Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg:
Kryeministri Rama:
Kam nderin të mirëpresim në Tiranë, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, mikun tonë Jens Stoltenberg!
Kjo është vizita e tij e parë në Shqipëri dhe njëkohësisht është vizita e tretë e një Sekretari të Përgjithshëm të Aleancës, që nga anëtarësimi ynë në NATO, në prillin e vitit 2009.
Jam i bindur se nga kjo foltore, sot e në vijim për shumë e shumë vite, sa herë që të jetë rasti, nuk do të mjaftojnë asnjëherë fjalët për të shprehur mirënjohjen e Shqipërisë dhe shqiptarëve ndaj Aleancës së Atlantikut të Veriut, ndaj popujve dhe qeverive të ndryshme aleate, që duke i hapur dyert Shqipërisë i dhanë vendit tonë për herë të parë në histori të drejtën për të ndarë, jo vetëm barrën e mbrojtjes kolektive të botës së lirë, por edhe për t’u përfshirë në vendimmarrjet e një rëndësie kaq të madhe për ecurinë e lirisë dhe integritetin e vlerave të botës ku ne kemi zgjedhur të jemi pjesë e pandarë.
Valët e reja të terrorizmit me origjinë nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriut, shqetësimi i përbashkët për sigurinë dhe stabilitetin në lindje të Europës, çështja e hapur e Ukrainës, vijimi i procesit të zgjerimit të Aleancës, fuqizimi dhe modernizimi i kapaciteteve mbrojtëse, si dhe misionet ushtarake, ishin dhe mbeten temat tona kryesore të diskutimit sot me Sekretarin e Përgjithshëm dhe në vijim brenda kësaj Aleance.
Ne e ndajmë fuqimisht shqetësimin me të gjithë anëtarët e Aleancës për kërcënimin serioz që paraqet terrorizmi i shfaqur sot në trajtën e tij më barbare në formën e një nazizmi të ri tek i ashtuquajturi ISIS. Të gjitha vendet aleate ndihen njëlloj të kërcënuara, ndërkohë që njëlloj zotërojmë vullnet, kemi mundësi dhe kapacitete për të përballuar me sukses këtë betejë dhe për ta fituar këtë që Papa Françesku e quan një “Luftë të Tretë Botërore”.
Ne si Shqipëri ndjehemi mirë që sot përfaqësojmë në këtë Aleancë edhe një model, modelin e një vendi ku bashkëjetesa fetare, -apo ajo që Papa Françesku e quajti vëllazëria fetare, – është jo vetëm e mundur, por baza solide e një paqeje dhe harmonie mes njerëzve të besimeve të ndryshme.
Miratimi së fundmi i Strategjisë tonë Kombëtare kundër Ekstremizmit të Dhunshëm është një tjetër hap që ne bëmë si pjesë e kësaj përpjekjeje kundër së keqes, sepse ne besojmë që qasja për të luftuar, jo vetëm shfaqjen e kësaj të keqeje aty ku ajo është e mishëruar fizikisht, por edhe shkaqet më të thella të saj, është qasja e duhur për të zhvilluar në këtë rrugë një proces nga ku bota jonë e lirë demokratike të dalë më e fortë.
Nga ana tjetër unë specifikisht i shpreha Sekretarit të Përgjithshëm dhe mirënjohjen e Shqipërisë për faktin që NATO mori një vendim tjetër historik për të ftuar Malin e Zi, sepse zgjerimi i mëtejshëm i NATO-s në hapësirën tonë, për ne është në thelb zgjerim i hapësirës së lirisë, të paqes dhe të demokracisë së mbrojtur. Aq sa ne vlerësojmë dhe mbështesim anëtarësimin e Malit të Zi, po aq mbështetës jemi për vijimin e këtij procesi me anëtarësimin e vendeve të tjera të rajonit, që aspirojnë dhe përpiqen realisht për integrimin e në Aleancë.
Në këtë kontekst, me frymën e konsolidimit e të rritjes së sigurisë në rajonin tonë, Shqipëria shpreson që vendet aleate do të sqarojnë në kohën më të shpejtë mundësinë e afrimit dhe të institucionalizimit të marrëdhënieve të NATO-s me Kosovën.
Bindja jonë është se në këtë rajon nuk duhen lënë zona gri dhe duhen eliminuar të gjitha potencialet që mund të shfrytëzohen nga e keqja me të cilën përballemi bashkërisht.
Ne jemi të bindur se dobia e anëtarësimit në bazë të meritës dhe reforma, i tejkalon shpeshherë ndjeshmëritë përkatëse bilaterale që ekzistojnë kundrejt vendeve aspirantë. E, ne duam fort të besojmë që ndjeshmëritë përkatëse bilaterale nuk do të vazhdojnë të bëhen pengesë në një proces që ka lidhje të drejtpërdrejtë me sigurinë e të gjithëve së bashku dhe me kërcënimin e hapur që sot i prek të gjithë bashkë.
Prandaj, sa më shumë të konsolidohet kjo hapësirë dhe vetë Aleanca e shtrirë gjeografikisht në këtë hapësirë, aq më të sigurtë jemi të gjithë dhe aq më të sigurtë janë ato vende që për shkak të ndjeshmërive bilaterale kanë krijuar pengesa deri më sot.
E sigurova Sekretarin e Përgjithshëm se Shqipëria, jo vetëm është e përfshirë seriozisht në zbatimin e angazhimeve të pranuara në Samitin e Wellsit, por do të vijojë të jetë pjesë aktive e operacioneve të NATO-s dhe të çdo përpjekje ndërkombëtare për ruajtjen apo rivendosjen e paqes.
Në zbatim të angazhimeve të samitit të Wellsit edhe pse në kushte jo të lehta, ekonomike dhe financiare, qeveria e ka frenuar përfundimisht trendin rënës të buxhetit të mbrojtjes, madje ka siguruar një rritje të ndjeshme të tij për vitin 2016 dhe ka aplikuar një formulë ambicioze për sa i përket shpenzimit për modernizimin e mbrojtjes.
Kështu ne jemi të bindur që në samitin e Varshavës ne do të shkojmë me një bilanc pozitiv, si anëtarë të rinj, por seriozë në përmbushjen e detyrimeve të përbashkëta.
Dua ta falenderoj sinqerisht, jo për protokoll, Sekretarin e përgjithshëm Stoltenberg, për lidershipin e tij, gjë të cilën ne e kemi ndjerë dhe e shohim me respekt që nga marrja e detyrës, dhe për vizionin e tij, drejt arritjes së objektivave të përbashkëta të Aleancës, që gëzon të gjithë mbështetjen tonë.
Ne i konsiderojmë detyrat tona në NATO, jo thjesht si ushtarake ose si financiare. Në këtë aspekt qëndron edhe vlerësimi ynë shumë i lartë për vizionin dhe për lidershipin e Sekretarit të Përgjithshëm të cilit kam kënaqësinë t’ja uroj edhe publikisht mirëseardhjen në Shqipëri dhe t’i kaloj fjalën.
Sekretari i Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg:
Faleminderit shumë, Kryeministër Edi Rama!
Është një kënaqësi e madhe dhe një nder i madh që jam këtu, të takohem me ju e të shoh qoftë këtë ndërtesë të bukur, por edhe disa nga pikturat që ju keni bërë.
Jam i kënaqur që pata mundësinë të flas me ju dhe të mësoj më shumë për Tiranën, Shqipërinë dhe mënyrat se si mund të zhvillojmë e forcojmë bashkëpunimin që kemi brenda Aleancës së NATO-s, me Shqipërinë.
Do të doja të filloja duke përgëzuar Shqipërinë për angazhimin shumë të fortë për Aleancën dhe sigurinë tonë të përbashkët, si edhe për kontributet që ju po ofroni në misionet e NATO-s në Afganistan dhe në Kosovë, apo kontributet që i keni ofruar dhe po i ofroni përpjekjeve tona për të ndërtuar kapacitetet e mbrojtjes në lindje, në Ukrainë dhe në Gjeorgji. Diçka që e vlerësojmë shumë, por po kështu vlerësojmë edhe atë që ju po bëni, për të kontribuar në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
Ju luani një rol kyç, kështu që për mua si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s është me rëndësi që të takohem këtu me ju dhe të shohim se si mund të vazhdojmë të përballemi, qoftë me sfidat në Afganistan, në Kosovë, në Ukrainë dhe Gjeorgji, por edhe këtu në Ballkanin Perëndimor, si edhe shumë sfida të tjera të cilat i përballojmë së bashku.
Besojmë shumë se nëpërmjet bashkëpunimit me fqinjët, ju ofroni një kontribut të vlefshëm për sigurinë në mbarë rajonin.
Gjithashtu, duam t’ju falenderojmë për mbështetjen shumë të fortë për politikën tonë të dyerve të hapura dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor në Familjen Euroatlantike.
Vetëm pak ditë më parë, ne morëm një vendim historik në Këshillin e NATO-s, duke qenë se vendosëm të ftonim Malin e Zi të fillojë bisedimet për anëtarësim me Aleancën për t’u bërë anëtari i 29 i kësaj aleance.
Ky vendim pasqyron angazhimin në vazhdim të NATO-s për t’i mbajtur dyert e saj të hapura, pasqyron angazhimin tonë ndaj stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, si dhe angazhimin tonë për të përplotësuar vizionin tonë për një Europë të lirë dhe në paqe. Shqipëria ka qenë kyç në këtë proces. Faleminderit shumë për mbështetjen tuaj të fortë për politikën e dyerve të hapura dhe për vendimin që ftuam Malin e Zi për t’u bërë anëtar i Aleancës.
Siguria jonë po sfidohet në drejtime të ndryshme dhe NATO po i kundërpërgjigjet duke iu përshtatur një mjedisi të ri sigurie, po rrisim gatishmërinë e forcave tona. Kemi një forcë dyfish më të madhe të reagimit dhe kemi një prani ushtarake të rritur në pjesën lindore të Aleancës. Po kështu po ofrojmë më tepër mbështetje për partnerët tanë në lindje dhe në jug.
Të gjithë aleatët e NATO-s janë pjesë e koalicionit ndërkombëtar kundër ISIS-it dhe e mirëpres kontributin e Shqipërisë këtu. Është me shumë rendësi të theksojmë që ky nuk është një konflikt midis islamit dhe Perëndimit. Ky është një konflikt midis ekstremizmit dhe shoqërive të hapura dhe ne duhet të çohemi në mbrojtje të vlerave tona, të luftojmë ekstremizmin dhe terrorizmin së bashku.
Shumë prej sfidave komplekse me të cilat përballemi duhet të trajtohen nëpërmjet mjeteve diplomatike dhe politike, por edhe atyre ushtarake, kështu që përshtatja e vazhduar ushtarake e Aleancës sonë mbetet e një rëndësie kyçe.
Na duhet të vazhdojmë të investojmë në mbrojtjen tonë, ashtu siç të gjithë shefat e qeverive dhe të NATO-s vendosën kur u takuan në Wells vitin e kaluar.
I kuptoj sigurisht vështirësitë ekonomike me të cilat Shqipëria është përballur, ndaj e vlerësoj edhe më shumë që keni vendosur të rrisni shpenzimet për mbrojtjen në vitin 2016. Ju inkurajoj që të vazhdoni në këtë drejtim!
Kështu që Kryeministër, faleminderit shumë për mikpritjen e ngrohtë! Jam i kënaqur që gjendem këtu dhe e vlerësoj shumë bashkëpunimin tonë.
Faleminderit !
-Zoti Sekretar i Përgjithshëm, pas sulmeve të 13 nëntorit në Paris, shërbimet inteligjente shqiptare bënë të ditura se homologët e tyre i kishin njoftuar se Tirana ishte një nga dy kryeqytetet më të rrezikuara nga sulmet terroriste të ISIS. A e ka NATO këtë informacion dhe nëse po, a është kjo arsyeja e vizitës tuaj në Tiranë?
Sekretari i Përgjithshëm i NATO: Vizita ime në Tiranë nuk është diçka që e kemi vendosur për shkak të sulmeve në Paris. Mendoj se ka një vlerë shumë të madhe dhe rëndësi shumë të madhe që të vizitoj si Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës edhe Tiranën, pasi ne i vlerësojmë shumë kontributet e Shqipërisë për sigurinë tonë të përbashkët si një aleate e NATO-s. Por ajo që mund t’ju them kur vjen fjala për kërcënimet terroriste është se ajo çfarë ju keni parë në Paris, por edhe në vende të tjera europiane, është fakti që asnjë vend nuk është i paprekshëm ndaj kërcënimeve, që pamë në Paris. Ndaj na duhet të jemi vigjilentë, na duhet që të gjithë të jemi të përgatitur. Të gjithë na duhet që të intensifikojmë përpjekjet për të luftuar terrorizmin, ekstremizmin dhe ISIL. Na duhet ta bëjmë këtë duke përdorur mjete shumë të ndryshme, na duhen mjete ushtarake dhe e mirëpres faktin që shumë vende aleate të NATO-s po e rrisin kontributin në koalicionin global në luftën kundër ISIL, por na duhen gjithashtu edhe mjete ekonomike, politike dhe diplomatike.
Kështu që, mendoj se është me rëndësi shumë të madhe që ne të mbështesim tanimë këto përpjekje të ripërtërira, për të gjetur një zgjidhje të negociuar politikisht të krizës në Siri. Keni parë që, apo më mirë, që këto bisedime do të ndodhin, por NATO po luan rolin e saj, pjesërisht nëpërmjet aleatëve të saj që kontribuojnë në koalicionin e luftës kundër ISIL, por edhe duke u përqendruar tek shkaqet rrënjësore të destabilitetit dhe të kërcënimit terrorist.
Nga ana tjetër duhen ndihmuar vendet në rajon që të rrisin kapacitet për të stabilizuar vetë vendet e tyre dhe për ta luftuar vetë ekstremizmin. Kjo është saktësisht ajo çfarë bëjmë në Afganistan ku trajnojmë dhe ndihmojmë forcat kombëtare afgane për të luftuar ekstremizmin dhe terrorizmin. Këtë bëjmë në Jordani, ku kemi në fakt ndërtim të kapaciteteve të mbrojtjes me forcat e tyre, duke i ndihmuar, duke i trajnuar dhe kjo është ajo që po bëjmë aktualisht edhe me qeverinë e Irakut, ndërkohë që i ndihmojnë të modernizojnë forcat e tyre të armatosura në mënyrë që të kenë forca të forta lokale që luftojnë ekstremizmin në Irak. Kjo është arsyeja edhe pse po punojmë me një vend si Tunizia. Mendoj pra, se na duhet që të përqendrohemi shumë sesi të mund të përfshijmë forcat lokale në luftë kundër ISIL dhe ekstremizmit. Mendoj nga ana tjetër se kjo na ilustron se nuk është lufta midis perëndimit dhe botës myslimane, kjo është një luftë kundër ekstremizmit, kriminelëve, një dhune barbare dhe dua t’ju them se pjesa më e madhe e viktimave të terrorizmit janë aktualisht myslimanë. Kështu që, ne i mbështesim në këtë luftë, por na duhet që të jemi sëbashku në këtë luftë kundër ISIL.
Kryeministri Rama: Shqipëria nuk është as më shumë dhe as më pak e rrezikuar se të gjitha vendet e tjera të botës ku ne bëjmë pjesë.
Zoti Kryeministër, zoti Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s tha se mirëpritet rritja e rolit dhe kontributit të Shqipërisë në koalicionin anti ISIS. Konkretisht, a i është kërkuar Shqipërisë rritja e përfaqësimit në këtë koalicion me mjete ushtarake dhe trupa ushtarake, gjithashtu?
Kryeministri Rama: Përsa i përket pyetjes mund t’ju jap përgjigjen e thjeshtë dhe besoj edhe të zakonshmen për një qeveri dhe një Kryeministër të Shqipërisë; ne jemi plotësisht të angazhuar që të kontribuojmë me të gjitha mundësitë që ne disponojmë brenda kësaj Aleance në çdo mision ku kërkohet kontributi ynë.
-Zoti Sekretar, për rajonin e Ballkanit, shpesh përveç ISIS-it, është konsideruar edhe kërcënues një tjetër aktor, i cili është konsideruar si aktori i tretë, me të cilin është nënkuptuar Rusia, për ndërhyrje dhe për kërcënim për destabilitet në këtë rajon të brishtë. A ka NATO një strategji, përveç zgjerimit, për të ruajtur stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s: NATO është shumë e përqendruar për mënyrën sesi mund të kontribuojë për të ruajtur e mbajtur stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Jemi përqendruar këtu për shumë, shumë vite. Ju duhet të sillni ndërmend që operacioni ushtarak jashtë zonës së NATO-s më i madh ka qenë në Ballkan në vitet ’90-të, në Bosnje-Hercegovinë dhe më pas, në Kosovë dhe Serbi. Politika jonë e dyerve të hapura është një faktor kyç, që kontribuon për stabilitetin dhe forcimin e stabilitetit në këtë rajon. Kësisoj Kroacia, Sllovenia janë tanimë anëtare të Aleancës. Shqipëria është anëtare dhe besoj se diskutimi që zhvillova me Kryeministrin sot, thjesht sa e përforcon rëndësinë e Shqipërisë si anëtare jo vetëm për sigurinë e Shqipërisë, por edhe për stabilitetin në të gjithë rajonin. Disa ditë më parë vendosëm të ndërmarrim një hap tjetër, duke ftuar Malin e Zi. Jemi të pranishëm në Kosovë me KFOR-in, që ësh4236
të prezenca jonë më e gjatë ushtarake në ndonjë vend.
Kështu që, mendoj se jemi mirëfilli të përqendruar sesi të mund të bashkëpunojmë me shtetet tona anëtare në këtë rajon, mes të cilëve dhe Shqipëria, të punojmë për t’u siguruar që ky të mbetet një rajon i qëndrueshëm dhe që është në gjendje të luftojë ISIS, ekstremizmin. Kjo është sigurisht në interes të rajonit, por edhe në interes të të gjithë Aleancës dhe sigurisë globale.
Do të doja gjithashtu, të lavdëroja edhe lidershipin që shohim nga Tirana nga Kryeministri, në përballjen saktësisht të këtyre sfidave që janë të pranishme këtu, ashtu siç janë të pranishme edhe në pjesën tjetër të Europës. Doja realisht të përshëndesja zërin e fortë dhe lidershipin e fortë, të cilin Kryeministri ka treguar për këto çështje thelbësore për gjithë Europën.
Faleminderit shumë!