Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Samitin e Këshillit Atlantik për Energjinë dhe Ekonominë, të mbajtur në Stamboll:
I nderuar President!
Të nderuar miq!
Dikur, Mustafa Qemal Ataturku tha: “Njerëzimi është një trup i vetëm dhe çdo komb është pjesë e atij trupi”.
Modelet e paqëndrueshme të prodhimit dhe konsumit të energjisë kërcënojnë jo vetëm shëndetin njerëzor dhe cilësinë e jetës, por gjithashtu ndikojnë në ekosisteme dhe kontribuojnë në ndryshimet klimaterike. Modernizimi i rrjeteve energjetike është një burim kryesor shqetësimi për shtetet, agjensitë shtetërore dhe sektorin energjitik si të tërë. Në të njëjtën kohë, përmirësimi i efiçencës, reduktimi i humbjeve dhe promovimi i energjisë së rinovueshme janë hallka kyçe për promovimin e rritjes së qëndrueshme në Europë gjatë dekadave të ardhshme. Për të arritur këto objektiva është më e rëndësishme se kurrë që vendet e një rajoni të farkëtojnë plane të përbashkëta për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit energjetik.
Më herët, gjatë korrikut, në Dubrovnik, 15 ministra të energjisë nga vende të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian arritën në përfundime të përbashkëta përsa i përket koordinimit dhe rajonalizimit të politikave energjitike. Vetëm pak vite më parë, vendet që këta ministra përfaqësojnë ishin në luftë me njëri-tjetrin. Ndërkohë që rindërtimi europian nisi me Marrëveshjen e Hekurit dhe Çelikut, që parapriu krijimin e Bashkimit Europian, rajonalizimi i energjisë është një hallkë kyçe për rikuperimin dhe pajtimin në Ballkan.
Vendet e Europës Juglindore dhe veçanërisht vendet e Ballkanit janë më të pasurit në Europë në termat e rezervave të energjisë së rinovueshme dhe kanë një rol shumë të rëndësishëm për të luajtur. Megjithatë, vendet e Ballkanit Perëndimor përballen me shumë sfida për të zhvilluar rezervat e tyre energjetike. Vite të investimeve të munguara, bashkuar me reformat e vonuara kanë penguar rajonin që të zhvillojë potencialin e tij të plotë. Shumë prej vendeve ende bazohen tek lëndët fosile djegëse, veçanërisht tek qymyri në rastin e termocentraleve. Kur ne morëm pushtetin në shtator 2013, sistemi energjetik në Shqipëri ishte pranë falimentimit dhe qëndrueshmëria e sektorit ishte dukshëm sfida kryesore që vendi po përballej. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike kishte akumuluar borxhe masive, në rangun e 5% të Prodhimit të Brendshëm Kombëtar, çka kërkonte një ndërhyrje intensive dhe të kushtueshme të shtetit. Humbjet në sistemin e shpërndarjes kishin arritur maksimumin e tyre historik; pothuajse gjysma e totalit të energjisë së prodhuar ose të importuar, për shkak të vjedhjes apo mungesës së investimeve në sistem prej më shumë se dy dekadash. Pothuajse një në katër shqiptarë nuk paguante faturat e energjisë. Në fakt, përqindja e pagesave të faturave ishte dukshëm më e ulta në Europë, e të mendosh që Shqipëria është vendi i dytë më i pasur në Europë për rezerva hidrike pas Norvegjisë.
Përballë një emergjence të tillë kombëtare krijuam një plan veprimi shumë agresiv, i cili synonte të krijonte një sistem të energjetik të qëndrueshëm financiarisht, duke krijuar vend dhe besim për më shumë investime, duke rritur efiçencën në sistem dhe integrimin e tij në rrjetet e vendeve fqinje.
Një paketë e madhe ndryshimesh në ligjin e sektorit të energjisë, Kodin Civil si edhe Kodin Penal u miratua së bashku me një paketë të plotë të një reforme radikale të liberalizimit të tregut në sektorin e energjisë.
Përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë kanë prodhuar një transformim spektakolar në vetëm dy vjet. Tani përqindja e mbledhjes është në gati 100%, ndërsa niveli i humbjeve në sektorin e shpërndarjes ka rënë në mënyrë dramatike.
Për herë të parë në 25 vitet e fundit, Kompania Shqiptare e Shpërndarjes së Energjisë ka regjistruar në 2015 fitime operative, duke bërë të mundur që të fillojnë të investojnë në sistem.
Menaxhimi i mirë i burimeve të energjisë bëri të mundur që ne të mbulonim 100% të kërkesës, edhe pse kemi prodhuar 32% më pak energji në vitin 2014, krahasuar me vitin 2013, si pasojë e kushteve të këqija hidrologjike. Këtë e ka njohur kohët e fundit si një arritje të madhe edhe Komisioni Europian, në Progres-Raportin e tij të publikuar gjatë javës së kaluar.
Qëllimi ynë është të transformojmë sektorin e energjisë nga barra më e rëndë e buxhetit të Shtetit Shqiptar dhe pengesa më e rëndë për të përballuar të ardhmen, në një sektor që vetëfinancohet dhe kontribuon brenda vitit 2018.
Zonja dhe Zotërinj,
Në janar u nënshkrua një marrëveshje për funksionimin e përhershëm simultan të sistemit të transmisionit të energjisë elektrike në Shqipëri me sistemin kontinental europian.
Ky është një hap drejt anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në Rrjetin Europian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit.
Për Ballkanin Perëndimor në tërësi, një element kyç i përpjekjeve të reformës është Traktati i Komunitetit të Energjisë – një kuadër rregullator tregu ku tanimë ka aderuar i gjithë rajoni. Ai ka për qëllim të krijojë një treg të integruar rajonal për energjinë elektrike dhe gazin në përputhje me tregun e brendshëm të energjisë së Bashkimit Europian. Anketa e Politikave të Energjisë është shqyrtimi i parë gjithpërfshirës i politikave të energjisë dhe strategjive në Ballkanin Perëndimor, e cila përfshin gjithashtu tema të rëndësishme të ndërthurura, të tilla si bashkëpunimi, tregtimi i energjisë, transportit të naftës dhe të gazit, si dhe lidhjet midis energjisë dhe varfërisë.
Identifikon dhe vlerëson reformat që janë ende të nevojshme për të ofruar sisteme energjetike efikase dhe moderne efikase, të cilët mund të ndihmojnë zhvillimin ekonomik, të adresojnë varfërinë energjetike dhe të zvogëlojnë ndikimet mjedisore të përdorimit të energjisë.
Bazuar në linjat ekzistuese të interkonjeksionit me Greqinë dhe Malin e Zi, si dhe duke pasur parasysh interkonjeksionet e reja në ndërtim e sipër me Kosovën dhe Maqedoninë, Shqipëria po diversifikon dhe konsolidon pozicionin e saj energjetik në rajon. Për më tepër, Gazsjellësi TAP, cili do të sjellë gazin Kaspik nga fusha e Azerbajxhanit në Bashkimin Europian përmes Shqipërisë, e vë për herë të parë vendin tonë në qendër të politikës gjeostrategjike të Bashkimit Europian.
Përfundimi i projektit TAP, fillimi i projektit Joniano-Adriatik, duke pasur parasysh zbulime të rëndësishme në lindje të Detit Mesdhe që mund të transformojnë Izraelin dhe Qipron në furnizuesit e rinj për tregun europian të gazit, në një periudhë afatgjatë, do bëjnë që Shqipëria të ketë më shumë potencial për të luajtur një rol jetik në sektorin e energjisë në rajon.
Është e gjithëpranuar sot në BE, gjithashtu, që siguria energjetike është bërë një sfidë për të gjithë Europën, kështu përpjekjet për të diversifikuar burimet në Ballkan dhe më gjerë duhet të ndahen.
Bashkimi Energjetik në Ballkan është sot shumë qartë një angazhim për ndryshim themelor dhe të qëndrueshëm për rajonin tonë dhe të gjithë Europën.
Dua të përfundoj me këtë citim: “Nuk ka krizë energjetike, por kriza vjen vetëm për shkak të injorancës.” Rasti ynë është një dëshmi e kësaj. Dhe, të qenit këtu së bashku është në radhë të parë një mundësi për t’u mbledhur së bashku dhe për të rritur horizontin tonë të dijes. Unë jam i sigurt se me më shumë njohuri ne do të shmangim krizën në të ardhmen.
Faleminderit shumë!
***
Ditën e enjte, Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në Samitin e Këshillit Atlantik për Energjinë dhe Ekonominë, të mbajtur në Stamboll. Samiti shërben si një platformë për bashkërendimin e politikave ekonomike, politike dhe energjitike, nga Shtetet e Bashkuara, në vendet e BE-së e deri në Azinë Qendrore.