Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e 16-të të Përgjithshme të Eprorëve të Urdhrave Rregulltarë Katolikë në Europë:

Shumë të nderuar miq, të ardhur nga anë të ndryshme!

Nuk është diçka e zakontë që një Kryeministër i Shqipërisë të marrë fjalën në një asamble rregulltarësh katolikë, për vetë natyrën specifike të këtij kuvendi.

Është fakt që bëhet fjalë për një event me një rëndësi të posaçme për komunitetin katolik shqiptar, i iniciuar nga Don Giovanni Peragine, i cili preferon, konform vokacionit të Barnabitëve, të mbajë në jetën mondane emërtesën e përvujtur të famulltarit të Milotit, përkundrejt asaj disi pompoze të kryetarit të Bashkimit të Eprorëve Rregulltarë të Europës.

mbicjen për ta bërë Shqipërinë, edhe një herë, një pikë takimi për artizanë të paqes dhe modestinë me të cilën organizuesit e ndërmorën një sfidë të tillë, pranova me shumë kënaqësi që të vij sot këtu për ta përshëndetur.

Çka më shtyu edhe më tepër të jem këtu sot, i pranishëm, është edhe kujtimi, gjithmonë e më gjallë, i vizitës baritore të Papa Françeskut, vetë ai rregulltar, përpara së të ngjiste shkallët e hierarkisë kishtare.

Apostulli Pal, të cilin me të drejtë Imzot Noli e quante Ungjillor të Shqiptarëve, e përkufizon kështu fjalën e frymëzuar: “Fjala e Shpirtit është e gjallë dhe përmbushëse, më e mprehtë se një shpatë me dy tehë; ajo përshkon deri në thellësitë e dasive brenda njeriut, duke gjykuar ndjenjat dhe mejtimet e zemrës”.

Si e tillë më oshëtin edhe fjala që Papa Françesku aq paharrueshëm e shqipëroi gjatë dhe pas vizitës së tij në Tiranë: “Në Shqipëri kemi dëshminë e diçkaje që tejkalon tolerancën dhe bashkëjetesën. Në Shqipëri kemi përvojën e vëllazërisë fetare”, përvojën e të qënurit pandashmërisht së bashku.

Ndoshta, një fjalë e tillë është e thjeshtë në të artikuluar dhe në të kuptuar nga gjithkush. E thënë nga një rregulltar jezuit, për më tepër ipeshkëv i Romës, ajo mbart një vlerë dëshmie të përhershme në shërbim të çka në latinisht quhet communio dhe në shqip gjendet me trajtën e moçme liturgjike, kungim apo kungatë.

Urdhrat rregulltarë katolikë dhe Shqipëria kanë një të përbashkët unike: për ta, në gjirin e tyre, mes bijve të tyre, fjala communio, kungim, gjallon nga gjesti kuptimplotë i ndarjes së bukës dhe verës, realitet shugurues për besimtarin dhe simbol vëllazërie dhe miqësie për mbarë shqiptarin, për t’u shpërhapur dhe rrezatuar në një përmasë bashkëjetese që nuk njeh kufi.

Ndonëse e panjohur, Shqipëria, tokë kontrastesh, ka qenë që në krye të herës, një luadh pjellor për kultivimin e kungimit si filozofi e shkoqur bashkëjetese e vëllazërimi. Ka ndodhur pikërisht këtu, në trojet tona, me qindra vjet më parë, një paradoks i lumnueshëm që sot jep fruta të rrallë.

Në takimin me njerëzit e kulturës në Paris, në të famshmin kolegj të Bernardinëve, rregulltarë Cistercianë, Papa Benedikti XVI, duke përkujtuar rrjetin e manastireve dhe abacive që ndërtuan të parën Europë të kulturës pa kufij, është shprehur se misioni i rregulltarëve ka qenë kaherë pedagogjia e “Quaerere Deum”, “kërkimit të Zotit”.

Kësaj shprehje që ja vlen të meditohet sot, i vjen si jehonë fjala e Papës Pali VI, në mbylljen e Koncilit II të Vatikanit, 50 vjet më parë: “Feja e Zotit të bërë njeri dhe feja e njeriut që e mban veten për Zot e përshkuan njëra-tjetrën. A u luftuan, a u nëmën reciprokisht? Në fakt, kështu nuk ndodhi. Tregimi i moçëm i samaritanit të mirë u përjetësua edhe më shumë si përshpirtshmëri e Kishës. Një simpati pa kufij për njerëzit, një dëshirë për të bashkëvuajtur nevojat e tyre, pushtoi mbarë kishën.”

Kërkimi i Zotit, së bashku me kërkimin e Njeriut në tërë kompleksitetin e tij, u asociuan te rregulltarët në Shqipëri.

Nuk është çudi, që mes fiseve kryelartë e me raste kryeneçe të Shqipërisë së hershme, lulëzuan në lavdinë e modestisë së tyre, ato bashkësi rregulltare që nuk hezituan të visheshin me mjerimin, skamjen, diskriminimin, mohimin që gjatë shekujve vuajtën shqiptarët, njësoj sikur të kishin veshur petkat më të fisme, më përrallore, më dinjitoze të një princi të Kishës.

Nuk është çudi, madje është në përputhje me vokacionin e kësaj toke, që gjatë rrugës për t’u pjekur me sulltanin e Egjiptit për të dialoguar me të, i madhi Shën Françesk i Asizit u ndal në brigjet e Lezhës, për të mbjellë aty fidanishten e parë françeskane në Europën Juglindore.

Françeskanë që përmblodhën doket e shqiptarëve dhe ua lanë brezave të shkruara;

Dominikanë që lanë dëshminë e parë të shqipes si idiomë të mëvetësishme me relacionin e Pseudo-Brokardit të 1332;

Lazaristë, që sikundër shëronin trupat e sfilitur nga sëmundjet endemike të fshatrave shqiptare, kultivonin dashurinë për letrat dhe për historinë;

Jezuitë që shëronin plagët e shpirtit dhe ngrinin nga hiçi seminare, gjimnaze, qendra kulturore nga të cilat dolën korifenjtë e letrave shqipe;

Stigmatine dhe misionare të Nënë Terezës, që janë përkujdesur me vite, me gjithë persekutimet, vrasjet, mortet e panumërta, për të vobektit e çdo besimi dhe çdo përkatësie.

Të pajisur që të gjithë me karizmat e shpirtit dhe inteligjencës, me të drejtë, rregulltarët mund të quhen artizanë të paqes dhe të kungimit.

Historianët, studiuesit, ekleziologët më eruditë janë në të drejtën e tyre për të hulumtuar dhe diskutuar mbi dobishmërinë teologjike, filozofike dhe morale të jetës së urdhrave rregulltarë.

Me të drejtën e tij sovrane, shteti i paanshëm i vështron ecurinë e tyre si institucione komunitare që duhet të funksionojnë në përputhshmëri me ligjet dhe parimet themeltare të lirive publike. Kontributin e tyre madhor në iniciativa me karakter social dhe kulturor, shteti e përshëndet dhe e mbështet si një ndihmesë ndaj rolit të tij përveçëm dhe epror në arsimim, shëndetësi, mirëqenie sociale dhe kulturë.

Jo më pak i rëndësishëm se roli i samaritanit të mirë që përkujdeset për çdo njeri, shfaqet te ju prirja për urtësi dhe urëndërtim të pareshtur mes besimeve të ndryshme, por edhe filozofive deiste dhe ateiste.

Dy shprehjet lapidare që elita e rregulltarëve na ka lënë trashëgimi, “Ora et labora” – Lutu dhe kultivo – me Shën Benediktin dhe “Fides et ratio” – Fe dhe arsye – me Shën Tomë Akuinin, janë sot e gjithë ditën një thirrje gjithmonë aktuale për mirëkuptim, qytetari dhe bashkëjetesë, e cila në Shqipëri gjen sot e gjithë ditën, një terren të privilegjuar dhe pjellor, për shkak të një mirëkuptimi dhe bashkëjetese që komunitetet fetare në këtë vend e ndërthurin dhe e rrezatojnë më së miri, si një model për t’u parë, për t’u admiruar, por dhe për t’u ndjekur nga të gjithë.

Në këtë aspekt, më ngjan i një rëndësie të veçantë momenti që gjatë punimeve të asamblesë suaj, ju i keni dedikuar tryezave të rrumbullakëta me përfaqësues të besimeve të tjera, jo të privuar nga përvoja jete rregulltare specifike. Ortodoksia shqiptare dhe bektashizmi brenda islamit shqiptar përfaqësojnë në këtë lëmë, një histori me interes dhe me merita. Histori që e ndarë mes jush përmes kësaj asambleje pasuron më tej jetën shpirtërore të këtij territori ku ju keni zgjedhur të mblidheni.

Me premisa të thjeshta në një botë gjithmonë e më shumë të komplikuar, rregulltarët japin një shembull vazhdimësie të pandërprerë të së mirës, e cila me gjithë dramat e tragjeditë e përbotshme nuk duhet humbur nga sytë dhe si Zoti për disa, si Njeriu për disa të tjerë, si Urtësia për të gjithë, lipset duhen kërkuar e mund të kërkohen pareshtur, sado e madhe të jetë mjegulla që krijojnë dramat dhe tragjeditë e përbotshme.

Në zona të nxehta të globit sot, ku barbaria po rikthehet gati-gati si një mënyrë jetese e përditshme, janë rregulltarët, ata të cilët, në kushte që janë të paimagjinueshme për ne që këto zona të nxehta i shikojmë nga larg, vijnë materialisht dhe shpirtërisht në ndihmë të popullsive dhe të njerëzve më të përvuajtur.

Nga Koreja e Veriut ku sundon ende sot, një diktaturë absurde, në Kubën e sfilitur prej një izolimi të stërmundimshëm, duke kaluar në rajonet e stërmunduara të Lindjes së Mesme, Magrebit dhe Afrikës Subsahariane, rregulltarët katolikë japin një shembull unikal vitaliteti dhe përkushtimi, përmes sakrificash që të gjitha sëbashku burojnë nga një fjalë e vetme: thjeshtësia e shpirtit përballë madhësisë së një bote tejet të komplikuar.

Diplomatë, mediatorë, pajtues gjakrash, ndërmjetësues hatërmbetjesh arkaike, mjekë dhe mësues, punëtorë krahu dhe infermierë, me habi të admirueshme, rregulltarët mund të kundrohen në të katër cepat e globit, sesi me një modesti ekstreme, me një diskrecion që nuk ka shok, me një durim të mahnitshëm, tjerrin në mënyrë të palodhur copën e paqes dhe kungimit mes gjithë njerëzve, pa dallim racash, pa dallim bindjesh, pa dallim pozicionesh gjeografike apo sociale.

Të dashur miq,

me shembullin tuaj, ju kontribuoni të përmbushet një amanet, rikujtuar për ndërgjegjet tona nga Papa Françesku, siç e thashë në fillim të kësaj fjale, por të lënë këtu, pak metra nga kjo sallë, në shkallët e kësaj godine, nga Shën Gjon Pali II, gjatë vizitës së tij historike në Shqipëri, 22 vjet më parë, i cili këtij sheshi që ju përshkuat përpara se të hynit në këtë sallë i tha: “Duhet mësuar arti i dialogut dhe i të dëgjuarit, qoftë edhe kur ky art është i mundimshëm. Ky është çmimi i lirisë, kjo është fshehtësia e progresit të vërtetë moral dhe civil”.

Dhe kjo është të jesh artizan i paqes dhe kungimit mes vëllezërish dhe rregulli parësor i të cilit, fetarë apo jo, është që të përpiqemi për të përputhur ndërgjegjet tona.

Faleminderit me mirënjohje!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.