Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

 

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në Global Positive Forum, mbajtur në Paris, me temë “Nxitja e ekonomive pozitive në vendet në zhvillim”.  Forumi u organizua nën kujdesin e Presidentit francez Emmanuel MACRON.

Në vijim fjala e kryeministrit Edi Rama në Forum:

Ky vit ishte një vit zgjedhjesh, si në vendin tim ashtu dhe në tuajin. Tek ne, partia ime dhe unë fituam, në tuajin ishte bota që fitoi. Sa ndryshe do të ishin ndjerë miliona njerëz nëpër botë nëse kjo tokë e madhe e lirisë, vëllazërisë dhe barazisë do t’ia dorëzonte politikën të djathtës ekstreme? Por, kështu populli francez na dha shpresë, ndërsa Presidentit tuaj i dha përgjegjësinë e madhe që të drejtojë vendin në këto kohë të vështira, ashtu sikurse shqiptarët më dhanë të njëjtën përgjegjësi mua.

Jetojmë në një botë që përballet me probleme dhe sfida, por e drejta për të udhëhequr është ndër privilegjet më të mëdha që populli mund t’i japë dikujt. Ndaj dhe unë e nis çdo ditë duke i bërë vetes këto dy pyetje thelbësore:

– A jam duke e ndihmuar popullin tim dhe vendin tim që t’u bëjë ballë këtyre sfidave?

– A jam duke e ndihmuar popullin tim që të bëjë një jetë më të mirë?

Nuk është e lehtë, pa dyshim, por këto dy pyetje janë si dy yjet e mi orientuese.

Në zemër të gjithë kësaj është gjithmonë ekonomia dhe u ndjeva shumë i nderuar kur  dhe Jacques Attali më kërkoi që të ndaja me ju sot vizionin tim mbi ekonominë pozitive.

Në fund të fundit, çfarë nënkuptojmë me “ekonomi”?

Nënkuptojmë njerëz. Nënkuptojmë njerëz që veprojnë, blejnë dhe shesin mallra e shërbime.

Nënkuptojmë sipërmarrës që kanë ide dhe i realizojnë ato, që krijojnë vende pune dhe plotësojnë nevojat e të tjerëve.

Nënkuptojmë qeveritë që hedhin themelet për zhvillim dhe krijojnë vende pune dhe pasuri me sisteme tatimore, të cilat më pas bëjnë të mundur investimin e duhur në të mirën publike, në shkolla, në spitale, në rrugë, në financimin e policisë dhe të ushtrisë që luftojnë kundër krimit dhe terrorizmit dhe na bëjnë të ndihemi të sigurt.

Pra, e shikoni çfarë dua të them me të qenit “në zemër të gjithçkaje”? Gjithçka prekim. Gjithçka që na prek. Gjithçka që dëshirojmë për të ardhmen. Është e komplikuar, sigurisht. Vërini bashkë në një dhomë dy ekonomistë dhe pa kaluar shumë kohë ata do jenë në kundërshtim me njëri-tjetrin.

Por, në pozicionin tim, në majën e qeverisë, me kaq shumë ambicie për vendin tim, me aq shumë dëshirë që ambiciet dhe talentet e popullit tonë të përmbushen, çfarë konsideroj unë si elementin më të rëndësishëm të ekonomisë moderne? – Është dija.

Në fund, nëse bëjmë sot e kurdoherë diferencat midis vendeve, vendet nuk ndahen midis atyre që kanë, por sa dinë të bëjnë dhe ekonomitë që dinë të bëjnë, ekonomitë e dijes janë ato më të arrirat, janë ato ekonomitë e së ardhmes.

E kjo, në një botë të përcaktuar nga ritmi i ndryshimit, jo vetëm me atë që ne dimë tani, ose mendojmë se dimë, por në një botë të përcaktuar nga mënyra sesi ne parashikojmë botën të ndryshojë në të ardhmen dhe sesi ne përshtatemi me gjithë këtë. Është e vështirë për fëmijët tanë që të imagjinojnë një botë pa telefon, pa celular e internet, ashtu siç ishte e vështirë për brezin tim që të imagjinonim një botë pa automjete, edhe pse në Shqipërinë komuniste ishte e thjeshtë ta imagjinoje, por të paktën e dinim që ekzistonin.

Pra, me valën e ardhshme të automatizimit, të robotikës, inteligjencës artificiale që na pret, si mund t’i kapim ne mundësitë që na ofrojnë dhe të menaxhojmë të gjitha kërcënimet që na kanosen?

Sepse, teksa teknologjia përparon dhe dija bëhet më komplekse, është e mundur të imagjinojmë atë që deri tani ishte e paimagjinueshme, për ta bërë atë reale dhe për ta vënë në dobi të njerëzve.

Ashtu si e ka thënë dhe i madhi Nelson Mandela në një kontekst shumë të ndryshëm, i cili ishte ai i luftës së gjatë të vendit të tij për liri kundër Aparteidit, “duket e pamundur gjithnjë, derisa realizohet.”

Fluturimi mbi oqean ishte i pamundur deri në momentin që u realizua; të telefonoje në anën tjetër të botës; të shkëmbeje miliarda dollarë në një të mijtën e sekondës; ulja në hënë. Ka shumë gjëra të pamundura, shumë gjëra të paimagjinueshme. Historia jonë ka plot nga këto dhe po ashtu do të ketë dhe e ardhmja do të jetë kështu. Na takon ne që të dimë se si ta formësojmë atë.

Në shoqëritë e pasura në dije, çdo njeri përfaqëson vetëm një qelizë të dijes së madhe kolektive, e të rinjtë punojnë në mënyrë produktive, me dhunti të fokusuara në projekte ambicioze, që vihen në shërbim të arritjeve shoqërore komplekse. Në shoqëritë e varfra kjo nuk ndodh.

Në këtë rrugë të pandalshme të zhvillimit, Shqipëria ka njohur më shumë pengesa se shumica e të tjerëve. Të shkëputur nga pjesa tjetër e botës për gati gjysmë shekulli, u desh shumë kohë të bënim për vete idetë që në vendet e tjera u përhapën natyrshëm.

Kur muret e regjimit komunist izolues ranë, një në tre shqiptarë u largua nga vendi. Të privuar që më parë nga kontaktet me pjesën tjetër të botës, papritmas e gjendëm veten edhe të privuar nga fuqia punëtore, për të cilën kishim nevojë që ta çonim vendin tonë në epokën moderne. Ndaj dhe ky i yni ishte një udhëtim i vështirë.

Në momentin që të gjithë ikën, ky ishte një problem, por sot diaspora është një prej pikave tona të forta, jemi shumë krenarë për bashkëkombësit që janë dalluar në dhe të huaj për artet, shkencën e teknologji, e ata janë lidhja më e mirë që kemi me botën. Shumë prej tyre janë rikthyer në shtëpi dhe na mundësojnë të mësojnë nga ajo që ata kishin mësuar.

Më lejoni t’ju jap një shembull:

Ju të gjithë e njihni krizën e madhe financiare në Greqi. Shumë shqiptarë kishin shkuar të punonin atje. Ndërsa puna e tyre pakësohej si rezultat i krizës, shumë prej tyre u kthyen në vendlindje. Në vetëm katër vjet, forca jonë e punës u rrit me 5%.

Tani, për t’u kthyer në historinë e atyre dy ekonomistëve që nuk bien dakord me njëri-tjetrin, unë mund t’ju siguroj se të paktën njëri prej tyre do të thoshte se kjo do të çonte në mënyrë të pashmangshme në një rënie pagash dhe një shkallë më të lartë të papunësisë, sepse do të kishim më shumë njerëz që konkurrojnë për të njëjtin lloj pune që kërkon një nivel të ulët aftësish.

Por, e dini se çfarë ndodhi? Shqiptarët që kishin punuar në bujqësi në Greqi dhe dinin se si të shfrytëzonin serat, kur u kthyen zhvilluan tokat e tyre. Ne nuk kishim sera deri përpara pak kohësh. Këta sipërmarrës të rinj bujqësorë kultivuan tokat e tyre dhe më pas filluan të eksportojnë produktet e tyre.

Shumë shqiptarë të tjerë, që jetuan në Greqi punuan në turizëm dhe janë të pasur me dije për këtë sektor e me një goditje të vetme, befas kemi parë të hapen gjithmonë e më shumë hotele dhe restorante tek ne. Shkurtimisht, në vend të depresionit që kishim frikë se do të na prekte pas krizës greke, pamë një përshpejtim të rritjes, investimeve dhe një hov punësimi. Ja pra, ekonomia pozitive dhe ky akumulim pozitiv i dijeve njerëzore, ishte në gjendje të krijonte begati dhe mirëqenie, falë ndryshimit e transferimit të dijeve.

Përtej debatit politik mbi ekonominë e konsumit dhe kërkesës, nisma, individi dhe sipërmarrësi, duhet të jetë në qendër të ekonomisë pozitive dhe kjo është gjithmonë e pamundur deri në momentin që nuk e bëjmë. Shqipëria nuk duhet të përfaqësojë më korrupsionin e kriminalitetin, por kreativitetin dhe inovacionin.

E pamundur?

Atëherë le ta bëjmë!

E di që mund ta bëjmë sepse ndryshimet po ndodhin që tani!

Është e qartë për të gjithë ata që vijnë në Shqipëri, por edhe për të tjerët, se ne kemi nevojë për ju që të na ndihmoni të orientohemi në pikat tona të forta, në mënyrë që imazhi i vjetër të zëvendësohet nga një imazh i ri dhe njerëzit të na shohin për atë që jemi dhe atë që ne e dimë që mund të bëhemi.

Shqipëria në BE, e pamundur… ju jeni të sigurt?! Atëherë le ta bëmë realitet! Dhe më lejoni t’iu them se përse shpresoj që kjo të ndodhë, përse mendoj që kjo do të jetë një e mirë për Shqipërinë dhe gjithashtu për Europën.

Historikisht, ne jemi organizuar mbi formën e tribuve dhe fiseve, e më pas, natyrisht të shtetit komb. Konsolidimi i shteteve kombe shpesh ka tejkaluar të gjitha normat dhe ka krijuar sfida të panumërta në Ballkan, pasi shpesh ky territor ishte i përbërë nga njerëz me identitet dhe etni, me gjuhë e fe të ndryshme.

Kush e njeh historinë e Ballkanit e di që në rajonin tonë kemi përjetuar një histori veçanërisht të vështirë. Se në çfarë pike kjo sfidë ishte e vërtetë, e kemi parë në luftërat, që s’ka shumë kohë që ndodhën në Jugosllavi, në vitet 1990.

Vendet post-jugosllave që e pasuan janë shndërruar në vende stabël dhe paqësore. Më lejoni t’ju them se sot, Shqipëria e Serbia kanë shumë më tepër gjëra që na bashkojnë se gjëra që na ndajnë, edhe pse kjo dukej e pamundur deri vetën pak kohë më parë, në momentin kur unë u bëra Kryeministër përpara pak vitesh.

Një prej gjërave që kemi të përbashkët është besimi në vlerat e BE-së dhe dëshira për të qenë pjesë e saj. Edhe një herë, siç e kam thënë me admirim dhe përulje, nuk besoj se njerëzimi ka njohur ndonjëherë në historinë e tij një program ekonomik e politik më ambicioz se BE-ja.

Procesi për të arritur deri këtu ka qenë i trazuar, ka tejkaluar kriza të mëdha, ka njohur shumë ulje e ngritje, si Brexit në këtë moment. Në këtë çast jemi në një pikë të ulët, por projekti europian nuk është ndërprerë dhe nuk do të ndërpritet ndonjëherë, besoj unë.

Ekzistojnë shumë zona të botës që janë shumë më pak diverse nga pikëpamja linguistike, fetare apo etnike se vendet europiane, e që pavarësisht kësaj nuk kanë ditur të arrijnë nivelin e integrimit që Europa ka mundur të ketë.

Në Amerikën e Jugut janë 19 vende që flasin të njëjtën gjuhë, 27 vende që flasin arabisht në Botën Arabe, por niveli i integrimit, bashkimi politik e paqësor që kemi realizuar në Europë është shumë më i mirë se në të gjithë këto vende, ndonëse ato janë shumë më homogjene në pikëpamjen kulturore.

Ne e duam Europën, ne duam t’i përkasim Europës dhe ne duam që të vazhdojmë të kontribuojmë për rritjen e këtij suksesi të pabesueshëm që përfaqëson BE-ja dhe duke thënë këtë nuk flas vetëm për shqiptarët, por për të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Brexit apo jo e di që jemi ne, vendet e Ballkanit Perëndimor, që jemi takuar në këtë orë me marshimin e historisë, jemi të rrethuar nga vendet e BE, Kroacia, Hungari, Bullgari, Rumania, Greqia e Italia. Jemi 6 vende në zemër të Europës, të lidhur kulturalisht me botën që na rrethon, vende që aspirojmë për një shkëmbim më intensiv dhe besojmë në një union më të madh e më të fortë me të cilin të mund të ndërveprojmë, nga i cili mund të mësojmë dhe tek i cili mund të kontribuojmë.

Për ta mbyllur, do të doja të thoja që nëse ka një revolucion pozitiv që mund të ndodhë, ai është revolucioni që duhet të lejojë të gjithë fëmijët e këtij kontinenti, qoftë ai që lind në Francë apo në Ballkan apo diku tjetër, që të jetë një tjegull më shumë në çatinë e BE-së. Nëse për vendet tona mund të ketë një Europë që ecën me shpejtësi të ndryshme, për fëmijët tanë duhet të ketë një Europë e vetme, me një shpejtësi të vetme, për të gjithë ata!

Faleminderit!

***

Më herët, Kryeministri ishte i pranishëm në premierën e filmit “Tranzicion-Art dhe Pushtet në Shqipëri”, shfaqur në qendrën Pompidou, në Paris. Gjatë fjalës përshëndetëse, Kryeministri Edi Rama theksoi se këto aktivitete promovuese janë një dëshmi e rëndësishme e miqësisë mes vendeve. “Kjo mbrëmje, koha që ndajmë sot bashkë është një dëshmi shumë e rëndësishme e respektit dhe afeksionit tuaj për vendin tonë, vend i cili ka nevojë mbi të gjitha që të ketë miq dhe shpresoj që do të vazhdojmë të bëjmë miq të tjerë të mirë, falë edhe ju të gjithëve që jeni ambasadorët më të mirë të kësaj miqësie.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.