Fjala e Kryeministrit Rama në Kongresin e Naftës në Stamboll:
Shumë i nderuar presidenti Erdogan!
Miq të nderuar!
Të nderuar kryetarë shtetesh, kryeministra dhe të ftuar!
Do të doja ta nisja me një pyetje, që mbase askush nuk e pret këtu: “A mund të shndërrohet Shqipëria në një prej “fronteve” të reja të naftës në botë?”
Në fakt, kjo është pikërisht e njëjta pyetje, që revista “Forbes” shtronte vetëm përpara pak vitesh.
“Pas një të shkuare të trazuar, Shqipëria, një vend shumë i pasur me resurse, po përpiqet të modernizojë veten për t’u shndërruar në një qendër të rëndësishme biznesi…. Dhe deri më tani, suksesi ka qenë mbresëlënës. Ndryshe nga vetë historia e vështirë e këtij vendi, zhvillimet e fundit në sektorin e naftës janë të destinuara të kenë një fund shumë më të lumtur”, vazhdonte “Forbes” në përshkrimin e vendit tonë.
Ajo që artikulli la pa përmendur është se kurioziteti për rezervat shqiptare të naftës daton që përpara krijimit të shtetit të pavarur shqiptar. Kur në vend, për herë të parë u shpuan puset e naftës në fillim të viteve 1900, titujt kryesorë të gazetave të kohës e konsideronin Shqipërinë si “Persinë” e Europës.
Koha tregoi se këto pritshmëri ishin të ekzagjeruara, por, përsëri, vendi ynë ka një sasi të madhe rezervash nafte të pashfrytëzuara, të cilat mund të na shndërrojnë, me mijëra kilometra larg vapës së Lindjes së Mesme, në një destinacion të ri botëror të industrisë së naftës.
Përgjatë dekadave, nafta ka qenë një burim i madh zhvillimi për Shqipërinë, por në kontekstin e ri botëror në të cilin jetojmë, asnjë shtet nuk mund t’i lejojë vetes që të hartojë një axhendë personale për shfrytëzimin e ardhshëm të rezervave të tij të naftës.
Kjo është edhe arsyeja përse jemi mbledhur këtu, ditën e sotme. Një prej qëllimeve kryesore të këtij Kongresi është të çojë një hap më tej, debatin për sigurinë energjitike dhe sfidat me të cilat përballet ky sektor, në kontekstin e kompleksitetit dhe luhatshmërisë së ekonomisë botërore.
E gjithë kjo ndodh në mes të një çasti tranzicioni kritik për industrinë energjitike. Për shkak të nevojës për më shumë energji dhe kërkesës për një çmim sa më të lirë kemi arritur të kuptojmë se duhet të përshpejtojmë përpjekjet tona për diversifikimin dhe rritjen e efiçencës së rezervave, por gjithashtu kemi arritur të kuptojmë se duhet të punojmë sëbashku. Ndaj, bashkëpunimi qeveritar me kompanitë e sektorit privat, që janë të interesuara për të bërë biznes në vendet tona është i rëndësishëm për të siguruar një rritje të qëndrueshme dhe të vazhdueshme të sektorit të naftës.
Qeveria e Shqipërisë e konsideron sektorin energjitik një sektor strategjik. Fokusi ynë kryesor është rritja e sigurisë së furnizimit me energji për konsumatorët shqiptarë, si dhe progresi drejt integrimit më të thellë të tregut energjitik shqiptar në tregun rajonal të Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë, në të gjithë tregun europian.
Industria e naftës, si pjesë kryesore e sektorit energjitik në Shqipëri është shumë e rëndësishme për shkak të një sërë faktorësh, mes të cilëve do të theksoja vendndodhjen e Shqipërisë në udhëkryqin mes Lindjes dhe Perëndimit, si një urë e vërtetë lidhëse. E për shkak të vendndodhjes sonë gjeografike, Shqipëria do të shtrihet mbi një prej rrugëve më të rëndësishme energjetike në botë, gazsjellësi TAP, i cili do të nisë transportin e gazit prej Detit Kaspik drejt zemrës së Europës, më 2019-n.
Besojmë se kemi bërë shumë, me qëllim krijimin e një axhende të denjë për zhvillimin e sektorit energjitik, sigurisë energjitikë dhe bashkëpunimit rajonal, duke bërë përpjekje paralele për diversifikimin e portofolit të industrisë energjetike.
Pa hyrë në detaje, më lejoni t’ju them se ndodhemi mbi një prej fushave më të mëdha të naftës në tokë në Europë.
Pas thuajse dy dekadash zhvillimi kaotik, trashëgimi e të shkuarës sonë të trazuar, qeveria jonë ka sot një strategji të qartë, e cila ofron mbrojtje ligjore dhe nxitje fiskale për të gjitha investimet në këtë sektor.
Strategjia jonë e sektorit të naftës përqendrohet në:
Diversifikimin e burimeve të energjisë së prodhuar nga nafta;
Rritjen e prodhimit të naftës bruto;
Nxjerrjen në ankand të blloqeve të lira të naftës dhe gazit, duke u bazuar në procedura konkurruese;
Rritjen e kapaciteteve rafinuese, pasi shumica e naftës aktualisht eksportohet bruto;
Rritjen e kapaciteteve të magazinimit dhe në ristrukturimin e stacioneve të naftës;
Në harmonizimin dhe integrimin e legjislacionit shqiptar, me legjislacionin europian.
Ne jemi duke studiuar gjithashtu skenarin e privatizimit, apo ristrukturimit të kompanisë shtetërore “Albpetrol”.
Në ditët e sotme ka shumë për të folur për Shqipërinë dhe një të ardhme të mundshme të ndritur, nëse do të mundim të tërheqim partnerë të rëndësishëm, por ndërkohë jemi shumë të inkurajuar nga prezenca e SHELL dhe nga lajmi i fundit se janë gjetur resurse të reja, të pashfrytëzuara, nafte në Shqipëri.
Pa dyshim, e gjithë kjo strategji bazohet në kompletimin e suksesshëm të gazsjellësit TAP. Pas përfundimit të tij, me shpresën se do të gëzojmë edhe mbështetjen e Bashkimit Europian, ne mbetemi të përkushtuar për ta zgjeruar TAP-in edhe me gazsjellësin Adriatiko-Jonian, i cili do të kalojë përmes Malit të Zi, Bosnjes dhe Kroacisë, si dhe një degëzim i dytë, për në Kosovë dhe në Serbi.
Ndaj, për të gjithë këto arsye, besoj se ky është mbase momenti më i mirë për të investuar në industrinë e naftës dhe gazit në Shqipëri.
Në përfundim më lejoni të kthehem në pyetjen që shtrova në nisje: A mundet Shqipëria, të shndërrohet në një front të ri të industrisë së naftës?
Unë besoj me të vërtetë se i kemi të gjitha mundësitë që ta bëjmë këtë; kemi një strategji të qartë, por çfarë është më e rëndësishmja, rezerva të mëdha nafte dhe gazi, por për t’ia dalë mbanë, duhet të punojmë së bashku.
Për këtë arsye i jam shumë mirënjohës Presidentit Erdogan për mbështetjen e tij dhe për bashkëpunimin e ngushtë që kemi me qeverinë turke, për rritjen e dijeve tona, bazuar në historinë e suksesshme të zhvillimit të sektorit të gazit dhe naftës në Turqi.
Sëbashku, ne mund të planifikojmë një të ardhme më të mirë për vendet tona, qytetarët tanë dhe për kompanitë tuaja.
Në fund të fundit, siç edhe Mustafa Kemal Ataturk ka thënë: “Njerëzimi është një trup i vetëm dhe secili prej nesh janë qelizat që bëjnë trupin të funksionojë”.
Faleminderit!