbi Mat, me 624 metra hapësirë drite. Janë dy vepra madhore. Ka 6 nyje mbikalime dhe nënkalime dhe duke qenë rrugë e standardit A, do të jetë një rrugë ku nuk do të bashkëjetojnë në ecje e sipër automjetet me bagëtitë dhe ku nuk do të lejohet transformimi i rrugës në një korridor mes pishinash, magazinash, trampolinash, varreza makinash e kështu me radhë. Do të jetë rrugë e standardit A europian.
Nga ana tjetër do të jetë një rrugë, e cila nuk do të pengojë jetën dhe lëvizjen e banorëve në të dy anët e rrugës, por nuk do t’i lejojë banorët që të hapin rrugë për t’u futur në mes të aksit kryesor. Që do të thotë se ka dy rrugë të tjera paralele në të dy anët, me 9.5 kilometra gjatësi dhe po ashtu ka rreth 7 kilometra rrugë shërbimesh për të gjithë ata që jetojnë në anët e rrugëve.
Akoma më e rëndësishme është se në atë shumë ka 13 vjet mirëmbajtje. Se vepra e vetme që meriton një farë respekti nga veprat e infrastrukturës që janë ndërtuar në Shqipëri është rruga e Kombit, por nuk meriton të gjithë respektin për faktin se, së pari, kushtoi mbi 1 miliardë dhe akoma nuk ka mbaruar, kërkon para. Së dyti, nuk përmbush standardin A në të gjithë gjatësinë e vet dhe së treti, nuk është se garanton atë që ne u detyruam ta bëjmë me vendosjen e pagesës, mirëmbajtjen e vazhdueshme të saj.
Ndërsa në këto kontrata kemi mirëmbajtjen për 13 vjet, çdo gjë është në përgjegjësinë e kompanive. E fundit, janë kompanitë që investojnë kapitalin e tyre dhe shteti paguan vit pas viti, nuk janë para që jepen menjëherë.
Dje, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut lajmëroi ndërtimin e rrugës nga kufiri i Kosovës në Shkup, 14 kilometra, 120 milionë euro. Si mund të çohesh dhe ta matësh rrugën sikur po mat terital dhe të fillosh të flasësh vjedhja – vjedhja, grabitja – grabitja, kusarët – kusarët?
Ka vetëm një mundësi, ka vetëm një arsye, sepse je vetë, kur flet kështu, ose kusar që e ke bërë këtë punë kur e ke pasur në dorë, ose kusar në potencë, që e ke mendjen vetëm për të vjedhur dhe nëse nuk ke vjedhur, është se nuk të është dhënë mundësia, se rrugë tjetër për të shpjeguar këtë marrëzi, unë nuk shoh.
Si mund të diskutohet për kilometrat në këtë farë feje?
Marrim Orikum – Llogaranë. Të gjithë ju, të gjithë ata që na ndjekin, e kanë kaluar Llogaranë dhe e kanë parë me sy rrugën se si edhe sot e kësaj dite çedon. Shko riparo, kthehu arno, kthehu vendos dhè dhe çedon. Është një terren problematik për nga pikëpamja gjeologjike, e para. E dyta, për shkak të terrenit, do të ketë një spostim në pjesën shkëmbore, pra, do të hapet në territorin shkëmbor, për të evituar të gjithë atë pjesë të rrëshqitshme në gjysmën e saj dhe patjetër që kjo rrit koston.
Ne duam të bëjmë rrugë europiane, me standarde europiane, që të mirëmbahen sipas standardeve dhe që t’i shërbejnë Shqipërisë turistike. Gjithë zona sipër është një zonë me një turizëm që, sot që flasim, është shumë intensiv.
Deri dje, pjesa e njerëzve që vinin nga Kosova për të shkuar në zonën e Shëngjinit, apo të Velipojës, e mbani mend mirë se ku ktheheshin dhe si ktheheshin. Në vend të mbikalimit dhe nënkalimit kishte goma që tregonin nga duhet të kaloje dhe tenda që dilnin përpara për të të shitur qepë. Po nuk kishte as mbikalim, as nënkalim, asgjë. Ndërkohë është një zonë me potencial zhvillimi shumë të madh, kështu që ne nuk mund t’ia lejojmë vetes që gjithë segmenti që lidh Tiranën dhe pjesën e jugut, apo Kosovën, ose pjesën e Malit të Zi me atë zonë, që shtrihet në të gjithë bregun e detit, të jetë jashtë çdo standardi.
Çka lash pa thënë, rruga Milot – Balldren ka dy tunele në atë gjatësi. Sigurisht, tjetër është të hapësh një kilometër tunel, tjetër është të bësh një kilometër rrugë. Si mund të maten kështu e si mund t’u thuhet njerëzve e njëjta gjë gjithmonë, në mënyrë të përsëritur; vjedhje – vjedhje – vjedhje!
Është për të ardhur keq, por nga ana tjetër, ne për këtë jemi zgjedhur dhe këtë do bëjmë. Jemi zgjedhur të bëjmë gjërat që kemi thënë dhe të themi gjërat që bëjmë.
Nuk mbaj mend një herë, qysh se kam filluar të shërbej si ministër Kulture, pastaj si kryetar Bashkie e më pas si Kryeministër nuk mbaj mend një herë të vetme, një punë që nuk është bërë shënjestër, tabelë qitje për baltën e shpifjeve dhe të akuzave, ende pa filluar. Një të vetme nuk e mbaj mend! Gjithmonë e njëjta gjë, vjedhje – vjedhje – vjedhje. E ndërkohë nuk di të gjej – kush më ndihmon, e falënderoj, – një punë që kanë bërë ata që vetëm shajnë dhe baltosin, që meriton respekt të plotë, pa kushte. Një punë të vetme, një vepër. Bënë rrugë, çfarë rrugësh bënë? Bënë tendera.